Nëse Joseph Conradi do të kishte rrëfyer 11 shtatorin…

Christian Salmon

11 shtatori nuk është vetëm, siç thuhet zakonisht, data e lindjes së shekullit XXI, është edhe akti inaugurues i një lufte të një lloji të ri, e cila nga ai moment, vetëm është zgjeruar. Këtë luftë të re e quajmë lufta e rrëfimeve: në lojë nuk janë më territore apo burime natyrore, por kontrolli i rrëfimit dominues, vëmendja dhe besimi që ai merr. Kjo luftë ka si skenë të operacioneve, jo më fushëbetejat tradicionale, por ekranet në kompjuterët dhe celularët tanë dhe si armë, jo më tanket, por historitë, lajmet, pamjet, metaforat që qarkullojnë në rrjetet sociale. Është një luftë që mobilizon fotografi dhe fjalë, me qëllime joshjen apo bindjen, një luftë në lëvizje, e cila zhvendoset me ritmin e transmetimit të të dhënave me shpejtësi të lartë dhe jo më me shpejtësinë e trupave në terren.
Nëse atentati i Sarajevës shërbeu si shkëndijë për shpërthimin e Luftës së Parë Botërore, atentati kundër Qendrës Botërore të Tregtisë në shekullin XXI, ishte akti i parë i kësaj lufte të rrëfimeve. Zgjedhja e një objektivi super të ekspozuar, të filmuar ditën dhe natën nga kamerat e sigurisë, krijoi përmes televizionit dhe internetit, një valë goditëse të destinuar që të përhapej nëpër të gjithë botën. Për herë të parë, një akt terrorizmi përfshinte, në modalitetin e vet operativ, jo vetëm kushtet teknike të riprodhueshmërisë së tij (mediatizimin), por formulën e transparencës së tij absolute. Bënte bashkë teknikat e publicitetit dhe modus operandi-n e një reality show. Atentati nuk ishte vetëm mediatik, por media-aktiv, sepse efekti i tronditjes që prodhuan pamjet e vazhdonte veprimin e vet gërryes, edhe pas ngjarjes.
Nuk bëhej më fjalë vetëm për shpërndarjen pamore të një akti terrorist, por bëhej fjalë për një Transfuzion të Terrorit. Atentat media-aktiv: jo vetëm mediatik, televiziv apo telegjenik, por media-aktiv, sepse efekti tronditës që prodhonin pamjet, nuk ezaurohej me shpërndarjen e tyre.
Pamje të pabesueshme. Pamje trullosëse, që kanë forcën bindëse të reales, por që përsërisin vazhdimisht vetë efektin e të pabesueshmes. Gjithpranisë sovrane të rrëfimit të madh të Perandorisë, i vinte kundër një tjetër gjithprani, këtë herë klandestine, në gjendje të dominonte hapësirën dhe të ndërpriste kohën, duke goditur kudo dhe njëkohësisht. Dy avionë për Kullat Binjake, dy avionë për Fuqitë Binjake (Pentagoni dhe Shtëpia e Bardhë). Goditje në zemër rrëfimit amerikan. Ky ishte objektivi i terroristëve.
Kurrë më parë një ngjarje nuk kish patur një jehonë të tillë botërore, kurrë nuk kishte shkaktuar kaq informacione të rremë, kaq shumë mosbesim.
Transparencë dhe mosbesim. Pikërisht përmes këtij paradoksi duhet lexuar, pas 11 shtatorit 2011, “efikasiteti i tmerrshëm simbolik” i terrorizmit. Transparenca e aktit, i transmetuar në kohë reale në shkallë planetare. Mosbesim përballë versionit zyrtar të atentatit: lidhja e shkaqeve dhe pasojave të tij. Transparencë totale. Mosbesim maksimal. Ja pra dy kriteret e racionalitetit terrorist. Vetëvrasja ose ekzekutimi i autorëve, mbyll rrethin e “magjisë” dhe efikasitetit të fshehtë të akteve të tyre. 11 shtatori ka qenë modeli i përsosur. Shkatërrimi i kullave binjake ishte vënia në ekran e shpërbërjes së rrëfimit të madh të Amerikës. Për të shpërbërë një imazh, Qendrën Botërore të Tregtisë, ikonë e kapitalizmit, u desh një imazh edhe më i fortë, ai i avionëve që shpërthenin në përplasjen me kullat.
Mosbesimi përballë të paimagjinueshmes regjistron pamundësinë për të integruar atentatin, në një rrëfim të besueshëm. Është një akt që synon të shkatërrojë rrëfimin dominues, jo për t’i kundërvënë një tjetër, por për të shkatërruar aftësinë rrëfyese të fuqisë fituese. Atentati është pra një kundërrëfim që prodhon mosbesim, ndërkohë që fantazia shkakton tek lexuesi një lloj sjelljeje që rrëfimtarët e përcaktojnë si “pezullimi i përkohshëm i mosbesimit”.
Ndoshta duhet thjesht të merren masat për këtë patejdukshmëri, këtë palexueshmëri. Jo vetëm si një pamjaftueshmëri, një boshllëk, një mungesë informacionesh apo një vonesë informacionesh mbi ngjarjen, por si ngjarja e vetme autentike. Zjarri që shpërtheu në Qendrën Botërore të Tregtisë nuk do të sjellë dije, por injorancë. Do të manifestohej jo si një dukje, një fanepsje, por si një zhdukje. Jo si një rrëfim pra, por si një bllokim i rrëfimit.
