Kohë refleksioni qytetar…

Nga Martin DEDAJ

Partia Demokratike, në 27-vjetorin e saj gjendet në opozitë, pas atij procesi farsë nën diktaktin e tjetërsimit të votës së shqiptarëve, por padyshim që, ka qenë dhe mbetet forca e vetme politike e cila si gjatë viteve të qeverisjes ashtu edhe atyre në opozitë, ka qenë përcaktuese në zhvillimin dhe integrimin e vendit.
Kjo forcë politike me orientim perëndimor në themel të programit të saj ka lirinë, demokracinë, vlerat e individit dhe integrimin e vendit drejt strukturave euroatlantike, të cilat janë nëpërkëmbur gjatë këtyre viteve të qeverisjes së rilindjes dhe sojmenëve të saj, kryesuar nga Edvin Kristaq Rama, që po sillen si satrapë, duke bërë që Shqipëria të pllakoset nga një realitet i zymtë, social ekonomik dhe i pashoq, si kurrë ndonjëherë më parë. Dhe mbi të gjitha, Shqipëria është kthyer në vendin e shkatërrimit të institucionit të votës së lirë.
Shqipërinë e ka pllakosur një realitet ekstrem social e i diferencuar, ku një shtresë e vogël e shoqërisë natyrisht pjesa e lidhur me hierarkinë e lartë shtetërore jeton në luks (si dikur ato të bllokut), ndërsa pjesa më e madhe e shoqërisë jeton në varfëri dhe mjerim, ku varfëria kërcënohet me burg, pasi kryefamiljarët nuk kanë lekë të paguajnë dritat, dhe s’mund të dalin për të kërkuar punë, sepse sërish kërcënohen nga prangat.
Dhjetëra e qindra familje të ndara enden këtej e andej kufijve, në përpjekje për të sfiduar pragun e katastrofës ekonomike, që po u troket përditë tek pragu i votrës së tyre. Mbi 500-600 mijë shqiptarë janë larguar me shpresën e gjetjes së një jete më të mirë jashtë vendit, ikje e cila vijon ende me shifra friksuese?!. Vetëm në dy vitet e fundit afro 450 mijë shqiptarë aplikuan për llotarinë amerikane! Dhe afro 600 mijë të tjerë janë të pa punë. Shifra këto mjaft alarmante dhe rrënqethëse e plot të dhëna të tjera të raportuara, dhe të pranuara tashmë edhe nga INSTAT, që kontrollohet nga vetë Rama.
Në historinë e këtij vendi, asnjë pushtues dhe regjim nuk është sjellur më keq me popullin shqiptar sesa Edvin Kristaq Rama dhe shpura e tij e rilindjes dhe sorollopëve të tij, të cilët e kanë shpërfillur pothuajse plotësisht popullsinë e varfër shqiptare dhe hallet e tyre.
Çdo gjenerate i takon të lind dhe të jetojë në një periudhë të caktuar historike, që lidh të kaluarën me të ardhmen. Prirje e të gjithë brezave, është që të shohim nga e ardhmja, por të mbështetur fort në tabanin e gjenezës sonë të hershme, karakterin dhe fisnikërinë, dhe dheun e të parëve, vendlindjen tonë të dashur, të cilën çdo njeri e ka për zemër.
Padyshim që brezi i studentëve të Dhjetorit ’90-të, të prirë nga studenti liberator, tribuni i lirisë i pavdekshmi “Nderi i Kombit” Azem Hajdari, u përballën dhe triumfuan ndaj bishës më të egër komuniste të Europës dhe pas afro gjysëm shekulli diktaturë vranë frikën dhe hodhën themelet e pluralizmit dhe demokracisë në Shqipëri. Partia Demokratike Shqiptare si forca e parë politike opozitare në Shqipëri, ka nderin se është ajo, që e anëtarësoi Shqipërinë në Këshillin e Evropës, NATO, dhe strukturat e tjera ndërkombëtare dhe e afroi drejt Bashkimit Evropian, duke bërë të mundur lëvizjen e lirë të shqiptarëve, vendosjen e themeleve të shtetit demokratik dhe transformimin rrënjësor të Shqipërisë, dhe shumë e shumë arritje të tjera. Padyshim që brezi i studentëve të Dhjetorit 90-të dhe themeluesit e Partisë Demokratike Shqiptare kanë qenë, janë dhe do të mbeten në histori si brezi që i dha Shqipërisë Lirinë dhe Demokracinë.
