I Çmenduri s’ndalet, 5 mijë lekë taksë për Tiranë-Durrës, pagesa për atë që ngriti kullën e stadiumit

Edhe pse Ministria e Infrastrukturës nuk ka pranuar ta bëjë publike ofertën për koncesionin e rrugës Tiranë-Durrës, Top Channel ka arritur të sigurojë disa nga detajet më të rëndësishme të saj.
Burime konfidenciale thonë se ofertuesi është një grup i madh indian me disa koncesione autostradash në Azi, por që në Shqipëri është i përfaqësuar nga dy kompani lokale, Albstar, e cila po ndërton stadiumin Arena kombëtare si dhe kompania Trema Inxhiniering.
Por si do të preken qytetarët nga dhënia me koncesion e kësaj rrugë? Studimi i fizibilitetit, që edhe ky nuk është bërë publik nga qeveria, parashikon dy tarifa.
Për automjetet e vogla do të paguhet 2 euro për çdo kalim, ndërsa për automjetet e mëdha tarifa do të jetë 5 euro.
Projekti për dhënien me koncesion të rrugës Tiranë-Durrës parashikon që kompania private të zgjerojë me dy korsi të tjera rrugën kryesore si dhe do të sigurojë rrugë alternativë kalimi pa pagesë.
Bëhet fjalë për rrugën e vjetër Tiranë-Ndroq-Plepa, e cila do të rikonstruktohet po nga kompania private.
Në projektbuxhetin e vitit 2019, qeveria ka vënë si vlerë tavan për këtë koncesion shifrën 49.1 miliardë lekë ose rreth 380 milionë euro.
Dhënia me koncesion e rrugës Tiranë-Durrës është ende në fazë projekti.
Qeveria ka pranuar zyrtarisht se ka marrë një ofertë të pakërkuar, por Ministria e Infrastrukturës deklaroi se kjo ofertë është në fazë shqyrtimi dhe nuk është vendosur ende nëse do të pranohet ose jo.
Ndaj edhe shifrat si ajo e ndërtimit të rrugës, si tarifa e kalimit, janë ende jo zyrtare dhe do të përcaktohen përfundimisht vetëm nëse ministria e Transporteve vendos ta pranojë ofertën e koncesionit.
“TCH”

Artikulli paraprakMeta tregon se çfarë fshihej pas dorëheqjes së kreut të SHISH, Visho Ajazi
Artikulli tjetërBerisha: Rama s’paguan asnjë qindarkë për të kaluar traun e autostradës, fut duart e tij të zeza tek më të varfërit