Në fundin e shekullit XIX, Joseph Conrad, dëshmitar i ekspansionit të terrorizmit anarshist në Europë, shkruajti një roman të frymëzuar nga një ngjarje e kronikës, “Agjenti i fshehtë”. Në Londër, më 15 shkurt 1894, njëfarë Martial Bourdin, pjesëtar i njohur i një rrethi anarshistës (i infiltruar nga policia) u vra pranë Observatorit mbretëror të Grinuiçit, prej shpërthimit të një bombe që kishte me vete.
Conradi frymëzohet nga ky fakt historik, për të elaboruar atë që ai e quan “një filozofi e terrorizmit”. Sipas shkrimtarit, akti i terrorit absolut është një akt i pamundur për t’u shpjeguar, të cilit do të ishte e vështirë t’i deshifroje si motivin, ashtu edhe autorët, dhe për të cilin gazetat nuk mund të kenë “shprehje të parapërgatitura”. Efikasiteti i tij do të ishte në përpjesëtim me fuqinë që ai do të kishte mbi ndryshimin e diskursit mediatik. Objektivi i vënë në shënjestër nga terroristët në romanin e Conradit, ishte zgjedhur, nga ky pikëvështrim, me një kujdes të veçantë: duke goditur Observatorin e Grinuiçit, ata shënjestronin pikat e referimit hapësirë-kohë, pa të cilat rrëfimi nuk është i mundshëm: goditja e meridianit të Grinuiçit nënkupton vënien në shënjestër të vetë koordinatave të një eksperience të mundshme. Ashtu sikurse Conradi kishte arritur të rrokte kuptimin e sfidës anarshiste në fundin e shekullit XIX, është një shkrimtar amerikan, Don DeLillo, njeriu që ndoshta ka shprehur më mirë kuptimin e fshehtë të këtyre ngjarjeve. Ai shpreh keqardhjen, përballë atentateve në Manhatan, për mungesën dhe pamundshmërinë e një kundërrëfimi.
Rrëfimi i madh amerikan që magjepsi miliona emigrantë të botës së tretë, mori fund atje ku kishte nisur, në Manhatan. Amerika, e kënduar nga Elia Kazan tek “Rebeli i Anadollit”, ai vend mitik që të ofronte një fletë të bardhë, mbi të cilën të shkruaje jetën tënde, një jetë të denjë për t’u rrëfyer. Prej kohësh, rrëfimi amerikan ishte zhvendosur, nga faqet e Mark Tueinit apo Xhek Londonit drejt studiove të Hollivudit. Amerika, më shumë se sa rrëfehej, ilustrohej. Sekuenca e avionëve që përplasen tek Kullat Binjake është tashmë pjesë e albumit të familjes së Amerikës. Pamja e Amerikës që rimodelohet në mënyrë të pandalshme, që korrigjohet dhe ngjyroset, këtë herë, brenda vetëm një momenti, u “diellëzua”. Roland Barthes shkruante për shkallën zero të letërsisë. Ground Zero i Kullave Binjake është grada zero e rrëfimit, një hapësirë gjuhe e shkretuar.
Atentati i 11 shtatorit nuk kishte qëllim tjetër, veç këtij: të këpuste gramatikën e rrëfimit dominues. “Sot, edhe një herë, rrëfimi i botës u përket terroristëve”, shkruante Don DeLillo pas atentateve të 11 shtatorit, në një artikull për “Harper’s Magazine”. Një formulim, i cili mund të interpretohet në dy mënyra: në të parën, do të thoshte që rrëfimi dominues është ai i terroristëve, në të dytin, se vetë modaliteti i rrëfimit është bërë terrorist, një regjim në të njëjtën kohë i trillimit dhe terrorit. Sociologu amerikan, Jeffrey Alexander nuk thotë asgjë ndryshe: “Dhuna terroriste duhet të analizohet si një formë aksioni simbolik, veçanërisht i tmerrshëm, në një fushë veprimi komplekse. Dhe përgjigjja amerikane ndaj këtij terrori, një kundërperformancë që vazhdon të strukturojë praktikat kulturore të politikës amerikane, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar”.
Në këtë luftë të rrëfimeve, gjestet përfaqësohen prej performancave të përllogaritura që të kenë impakt maksimal, dhe që i binden ligjit të hiperbolave dhe teprimeve. Për të goditur mendjet, ka nevojë për një shtim të teprimeve. Është ai që mund të përcaktohet si ligji i dobisë së teprimit. Në një ekonomi të vëmendjes, dobia është vëmendja shtesë që mund të sigurohet prej një teprimi më të madh (një pikë audience për një media, rritje në sondazhe për një politikan, numri i ndarjes së postimeve për terroristët në internet…).
Teprimet gjithnjë e më të mëdha, nuk kanë objektiv tjetër, veç atij të tërheqjes së vëmendjes dhe për këtë arsye nuk i binden një strategjie përmbajtjeje, por një strategjie të përshkallëzimit të provokimit. Dhuna terroriste dhe përgjigjja amerikane ndaj këtij terrori, i përgjigjen njëra-tjetrës si një episod në një luftë të rrëfimeve, që ka si objektiv pushtimin e mendjeve dhe zemrave. Nga ky pikëvështrim, dronet, që janë bërë të gjithpranishëm në luftën kundër terrorizmit, mund të analizohen si një përgjigje në performancë, ndaj atentateve të 11 shtatorit. Edhe ata mund të godasin kudo dhe kurdo. Edhe ata kanë këtë gjithprani pothuajse hyjnore. Lufta e rrëfimeve që nisi më 11 shtator, vazhdon nën një qiell kërcënimesh.

