Ministrat e Ramës dhunë ndaj emigrantes pse i pyeti për drogën

Ministrat e Ramës, Mirela Kumbaro dhe Bledi Çuçi zhvilluan një takim para katër ditësh me emigrantët në hotel “Titania” në Athinë. Një qytetare, pjesëmarrëse në këtë aktivitet, tregon për emisionin “Stop”, përmes lidhjes në Skype, se është dhunuar nga shoqëruesit e ministres dhe të tjerë militantë, sapo ka pyetur se kur do të përfundojë kanabizimi në Shqipëri.
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi janë shprehur se me emigrantët shqiptarë në Greqi ka qenë mjaft entuziast, por mediat greke kanë treguar të kundërtën. Emigrantët kanë reaguar ashpër, duke fyer kryeministrin dhe kandidatët për deputetë, pasi pretendojnë se kujtohen për ta një herë në katër vjet, pra vetëm për zgjedhje. Situata degjeneroi deri në fyerje, goditje dhe nxjerrje jashtë nga bodigardët, reagim ky që përfundoi në disa të lënduar.
Por emisioni “STOP” nuk u mjaftua vetëm me rrëfimin e mediave greke, por arriti të sigurojë një intervistë nga Aleksandra, një emigrante pjesëmarrëse në këtë takim të zhvilluar në hotel “Titania”, në Athinë.
Qytetarja – Përshëndetje! Natyrisht, do të flas hapur, ajo që më ndodhi. Patëm takimin më datë 17, ditën e shtunë, ora 7-të, me ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro … ëëë dhe zv/ministri i Brendshëm, Stefan Çipa, Bledi Çuçi. Mbledhja në fillim qe shumë e larmishme, diskutuan me radhë deputetët dhe koha mbeti shumë e shkurtër për të diskutuar ne emigrantët.
Marr unë mikrofonin, nuk donin të ma jepnin. Bëra tre pyetjet e para, më shoqëruan me duartrokitje. Ndërsa të tretën, të fundit domethënë, kur ia bëj znj.Kumbaro, nuk e bëra me tendencë dhe unë i bëj pyetjen: Ju lutem…ëëë…kur do zbardhet çështja e 21 janarit, të drejtat e emigrantit dhe pyetjen e fundit, kur do të zhduken bimët narkotike në Shqipëri se po vdesin fëmijët tanë.
Më marrin mikrofonin, aty fillojnë kërcënimet dhe presioni më i shumtë ka qenë nga gratë e Shqipërisë. Unë shmangem në moment, gjatë goditjeve. Fillova të qaja, e ndjeva veten shumë të ulët. Aty kisha dhe simpatizantët e mi, të gjithë u shtangën, kurse znj. ministre karaliste për Edi Ramën.
Këto nuk janë për të ardhmen e fëmijëve tanë, këto janë për karrierë. M’u hodhën si Skënderbeu kundër turqve. Nuk di si ta përshkruaj, si nëpër filma.
Gazetarja – Ju doli njeri përkrah në momentet që po ju godisnin?
Qytetarja – Asnjë njeri. Të gjithë i kisha kundra. Unë jam thjesht atdhetare, nuk merrem me asnjë parti. Aleksandra rrëfeu se ajo u dhunua në takimin e zhvilluar për emigrantët shqiptarë në Greqi, ku ishin pjesëmarrës ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro dhe ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuci, sepse ngriti pyetje për çështjet si: zbardhja e 21 janarit, të drejtat e emigrantëve dhe asgjësimi i bimëve narkotike në Shqipëri.

Artikulli paraprakEkonomisti i KESH dhe 4 të tjerë ndajnë para për vota
Artikulli tjetërFushatë për PS, MAS padit drejtoreshat në Gjirokastër e Librazhd