Kapitali fluturon jashtë, bankat investuan 2.7 miliardë dollarë në vendet e tjera

Masat e vendosura nga Banka e Shqipërisë për të frenuar investimet e bankave private jashtë vendit duket se nuk po arrijnë të përmbajnë plotësisht flukset dalëse të kapitalit. Të dhënat e fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në fund të muajit maj, investimet e bankave jashtë arritën në 324.6 miliardë lekë nga 307 miliardë lekë që ishin në maj të vitit të kaluar. Rritja është 5.7 për qind. Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një sërë masash rregullatore për të dekurajuar daljen e kapitaleve jashtë vendit, duke i ponderuar ato si aktive me rrezik. Këto masa kundër ciklike detyrojnë bankat që i investojnë fondet jashtë të shtojnë kapitalin. Ndërsa për ato banka që rrisin kredinë për tregun e brendshëm kërkohet më pak kapital. Por edhe pse kanë frenuar ritmet e rritjes, ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë nuk kanë mundur të ndalojnë plotësisht daljen e kapitalit jashtë. Bankat private duket se nuk shohin alternativa investimi në tregun e brendshëm dhe preferojnë që fondet e tyre t’i çojnë jashtë, qoftë si depozita pranë mëmave të tyre apo dhe si investime të tjera. Ekspertët thonë se transferimi i fondeve jashtë, ka të bëjë me rrezikun e lartë që perceptojnë bankat në tregun vendas. Rritja e kredive të këqija, por edhe ngadalësimi i ekonomisë, sipas tyre, bëjnë që bankat të preferojnë më shumë investimet jashtë, ku kanë një rrezik më të ulët. Kjo është konfirmuar tashmë edhe nga të dhënat e kreditimit të ekonomisë, kanali kryesor i investimeve të bankave. Edhe pse kriza tashmë e ka kaluar kulmin e saj kredia jo vetëm që nuk po rritet, por përkundrazi ka rënë me 1.6 për qind krahasuar me një vit më parë.

Shtrëngimi i kredisë

Banka e Shqipërisë deklaroi se bankat private shtrënguan sërish kredinë për bizneset në tremujorin e dytë të vitit. “Për bizneset, standardet rezultojnë të shtrënguara, si për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ashtu edhe për ndërmarrjet e mëdha”, deklaroi Banka Qendrore në Vrojtimin e Aktivitetit Kreditues për tremujorin e dytë të vitit. Sipas vrojtimit, faktorët kryesorë që ndikuan në shtrëngimin e standardeve të bankave për kredinë dhënë bizneseve janë problemet specifike të sektorit dhe situata makroekonomike. “Termat dhe kushtet nëpërmjet të cilave bankat zbatuan një politikë shtrënguese në tremujorin e dytë të vitit ishin rritja e kërkesave për kolateral, si dhe ulja e maturitetit të kredisë. Nga ana tjetër, marzhi mesatar, komisionet dhe madhësia e kredisë kanë vepruar në kahun lehtësues”, vijon Banka e Shqipërisë. Por veç shtrëngimit të kushteve nga ana e bankave, kredia është penalizuar edhe nga kërkesa e dobët e biznesit për hua. “Kërkesa e bizneseve për kredi ka mbetur thuajse e pandryshuar gjatë tremujorit të dytë të vitit 2016. Sipas ekspertëve të bankave, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme kanë rritur kërkesën për kredi, ndërsa për ndërmarrjet e mëdha raportohet ulje e kërkesës”, thuhet në Vrojtimin e Aktivitetit Kreditues për tremujorin e dytë. Në fund të muajit maj, kredia për ekonominë ishte 1.6 për qind më e ulët se sa një muaj më parë. Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se thuajse e gjithë rënia e kredisë është shkaktuar nga kredia për biznesin, e cila është ulur me mbi 10 miliardë lekë krahasuar me majin e vitit të kaluar. Kërkesa e bizneseve për kredi ka mbetur thuajse e pandryshuar në tremujorin e dytë të vitit 2016. Bankat raportojnë rritje të kërkesës për ndërmarrjet e vogla e të mesme, ndërsa kërkesa për kredi e ndërmarrjeve të mëdha raportohet me rënie. Kërkesa e bizneseve në tremujorin e dytë, sipas qëllimit të përdorimit, është regjistruar me rritje për kapital qarkullues dhe me rënie për investime. Në tremujorin e tretë të vitit, bankat presin rritje të kërkesës, e cila do të gjenerohet nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Bankat vlerësojnë se kërkesa e bizneseve për kredi është nxitur nga nevoja për financim për kapital qarkullues edhe për financim të investimeve. Vendimet e Bankës së Shqipërisë dhe mungesa e financimeve alternative e kanë ndikuar gjithashtu pozitivisht këtë kërkesë. Nga ana tjetër, situata makroekonomike në vend gjatë këtij tremujori është perceptuar me ndikim negativ në kërkesën e bizneseve për kredi. Afërsisht 100% e bizneseve mendojnë se, forcimi i masave shtrënguesve dhe gjobave super të larta në nëntor të vitit të kaluar i hapi rrugë korrupsionit e abuzimeve, përkeqësoi klimën e biznesit, rriti stresin e bizneseve dhe harxhoi një pjesë të mirë të energjive të bizneseve për përmbushjen e kritereve, por pa krijuar kushtet e favorshme që implementimi i ligjit të ishte optimal.

Artikulli paraprakDialogu me vrasësin: Ti je një psikopat
Artikulli tjetërSi do të zgjidhen 31 “kryegjyqtarët” e rinj?