“Bota.al”

 

Dita më e zezë në historinë e Amerikës

Afro tre mijë njerëz u vranë atë ditë nga sulmi, i cili u bë shkak për nisjen e një fushate të gjerë të SHBA-ve kundër krimit dhe terrorizmit. Në SHBA gjatë kësaj dite, mbahen ceremoni përkujtimore, ndërsa në Nju Jork është hapur edhe Museu i Përkujtimit të 11 shtatorit.
Nëse do të pyesje çdo qytetar të kësaj bote, se çfarë ndodhi më 11 shtator, ai do të përgjigjet: “u krye akti më terrorist që përjetoi bota”. 4 avionë kamikazë sulmuan, dy simbolet gjigante amerikane, atë të ekonomisë ku rrëzuan dy Kulla Binjake dhe atë të ndërtesës së Ministrisë së Mbrojtjes – Pentagonin. Ndërsa, po atë ditë në të njëjtën kohë në afërsi të një fshati në Pensilvani, u rrëzua një avion dhe kështu e marta e 11 shtatorit 2001, papritur e pakujtuar mori jetën e 2900 njerëzve të pafajshëm. Pra, në mendjen e njerëzve të thjeshtë, 11 shtatori ishte një sulm terrorist, ishte një moment i dhembshëm në histori, që erdhi e tronditi zemrat e mendjet e qindra miliona njerëzve, jo vetëm nga Shtetet e Bashkuara, por nga mbarë bota.
Ata avionë e ata terroristë që shkatërruan dy Kullat Binjake në Nju Jork apo një pjesë së ndërtesës së Ministrisë së Mbrojtjes – Pentagonin më 11 shtator 2001, 16 vjet më parë, nuk e bënë këtë për të shkatërruar thjesht dy kulla nga më të lartat në botë, por, për të shkatërruar e sulmuar një qytetërim të tërë. Dhe jo më kot terroristët zgjodhën e goditën kullat e tregtisë botërore, world Trade Center, ato ndërtesa që mundësonin prosperitetin dhe tregtinë e mbarë botës, jo më kot u vu në shënjestër Pentagoni dhe Shtëpia e Bardhë, institucionet mbi të cilat është ndërtuar dhe e garantuar siguria e botës së lirë, paqe e demokraci. Ata që i kryen këto akte ishin të motivuar nga urrejtja kundra vendit simbol të demokracisë, paqes në botë – Shteteve të Bashkuar të Amerikës zemrën e qytetërimit perëndimor.
Me të tilla akte ata që i kryen dhe ata që fshihen pas tyre nuk i kanë shpallur luftë vetëm SHBA-së, i kanë shpallur luftë të gjithë atyre popujve e shteteve, të cilëve SHBA u garanton sigurinë e lirinë. Të gjithë atyre shteteve aleate në mbarë botën, me të cilat SHBA janë bërë një – duke ndarë kështu prosperitetin dhe zhvillimin. Kjo është një prej pikave më të rëndësishme që edhe ne shqiptarët në Shqipëri, Kosovë e viset shqiptare në Ballkan e në diasporë, mbarë kombi shqiptar arritën të tregojnë më 11 shtator 2001, se ne jemi populli më pro amerikan në botë. Ne jemi përkrah SHBA, ashtu siç janë SHBA përkrah nesh, me pavarësinë e Kosovës dhe demokratizimin e Shqipërisë.

Artikulli paraprakLuftë nga klubet e mëdha
Artikulli tjetërKu ndahen Trump dhe Europa?