Por kurrë ndonjëherë ky brez dhe jo vetëm, nuk e kishin menduar se pas 27 viteve pluralizëm, sërish do të kemi në pushtet segmente të zgjatura të diktaturës komuniste dhe hijes së zezë të ish- Sigurimit të Shtetit dhe se bash në Ditën Kombëtare të Rinisë më 8 Dhjetor 2017, ish-Sekretari i Parë i Komitetit të Partisë Tepelenë, dhe ish-ministri i fundit komunist, që përgjaku zgjedhjet e para pluraliste të 31 Marsit 1991, (më 2 Prill të atij viti, duke vrarë katër protestues të pafajshëm eksponentë dhe veprimtarë të opozitës së atëhershme), përfaqëson shtetin dhe institucionet shtetërore në Departamentin e Shtetit Amerikan.
Është bash koha që ne të ngrihemi të gjithë së bashku ndaj kësaj klike neodiktatoriale, kleptokratike që po qeveris vendin përmes bandave dhe baronëve të drogës, me të cilët është në ortakëri të pandarë. Sepse kurrë më shumë sesa tani, Shqipëria ka nevojë për një lëvizje të re demokratike me përgjegjësi qytetare dhe kombëtare. Ashtu si në vitet ’90, të rinjtë duhet të jenë promotor të kësaj lëvizjeje, por të mbështetur nga të gjithë shqiptarët anë e kënd vendit.
Një thënie e artë për kohën thotë se: “Koha fitohet në katër mënyra: -Të arrish të bësh diçka, të bësh atë që duhet, dhe atë që duhet bërë ta bësh në kohën dhe vendin e duhur dhe ashtu siç duhet”. Prandaj më shumë se kurrë, tani është koha kur të gjithë shqiptarët nga të gjitha anët e Shqipërinë duhet të ngrihen si një uragan mbarëpopullor dhe në lartësinë e përgjegjësive qytetare e kombëtare për të larguar këtë qeveri varfërie dhe rrënuese për shqiptarët, dhe mbi të gjitha vrasëse të votës së lirë dhe shpresës së tyre. Së bashku duhet të ngrihemi për t’i dalë zot vendit dhe të ardhmes tonë të përbashkët, për një ekonomi të fortë dhe të ardhme të sigurt, në vendin tonë të bukur që po braktiset çdo ditë.
Brezi i studentëve të Dhjetorit të viteve ’90-të, themeluesit e Partisë Demokratike, anëtarët, simpatizantët dhe militantët e saj, së bashku me gjeneratat e tyre dhe qindra e mijëra mbështetës janë sërish këtu të gatshëm dhe në lartësinë e përgjegjësive qytetare dhe kombëtare për t’ju bashkuar një lëvizje mbarë popullore dhe kombëtare, ashtu si në vitet ’90-të dhe presin një lidership dhe forcë politike t’i frymëzojë dhe t’i udhëheqë në këtë kauzë. Nga ana e saj, Partia Demokratike dhe opozita shqiptare kanë përgjegjësinë kombëtare dhe politike që t’i prijnë këtij uragani mbarë popullor, për të rikthyer vlerat e lirisë dhe demokracisë në Shqipëri, dhe mbi të gjitha rikthimin të votës së lirë, nga e cila burojnë vlerat e lirisë, demokracisë, identitetit dhe sovranitetit kombëtar.
Më shumë sesa festë ky 27-vjetor i krijimit të Partisë Demokratike, duhet të shërbejë si prologu i bashkimit të gjithë demokratëve me frymën e ndryshimit të këtij realiteti të hidhur që po përjetojmë, në këto vite të keqqeverisjes së vendit nga mazhoranca rilindase e mafies, drogës, korrupsioni dhe krimit.
Nga ana e tij kryetari i Partisë Demokratike z. Lulzim Basha, duhet të tregojë përpara anëtarëve, mbështetësve, simpatizantëve, militantëve të Partisë Demokratike dhe jo vetëm, dhe mbi të gjitha përballë shqiptarëve se është lideri, që din të përballojë dhe të udhëheqë sfida dhe të triumfojë mbi to.

Artikulli paraprakMisioni i ri i PD
Artikulli tjetërKompromentimi i misioneve në emërimin e kryeprokurorit