Katër ‘shpullat’ e Sekretarit amerikan të Shtetit për Edi Ramën

Nga Red VARAKU

Ishte e qartë që me vendimet e tij të papërgjegjshme Edi Rama po shkonte me shpejtësi drejt një kursi përplasjeje të pashmangshme me SHBA-të.

Vendimi për të mbështetur projektin e Moskës për ndarjen territoriale të Kosovës, vendimi për të bërë zgjedhje të paligjshme pa Opozitën, vendimi për krijimin e Jugosllavisë së re, vendimi për të bllokuar reformën në drejtësi nëpërmjet bllokimit të Gjykatës Kushtetuese dhe krijimit të njësisë Anti- KÇK, vendimi për bllokimin e reformës zgjedhore, ishin qartazi tregues se Edi Rama nuk po e kuptonte seriozitetin dhe gravitetin e çështjeve ku po përfshihej.

Me sa duket ishin pikërisht këto vendime, që e detyruan fillimisht Kancelaren Merkel dhe tani Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo, të ftonte Ramën për një vizitë të paparalajmëruar në Washington.

Siç duket qartë edhe sipas deklaratës së zëdhënëses Morgan Ortagus, Pompeo ia ka bërë më shumë se të qartë qëndrimin e prerë amerikan në lidhje me katër çështje : integrimin europian, reformën në drejtësi, reformën zgjedhore dhe platformën 5 G.

Le t’i marrim me rradhë këto çështje për të argumentuar këtë qëndrim:
Së pari, integrimi europian për Shqipërinë mbetet prioritet i prioriteteve për SHBA. Kjo do të thotë që zbatimi i nëntë kushteve të Bundestagut, është një fakt i pakundërshtueshëm. Gjithashtu kjo do të thotë që ideja e Moskës për krijimin e Jugosllavisë së re,jo vetëm që është një ide e dënueshme, por është e dështuar në kuadrin e një iniciative që nuk përfshin të gjitha shtetet, veçanërisht Kosovën.

Së dyti, mbështetja e vendosur që SHBA rikonfirmoi për reformën në drejtësi, lidhet me përpjekjen e dështuar të Ramës nëpërmjet bllokimit të Gjykatës Kushtetuese dhe një shpikje qesharake të quajtur Anti -KÇK për t’iu mbivendosur asaj dhe më pas asgjësuar produktin e saj. Sigurisht, kjo është dhe mbetet një shpullë e qartë vetëm për Ramën, sepse Partia Demokratike e ka përshëndetur krijimin e SPAK dhe po bën gjithçka që reforma në drejtësi të implementohet.

Së treti, për herë të parë kemi dhe një prononcim të niveleve kaq të larta të politikës amerikane në lidhje me reformën zgjedhore. Nuk duhet të harrojmë që reforma dhe implementimi i saj është një kusht i panegociueshëm i Bundestagut, që në thelb pranon krizën politike në Shqipëri dhe Washingtoni në lidhje me këtë çështje është në një frekuencë me Berlinin për formulën e zgjidhjes së saj.

Së katërti, qëndrimi i Sekretarit Pompeo për platformën kineze 5G, ishte gati poshtërues për kryeministrin shqiptar. Sepse ai e quajti Shqipërinë udhëheqës rajonal në mbrojtje të rrjeteve të komunikimit 5G, kur vetëm tre muaj më parë vetë Edi Rama kishte propaganduar platformën kineze 5G në faqen e tij zyrtare në facebook.

Për ata që vërtet nuk e kuptojnë dhe për ata që hiqen sikur nuk e kuptojnë , integrim në Perëndim do të thotë zgjidhje e krizës politike nëpërmjet zgjedhjeve të lira. Kjo shpjegon në fakt edhe mungesën e entuziazmit në fytyrën e Edi Ramës për këtë takim, dhe përpjekjen e shëmtuar për të gënjyer në lidhje me temat e bisedës së këtij takimi.

Tashmë, pas këtij takimi nuk ka më asnjë dyshim, që integrimi i Shqipërisë në BE do të bëhet vetëm pas plotësimit të nëntë kushteve, ndërkohë zgjedhjet e parakohshme nën vendosmërinë që po demonstron Perëndimi, do t’i japin fund përfundimisht edhe tranzicionit të stërzgjatur politik shqiptar.

Artikulli paraprakNoka: Rama nuk i lufton kriminelët sepse ka ndarë pushtetin me ta
Artikulli tjetërRrëmbimi dhe zhdukja e Jan Prengë, çfarë zbuluan kamerat e sigurisë