Kriza e qeverisjes socialiste në Rumani

Deputetët e partisë në pushtet rrëzojnë kryeministrin. Sorin Grindeanu humbet pushtetin në votimin e mosbesimit si pasojë e mosmbështetjes nga anëtarët e Partisë së tij të majtë Social Demokrate. Kryeministri i Rumanisë është rrëzuar nga posti i tij pasi Parlamenti miratoi votimin e mosbesimit të paraqitur nga partia e tij. Vetëm gjashtë muaj pas zgjedhjeve, Sorin Grindeanu u rrëzua nga posti i Kryeministrit, duke qenë se nuk pati mbështetjen e pothuajse të të gjithë deputetëve të Partisë së tij të majtë Social Demokrate (PSD) por u mbështet vetëm nga disa partnerë të vegjël të koalicionit, Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve (ALDE). Mocioni i mosbesimit, i cili akuzoi Grindeanu për vonesa në kryerjen e reformave të planifikuara ekonomike dhe sociale në një nga vendet më të varfra të BE-së, u miratua me 241 vota pro dhe 7 kundër, më shumë se totali i nevojshëm për ta rrëzuar prej 233 votash. Pavarësisht dorëheqjes së 25 ministrave në kabinetin e tij (nga 26 gjithsej), Grindeanu, i cili u emërua kryeministër pasi PSD fitoi 46% të votave në zgjedhjet e dhjetorit, refuzoi të japë dorëheqjen javën e kaluar, edhe atëherë kur partia e tij nuk e mbështeti. Jo vetëm që nuk u tregua i gatshëm për të dhënë dorëheqjen, por ai akuzoi liderin e fuqishëm të PSD-së, Liviu Dragnea, si një ndër iniciatorët kryesorë të arritjes së rezultateve të tilla, duke qenë se sipas Grindeanu, Dragnea po përpiqet me të gjitha mënyrat që të përqendrojë në duart e tij të gjithë pushtetin. Ky pretendim është shumë i trishtë, u shpreh Dragnea përpara anëtarëve të Parlamentit. Ai tha më tej se Kryeministri nuk ia doli dot mbanë, ai nuk është se dështoi totalisht, por nuk arriti ta menaxhojë situatën ashtu siç duhet.Dragnea akuzoi Grindeanu duke i mëshuar mënyrave shumë të paligjshme që ai përdori. Grindeanu tha se do të qëndronte në detyrë derisa të krijohej një qeveri e re, duke shtuar se ndikimi dhe prezenca e Dragnea-s do të thotë se kushdo qoftë ai që do ta zëvendësojë atë në postin e Kryeministrit, nuk do t’i jepet as mundësia më e vogël për të ushtruar rolin e tij. Gjithsesi, shumë i rëndësishëm ishte edhe mesazhi që dha Grindeanu: “Ne duhet të dalim sa më parë nga kjo situatë dhe t’u dërgojmë një mesazh investitorëve dhe qeverive në mbarë botën se Rumania vazhdon të mbetet një mjedis i qëndrueshëm dhe i parashikueshëm”. Të dy partitë e koalicionit qeverisës pritet t’i paraqesin kandidaturën e një kryeministri të ri Presidentit të vendit, Klaus Iohannis, i cili i ka kërkuar qeverisë që të zgjidhë krizën sa më parë të jetë e mundur. Menjëherë pas zgjedhjes së Kryeministrit, ai do të ketë 10 ditë kohë për të fituar një mocion besimi në Parlament për kabinetin dhe programin e tij. Kjo është kriza e dytë që godet PSD-në, që prej zgjedhjeve të dhjetorit, kur ajo erdhi në pushtet.
Në shkurt, shpërthyen protestat më të mëdha në Rumani që nga rënia e komunizmit, të cilat e detyruan qeverinë të heqë dorë nga planet dhe implikimet e saj në çështje korruptive. Partia u detyrua të largohej nga pushteti në vitin 2015, pas protestave masive mbi një zjarr vdekjeprurës në një klub nate në Bukuresht, ku mbetën të vrarë 64 vetë. Për këtë incident me pasoja fatale u fajësuan kryesisht zyrtarët e korruptuar të cilët kanë shpërfillur rregulloret e sigurisë. Edhe pse ekonomia e saj po rritet me shpejtësi rreth 5.6%, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Komisioni Europian kanë paralajmëruar se Rumania ka nevojë urgjente për reforma të mëtejshme. Sipas analistëve, largimi i Grindeanu mund të jetë shkaktuar nga dështimi i tij për të shtyrë për më vonë ligjet e diskutueshme antikorrupsion, të cilat i krijuan mundësinë Dragneas të kandidojë për këtë post pavarësisht bindjes së tij. “Liviu Dragnea dëshiron vetëm një gjë, ndryshimet në ligjet antikorrupsion”, që e pengojnë atë të bëhet Kryeministri i ri i vendit, u shpreh për agjencinë France-Press, një ish-anëtar i PSD-së, Alin Teodorescu./ The Guardian

Artikulli paraprakAsnjë projekt për Shqipërinë në Trieste, Rama duarbosh
Artikulli tjetërFormimi i Qeverisë së re të Kosovës në ngërç