“Gabim teknik”, Policia arreston ish-kandidatin e PD të Gjirokastrës

Mjeku dhe ish-kandidati i PD për kryetar të Bashkisë së Gjirokastrës në zgjedhjet e 2015, Igli Kokalari është ndaluar nga Policia e Fierit paraditen e djeshme. Portali “JuguNews.net” raporton se, Kokalari është ndaluar për shkak të një gabimi teknik të policisë. Dy vjet më parë, Igli Kokalari denoncoi se i kishin vjedhur targat e automjetit, ndërkohë që targat u zëvendësuan nga DRSHTRR sipas kushteve që operohet në këto raste. Ndërkaq, Policia e Shtetit denoncimin e bërë nga Kokalari e pati emetuar në gjendje aktive dhe rezultuar si automjet i vjedhur bashkë me targat.
Kësisoj, Policia e Shtetit ka harruar të përditësojë të dhënat për këtë rast dhe informacioni nuk është freskuar që të rezultojë si rast i zgjidhur me zëvendësimin e targave, por rezulton në pikën fillestare dhe kjo jo për faj të Kokalarit.
Kokalari ndodhet aktualisht në ambientet e Komisariatit të Fierit së bashku me automjetin e tij të bllokuar deri në rifreskimin e sistemit të të dhënave nga regjistri themeltar i Policisë së Shtetit. Ai udhëtonte nga Tirana drejt Gjirokastrës.

Artikulli paraprakGrabitet një makinë në zonën e Plazhit në Durrës
Artikulli tjetërGrupimi “Dhjetor ‘90” përshëndet marrëveshjen Basha-Rama