Çmimi i sigurimit të mjetit, karteli do të vazhdojë edhe këtë vit

Në nëntor të vitit të kaluar, Autoriteti i Konkurrencës mbylli hetimin e radhës për tregut e sigurimit të detyrueshëm motorik. Një nga rekomandimet e dhëna, në mënyrë të përsëritur, për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, ishte llogaritja e një primi të diferencuar rreziku për secilën prej kompanive të sigurimit.
Megjithë këmbënguljen e Autoritetit të Konkurrencës, në mbledhjen e datës 30 mars, Bordi Drejtues i AMF miratoi tabelën me prime rreziku të unifikuara për të gjitha kompanitë që tregtojnë produktet e sigurimit të detyrueshëm motorik.
Për sigurimin TPL të autoveturave, primi i rrezikut do të jetë 7 mijë lekë për mjetet me kapacitet motorik deri në 1600 cm3 dhe 10 mijë lekë për mjetet me kapacitet motorik më të lartë se 1600 cm3. Primi i rrezikut është vlera mbi bazën e të cilave duhet të llogariten provigjionet teknike të kompanive të sigurimit dhe nënkupton minimumin e nevojshëm për të mbuluar pagesën e dëmeve eventuale.
Sipas Autoritetit të Konkurrencës, përllogaritja e një primi unik rreziku për të gjitha kompanitë përbën bazën e fiksimit të çmimeve në tregun e sigurimit motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta.
Në kushtet kur ligji i ri për sigurimin e detyrueshëm motorik fle në sirtarët e Ministrisë së Financave dhe askush nuk e di kur do të nisë zbatimi i sistemit bonus-malus, gjasat janë që tregu i sigurimit të detyrueshëm të mjeteve të vazhdojë të funksionojë si një kartel edhe këtë vit.

Artikulli paraprakTransporti, ushqimet, qiraja e lëndët djegëse më të shtrenjtat gjatë marsit
Artikulli tjetërTokat dhe depozitat e karburantit në Shëngjin, çmimi zbret në 5.7 milionë euro