Asnjë projekt për Shqipërinë në Trieste, Rama duarbosh

Ndonëse rezultojmë si vendi më i prapambetur në Europë dhe se në katër vitet e fundit nuk është ndërmarrë asnjë projekt publik, Rama nuk e ka parë të arsyeshme të paraqesë në Samitin e Triestes projekte për të përfituar financimin e tyre nga vendet e BE. Bashkimi Europian do të akordojë për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor një fond prej 250 milionë eurosh, nga të cilat një pjesë do të jepet në formën e grantit dhe një pjesë si kredi. Por nga i gjithë ky fond asnjë projekt nuk do të shkojë për Shqipërinë. Ky fond do të shkojë për financimin e projekteve madhore në infrastrukturë dhe në energjetikë, mësohet nga burime brenda samitit të Ballkanit Perëndimor, që po zhvillohet në Trieste të Italisë. Për projektet konkrete do të diskutohet në mbledhjen mes anëtarëve të qeverive të vendeve përkatëse. Sipas burimeve, pjesëmarrësit në Samit e kanë vënë theksin tek bashkëpunimi rajonal dhe krijimi i zonës së përbashkët ekonomike. Samiti i Ballkanit Perëndimor 2017 po mbahet në Trieste të Italisë. Samiti do të shërbejë si një rast i rëndësishëm për të punuar së bashku në forcimin e mundësive konkrete, duke nxitur bashkëpunimin rajonal me qëllim të zhvillimit të shoqërive gjithpërfshirëse, qeverisjes së mirë dhe ekonomive vibrante, duke avancuar më tej perspektivën e integrimit të Bashkimit Europian në rajon.

Shqipëria nuk do të paraqesë asnjë projekt

Shqipëria ka shkuar duarbosh në Samitin e Triestes, duke mos paraqitur asnjë projekt. Lajmi u bë i ditur pak kohë më parë për “Monitor” nga ambasadori italian z. Alberto Cutillo. “Procedura për paraqitjen dhe dhënien e të ashtuquajturave grante të investimeve për projektet në vendet individuale të rajonit, si pjesë e platformës të Kuadrit të Investimeve në Ballkanin Perëndimor, ndjek kriteret e paracaktuara dhe objektive dhe për këtë arsye, unë nuk mund të hyj në vlerësime individuale. Unë mund të konfirmoj vetëm shpresën, se në Samitin e ardhshëm do të përzgjidhen projekte për Shqipërinë”, ka pohuar ai.

Nisma e Ballkanit Perëndimor

Ballkani Perëndimor është, një nismë ndërqeveritare e krijuar në vitin 2014 për të nxitur një integrim më të madh mes vendeve të rajonit. Aktualisht, janë anëtarë të Procesit të Ballkanit gjashtë vende të BE-së (Italia, Gjermania, Franca, Austria, Kroacia, Sllovenia) dhe gjashtë vende të Ballkanit (Bosnje-Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia, Shqipëria). Në fushën e ekonomisë, samiti do të ketë fokus në zgjerimin e rrjeteve ballkanike të infrastrukturës dhe lidhjen me atë europiane; energjia; rritja e SME-ve; risia dhe zhvillimi; tregu i përbashkët. Procesi i Ballkanit Perëndimor ka dy objektiva kryesore. Objektivi i parë është që të jetë bashkëshoqërues i procesit të integrimit në Bashkimin Europian të vendeve që aspirojnë të hyjnë në BE. Ajo nuk zëvendëson mekanizmat institucionalë të BE-së, si negociatat për anëtarësim, por krijon një kuadër të posaçëm për këto vende, për t’i shoqëruar në këtë proces. Dimensioni tjetër lidhet me zhvillimin e marrëdhënieve mes vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo, duke u nisur nga një fakt shumë i dukshëm, por edhe i harruar, që këto vende formojnë një rajon shumë të identifikueshëm, por që ndërkohë nuk kanë të zhvilluara marrëdhëniet ekonomike dhe në disa raste ato politike, në madhësinë që duhet të ishin. Për shembull, Serbia dhe Shqipëria, ndonëse janë vende, që nga ana ekonomike kanë shumë elemente plotësuese, kanë një shkëmbim të ulët mes tyre. Kjo i dedikohet një sërë faktorëve si historikë, politikë, por mbi të gjitha praktikë, si problemet me infrastrukturën, që vështirësojnë lidhjen apo diferencat në legjislacionin tregtar. Të gjitha këto mund të tejkalohen ose reduktohen edhe në sajë të procesit të Ballkanit Perëndimor.

Artikulli paraprakPlani për një Jugosllavi të re me Shqipëri e Kosovë brenda
Artikulli tjetërKriza e qeverisjes socialiste në Rumani