Gjermani: CDU do koalicion me socialdemokratët

Kryesia e Partisë Konservatore, CDU pas dështimit të koalicionit me liberalët e Të Gjelbrit kërkon njëzëri bisedime me Socialdemokratët për të krijuar koalicionin e madh. Kryesia e CDU-së, sipas të dhënave të kryeministrit, Shlesvig-Holshtajn, Daniel Günther, është shprehur qartësisht për një koalicion me bazë të gjerë me Socialdemokratët, dhe kundër një qeverie të pakicës. “Ne kemi synimin e qartë, që të krijojmë një qeveri të aftë për veprim”, u shpreh Günther pas konsultimeve në Berlin”. Sipas bindjes sonë, një qeveri të tillë nuk e mundëson qeveria e pakicës, por një aleancë që bazohet në një shumicë parlamentare, tha Günther.
Krerë të CDU-së u takuan të dielën me kancelaren Angela Merkel për t’u konsultuar për strategjinë e ardhshme. Por CDU do të presë kongresin e Partisë Socialdemokrate, SPD, i cili do të përcaktohet për strategjinë e tyre dhe mundësinë e fillimit të bisedimeve të koalicionit me CDU. Socialdemokratët do të mblidhen më 7-9 dhjetor në Berlin për të marrë vendimet e ardhshme.

CDU -SPD – Rritje në sondazhe
Kryeministri i landit të Renani Veriore-Vestfalisë, Armin Laschet (CDU) u shpreh se konsultimet me CDU nuk do të fillojnë mbi bazën e kompromiseve për koalicionin Xhamajka, por mbi programin zgjedhor të CDU-së. Edhe Laschet u shpreh kundër një qeverie të pakicës përballë vendimeve që duhen marrë për Europën.
Mundësia e një koalicioni mes CDU-së dhe SPD-së ka rritur vlerat në sondazhe të të dyja partive. Në një sondazh të publikuar nga Emnid për “Bild am Sonntag”, Unioni CDU/CSU shton dy pikë në vlerësimin e zgjedhësve, duke kaluar në 33%, ndërsa SPD një pikë, duke arritur kuotën e 22%. Humbësit e sondazhit janë Të Gjelbrit dhe Liberalët, që zbresin një pikë në preferencat e zgjedhësve, duke rënë respektivisht në 10 dhe 9%.

Artikulli paraprakBasha komenton raportin e BE për blerjen e votave: Rama, organizatë kriminale
Artikulli tjetërIrani kërcënim të hapur Europës