Çfarë po bën Bashkia në Tiranë?

Vincent W.J. van Gerven Oei

Rreth një muaj më parë, shkrova një artikull mjaft kritik për rindërtimin e Sheshit Skënderbej. Ai artikull pati dy pasoja të menjëhershme: I pari ishte se bashkia hoqi brenda dy ditëve pllakat me logon “Fusha shpk” pranë majës së piramidës. Kryebashkiaku e kuptoi menjëherë se duke e “brandizuar” sheshin me logon e një prej kompanive më pranë qeverisë nuk ishte lëvizja më e zgjuar. Pasoja e dytë ishte një përgjigje publike e drejtorit të Planifikimit Urban, Ditjon Baboçi. Shkurtimisht, pretendimi i tij ishte se unë nuk e dija se për çfarë po flisja dhe se “do ta shohim se kush ka të drejtë në muajt në vazhdim”. Përgjigjja ime ishte kjo më poshtë: “Mendoj se do të shohim se kush ka të drejtë në vitet në vijim, sepse me siguri, në muajt e parë bashkia do të shpenzojë shumë para publike për t’u siguruar që shumë aktivitete e evente të organizohen në shesh, për të treguar se është i suksesshëm. Kjo është e njëjta metodë që Bashkia u përpoq të përdorte dhe tek sheshi ‘Nënë Tereza’”.
E me të vërtetë, nëse i hedhim një vështrim profilit të Facebookut të kryebashkiakut Veliaj, shohim se bashkia angazhohet çdo ditë për të organizuar diçka tek sheshi. Ndërkohë, sheshi “Nënë Tereza”, pika e mëparshme e preferuar e bashkisë, është braktisur nga aktivitetet dhe i është lënë trafikut. Nuk është domosdoshmërisht diçka e keqe organizimi i aktiviteteve publike herë pas here. Por kjo nuk është një mënyrë e qëndrueshme për integrimin e Sheshit Skënderbej në jetën e qytetarëve. Pa argëtimin e ofruar me sforco nga Bashkia, sheshi është një shkretëtirë përvëluese në mes të qytetit, pa hije gjatë ditës e pa ndriçim gjatë natës. Sidoqoftë, të gjithë këto aktivitete të organizuara nga Bashkia kushtojnë para, edhe sikur vetëm për faturën e energjisë elektrike. Natyrshëm shtrohet pyetja: ku nuk po harxhohen këto para që po shkojnë çdo natë në aktivitete tek sheshi?
Përgjigjja është shumë e qartë: shumica e projekteve infrastrukturore që janë nisur në qytet, përveç atyre “prestigjiozeve” natyrisht, janë të papërfunduara, punimet kanë mbetur pas ose kanë dështuar. E nëse kanë përfunduar në muajt e fundit, janë që tani drejt shkatërrimit. Me lejoni të jap disa shembuj nga lagjia ime, tek Njësia 2: Dy projekte të UKT Tiranë, nën varësinë e Bashkisë: i pari është projekti për rikonstruktimin e sistemit të kanalizimeve, që po kryhet nga “Igor Elektrik shpk” dhe “Rei shpk” për rreth 90 mijë euro. Data e fillimit të punimeve ishte 30 marsi dhe kohëzgjatja dy muaj, por 6 javë pasi punimet supozohet se kanë mbaruar, rruga është e hapur, gropa pa asfalt, duke ngritur pluhur sa herë që kalon ndonjë makinë. Një tjetër kompani ka hapur dhe disa rrugë anësore, ka vënë tubacione të tjera dhe ka mbyllur gropat me baltë dhe gurë. Pjesë të tjera të rrugës janë hapur nga disa kompani të tjera, “Kombeas sha” dhe “Arjelil shpk”, për rreth 246 mijë euro. Në këtë rast, kompanitë vendosën një shtresë asfalti pas punimeve. Por ajo tashmë ka filluar të prishet e i duhet hedhur shtresa e dytë. Rrethimi i kësaj pjese rruge mund të të bëjë të mendosh se aty po punohet, por në fakt prej javësh asnjë punëtor nuk është dukur.
Një kompani e tretë hapi trotuarët përgjatë rrugës kryesore, për të njëjtin qëllim: vendosjen e tubacioneve të reja. Kjo kompani, e cila nuk ka vendosur asnjë tabelë, supozohet të jetë “BE-IS shpk”, të paktën kaq mund të kuptohet nga uniforma e punëtorëve. Përveç dëmtimit të trotuarëve, të cilët në vitet e fundit ishin të rregullta, kompania ka lënë gropa të mëdha në mes të rrugës: Ju kujtohet tregu i fruta-perimeve i hapur nga kryebashkiaku Veliaj në fillim të këtij viti? Deri më tani shumica e stendave janë bosh. E siç dallohet dhe në foto, ndërtimi duhej të ishte bërë në mënyrë të tillë që shiu të mos hynte brenda. Shtyllat metalike dhe mushamaja mbuluese u shtuan në moment të fundit. Ato nuk janë të lëvizshme, pra nuk mund të hapen, çka ishte dhe krejt ideja e ndërtimit të një tregu të tillë.
E së fundmi, vetëm pak muaj më parë Bashkia shpenzoi buxhetin e saj për “ngjyrosjen” e disa prej “vijave të bardha” ku kalojnë qytetarët. Kështu duken ato sot: Është për të ardhur keq që Bashkia e Tiranës zgjedh herë pas here projekte “madhështore”, duke thithur shumicën e fondeve publike, në vend që të përmirësojë jetën e qytetarëve në lagjet e ndryshme të Tiranës si: rrugë të pastra pa gropa, punime publike që përfundojnë në kohën e duhur, projekte e investime të menduara dhe menaxhuara në përputhje me rrethanat dhe nevojat e komunitetit duke shmangur punën e dyfishtë dhe kështu me radhë. Është e lehtë të hedhësh para në disa ngjarje në një shesh betoni dhe ta quash atë “sukses”. Krijimi i një qyteti të banueshëm për të gjithë banorët e tij në jetën e përditshme është shumë më i vështirë (dhe pa shpërblim).

Artikulli paraprakGjermania ndalon armatimet për Turqinë
Artikulli tjetërPanariti-Ramës: Nuk doni t’ia dini fare, fermerët financohen 5 herë më pak se në Kosovë