Punonjësi i policisë duke bërë fushatë për PS-në në Shkodër

Një efektiv policie është fotografuar dje, duke bërë fushatë për Partinë Socialiste. Një qytetar nga Shkodra ka denoncuar një efektiv policie, i cili është bërë pjesë e fushatës elektorale të PS-së në zonën Rrethina. Denoncimi është bërë publik nga ish-Kryeministri Berisha. Në një postim në Facebook, Berisha ka publikuar fotot e dërguara nga qytetari. “Në zbatim të urdhrit të Noriegës, Policia në fushatë!”, shkruan Berisha. “Punonjësi i policisë, Dedë Kodra bën fushatë në Shkodër, Njësia Rrethina”, shkruan qytetari nga Shkodra.
Ndërkohë, pas publikimit të fotografisë nga ish-Kryeministri Berisha kanë nisur hetimet për inspektorin me inicialet D. K., me detyrë ndihmës Specialist i Policimit në Komunitet në Komisariatin e Policisë Shkodër.
Burime nga policia thanë se, kanë nisur hetimet ndaj policit dhe ka nisur dhe procedura për lirimin e tij të menjëhershëm për pjesëmarrje në fushatën zgjedhore. “Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave ka filluar procedurat për policin e Shkodrës”, thanë burimet policore. Sipas policisë janë referuar në Prokurori materialet për të, ndërsa kanë nisur procedurat për lirimin e menjëhershëm të tij.
Thirrjes së kryeministrit Edi Rama drejtuar Policisë që, pasi të lënë punën të bëjnë fushatë për Partinë Socialiste, mesa duket po i përgjigjen pozitivisht disa prej efektivëve. Edhe pse vetë kryeministri më vonë kërkoi falje për këtë thirrje, duke theksuar se e kishte në një tjetër kuptim, janë qytetarët shqiptarë, ata që denoncojnë pjesëmarrjen e efektivëve të Policisë në fushatë elektorale.
Disa prej oficerëve të Policisë në Shqipëri nuk e kanë ende të qartë ligjin, se ata janë të ndaluar rreptësisht të bëhen pjesë e çdo aktiviteti politik si gjatë orarit të punës ashtu dhe jashtë tij, pasi janë në shërbim të qytetarit në çdo kohë. Dhe që prej vitit 1991 në Shqipëri është vendosur me ligj që Policia e Shtetit është e depolitizuar.

Artikulli paraprakFushatë për PS, MAS padit drejtoreshat në Gjirokastër e Librazhd
Artikulli tjetërLSI kapet me pako me lekë për blerje votash në Memaliaj