Gundogan rikthehet në kombëtare

Kombëtarja gjermane rifiton shërbimet e Ilkay Gundogan. Mesfushori i Man.City do të rikthehet të luajë për pancerat, pas plot 1 viti mungesë për shkak të një dëmtimi të rëndë në gju. Turko-gjermani duket se tani është tërësisht i rikuperuar dhe se është i gatshëm të japë edhe ai kontributin e tij në kombëtare, për misionin e eliminatoreve të botërorit “Rusi 2018”. Por, jo vetëm 25-vjeçari do të jetë sërish nën urdhrat e Johachim Low, të thirrur për takimin e radhës në Grupin C, kundër Rep.Çeke, janë edhe Jerome Boateng, Mario Gomez e Sebastian Rudy.
Lajmi për rikthimin e tyre e ka gëzuar dhe teknikun e kombëtares gjermane, i cili shprehet se tani që grupi është i plotësuar, misioni i vetëm është fitorja në takimet e radhës. “Më vjen mirë që këta futbollistë i janë bashkuar pjesës tjetër të grupit. Sigurisht që kontributi i tyre është i vlefshëm. Pas fitores kundër Norvegjisë, ne dëshirojmë që të vazhdojmë kështu edhe në takimet e radhës. Duhet të tregohemi të vëmendshëm dhe të luajmë si një skuadër”, u shpreh Low.
Gjermania ndodhet në Grupin C, së bashku me Norvegjinë, Irlandën e Veriut, Azerbaxhajnin, Rep.Çeke e San Marinon. Më datë 8 tetor pancerat do të ndeshen me Çekinë, e më pas me Irlandën e Veriut. Fazën e parë të eliminatoreve të botërorit “Rusi 2018”, skuadra e Johachim Low e mbyll me transfertën e lehtë kundër San Marinos. Momentalisht vendin e parë në këtë grup e mban Gjermania së bashku me Azerbaxhajnin, me nga tre pikë secila.

Artikulli paraprakCity-United, luftë për Toni Kros
Artikulli tjetërLeipzig mposht edhe Augsburgun