Grupimi “Dhjetor ‘90” përshëndet marrëveshjen Basha-Rama

Grupimi “Dhjetor ‘90” përshëndet marrëveshjen e arritur nga Kryetari i PD, Lulzim Basha me Kryeministrin Edi Rama. Në një deklaratë për mediat thuhet se, Grupimi “Dhjetor ‘90” përshëndet marrëveshjen e arritur nga Kryetari i Partisë Demokratike dhe i opozitës, Lulzim Basha me Kryeministrin në detyrë, njëkohësisht Kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama.
“Arritja e kësaj marrëveshjeje shmangu një konflikt social shumë të rrezikshëm dhe krejtësisht të panevojshëm ndër shqiptarë, konflikt i afruar nga keqqeverisja dhe abuzimi ekstrem me pushtetin i mazhorancës së rilindjes, e cila në këto katër vite e largoi vendin nga rruga europiane e integrimit më shumë se kurrë në këto 27 vite pluralizëm politik.
Grupimi ynë ishte pjesë integrale e protestës 90 ditëshe të opozitës shqiptare për kauzën e shenjtë të votës së lirë. Përmes këtij njoftimi dëshiroj t’iu përcjell mirënjohjen time të thellë gjithë anëtarësisë tonë nga Gjirokastra në Tropojë, nga Korça në Durrës për pjesëmarrjen aktive dhe të përditshme në Çadrën e Lirisë, prezenca e përhershme e protagonistëve të Dhjetorit ‘90 i dha dinjitet, vlerë dhe peshë protestës historike të opozitës shqiptare”, thuhet në deklaratën për shtyp.
Gjithashtu me këtë rast shpreh mirënjohjen e pa kufi për të gjithë ata qytetarë të rinj e të reja, burra e gra, që për tre muaj sfiduan frikën, presionet, shantazhet, kërcënimet dhe me qëndresën e tyre ja dolën ta thyejnë arrogancën e mazhorancës, ja dolën ta ulin atë në tryezën e dialogut. Vlerësimi ynë për angazhimin e SHBA-ve në zgjidhjen e krizës që kishte mbërthyer vendin është maksimal. Ne si gjithmonë i jemi mirënjohës Amerikës për gjithçka ka bërë për Shqipërinë dhe kombin shqiptar që nga Presidenti Wilson dhe deri tek President Tramp.
Mirënjohja për zotin Yee, i cili i vuri pikat mbi “i” sagës së opozitës dhe i dha fund arrogancës së mazhorancës dhe i çeli rrugën finale marrëveshjes është e thellë dhe shumë e ndjerë për ne dhe për gjithë shqiptarët, ajo është mirënjohje për Amerikën, aleaten tonë strategjike. Padyshim edhe roli i zotit McAllister meriton respekt dhe vlerësim të posaçëm, ai me personalitetin e tij të padiskutueshëm në kulmin e krizës mes arrogancës së mazhorancës dhe durimit stoik të protestuesve hodhi paketën e kompromisit, paketë, e cila tregonte që ai jo vetëm e njihte shumë mirë situatën e kriminalizimit të pushtetit në Shqipëri, por edhe masat me të cilën mund ta shuante mllefin në rritje të protestuesve.
Në të njëjtën kohë ne s’mund ta neglizhojmë përçmimin që ndjejmë për shumë diplomatë dhe zyrtarë të lartë të BE-së dhe vendeve te tjera të veçanta, një pjesë e të cilëve fatkeqësisht nuk e duan Shqipërinë, një pjesë tjetër për fatin e tyre të keq jo se nuk e duan Shqipërinë dhe integrimin e saj në Europë, por janë zhytur dhe notojnë në vaskën e korrupsionit, krimit dhe drogës që ka ndërtuar klani i shumicës që drejton mazhorancën aktuale.
Gjithashtu duam të shprehim vlerësimin dhe respektin tonë për kryetarët e partive të opozitës, të cilët me qëndresën e tyre për të mos u shantazhuar nga “ofertat” e overdozave të mazhorancës së kanabisit, ia dolën ta delegjitimojnë procesin farsë zgjedhor që po planifikonte mazhoranca e kanabisit. Dhe së fundi një vlerësim për Lulzim Bashën, i cili me urtësinë e tij prej çeliku ja doli ta thyejë arrogancën e Edi Ramës dhe mazhorancës së tij”, thuhet në deklaratën për shtyp.

Artikulli paraprak“Gabim teknik”, Policia arreston ish-kandidatin e PD të Gjirokastrës
Artikulli tjetërPlagoset me armë një 20-vjeçar në Vaun e Dejës