Fushatë për PS, MAS padit drejtoreshat në Gjirokastër e Librazhd

Ministria e Arsimit ka paditur në Prokurori drejtoren e Drejtorisë Arsimore Gjirokastër, Lindita Rova, për përfshirje në fushatë për PS-në. Në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Arsimit thuhet se, në vijim të monitorimeve në të gjithë vendin pranë Drejtorive Rajonale Arsimore dhe Zyrave Arsimore, si dhe në institucionet e tjera të varësisë, në zbatim të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 473, datë 01.06.2017 “Për marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2017”, mbi bazën e raportimeve të grupeve të inspektimit nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit është kryer përcjellja e informacioneve të verifikuara në terren pranë organit të Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për drejtoren e Drejtorisë Arsimore Gjirokastër, znj. Lindita Rova.
Kjo masë merret mbi dyshimin e arsyeshëm të përfshirjes të znj. Rova në fushatën zgjedhore në kundërshtim me ligjin, duke organizuar aktiviteteve me pjesëmarrje masive të mësuesve nga shkollat në varësi të kësaj drejtorie Arsimore.
Znj. Rova gjatë inspektimeve dhe konstatimeve të Inspektoratit Shtetëror të Arsimit ka rezultuar me shkelje në transparencën e financimit të këtyre aktiviteteve festive, masive gjatë fushatës elektorale dhe jashtë kalendarit të aktiviteteve të DAR Gjirokastër. Për më tepër, këto takime festive janë zhvilluar në prani të kandidatëve të një subjekti politik.
Gjithashtu, në vijim të denoncimeve dhe shkeljeve të përsëritura nga ana e përgjegjëses së Zyrës Arsimore Librazhd, znj. Fatbardha Qatja për përfshirje në fushatë zgjedhore në kundërshtim me përcaktimet ligjore, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka nisur procedurat për pezullimin e menjëhershëm për shkak të përfshirjes në kundërshtim me përcaktimet ligjore të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 473, datë 01.06.2017.
Znj. Fatbardha Qatja, e komanduar në detyrë në janar 2015, ka rezultuar jo fituese në konkurrimet pranë Departamentit të Administratës Publike, përkatësisht qershor 2016 dhe maj 2017 dhe në kundërshtim me çdo dispozitë ligjore vijon të jetë në detyrë nga emërime të jashtëligjshme. Ministria e Arsimit dhe Sportit përveç pezullimit nga detyra ka depozituar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan kallëzimin penal për përfshirje të vazhdueshme në fushatën elektorale 2017.

Reagon MAS: Pezullimet e zyrtarëve janë në fuqi

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka reaguar në lidhje me disa njoftime të shpërndara në media për rrëzimin e vendimeve të saj. MAS sqaron publikisht se të gjithë ish-punonjësit, të cilët për shkak të mospërmbushjes së detyrave të tyre funksionale që kanë sjellë pasoja shumë të rënda në mbarëvajtjen e punës së institucionit, ndaj të cilëve është marrë masa e pezullimit të menjëhershëm dhe kallëzimit penal, vijojnë të jenë të pezulluar.
Urdhri i ministrit Nr.7/Extra datë 13.06.2017 me anë të  së cilit është urdhëruar pezullimi i menjëhershëm nga detyra e Sekretarit të Përgjithshëm të Arsimit dhe Sportit, z. Plarent Ndreca, Urdhri Nr. 335 datë 16.06.2017 me të cilit është pezulluar nga detyra drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve Mbështetëse, z. Alqi Kushi, Urdhri Nr. 342, datë 19 qershor 2017 me anë të cilit është pezulluar nga detyra drejtori i Teknologjisë, Informacionit dhe Komunikimit znj. Ornela Koleka, janë në fuqi.
Theksojmë se asnjë institucion tjetër shtetëror, përfshirë Departamentin e Administratës Publike apo Komisionerin e Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil, me vendimet e tyre nuk kanë cenuar vlefshmërinë e akteve të pezullimit të miratuar nga ministri i Arsimit dhe Sportit. Çdo informacion i servirur si vendimmarrje pranë Titullarit të Institucionit, nuk cenon legjitimitetin e këtyre akteve.
Autoritetin kushtetues për të gjykuar mbi vlefshmërinë e akteve të pezullimit të miratuar nga ministri i Arsimit dhe Sportit e ka vetëm sistemi gjyqësor në vend dhe asnjë institucion tjetër.

Artikulli paraprakMinistrat e Ramës dhunë ndaj emigrantes pse i pyeti për drogën
Artikulli tjetërPunonjësi i policisë duke bërë fushatë për PS-në në Shkodër