Panariti-Ramës: Nuk doni t’ia dini fare, fermerët financohen 5 herë më pak se në Kosovë

Ministri ende në detyrë i Bujqësisë, Edmond Panariti, nëpërmjet një statusi në Facebook i është “përveshur” kryetarit të Komisionit të Ekonomisë në Kuvend, Erion Braçe dhe gjithë politikave të qeverisë Rama, ndaj bujqësisë. Me një gjuhë të ashpër deputeti i sapozgjedhur për Parlamentin e ri, jep fakte dhe detaje skandaloze për mënyrën sesi është lënë pas dore fermeri shqiptar, krahasuar me vendet fqinje të rajonit.
Statusi i plotë i Panaritit në Facebook
Pyet Braçe me statusin e jashtëtokësorit! A e di njeri në shumicë, që bujqësia është në emergjencë? Përgjigjja ime: E di shumë mirë dhe para së gjithash ti, si kryetar i Komisionit të Ekonomisë në Parlament, por edhe ata që kanë thesin e parave të këtij vendi. Por në të vërtetë unë mendoj që ju as që doni t’ja dini. Hiç fare!!! Nuk doni t’ja dini fare, përderisa e financoni bujqësinë dhe fermerin 5 herë më pak se Kosova dhe 10 herë më pak se Maqedonia. As që ju bëhet fare vonë, përderisa i jepni asaj naftë me çmimin e pakicës të Zvicrës dhe Danimarkës. As që pyesni fare, përderisa e ngarkoni prodhuesin dhe prodhimin, farat, kimikatet, mekanikën bujqësore me TVSH, taksa e tatime asfiksuese më të lartat në rajon. As që bëheni merak kur i kërkoni fermerëve të parapaguajnë një vit sigurime shoqërore, kur ata ende s’kanë filluar mbjelljet, ndërsa OSHEE, si xhandar u kërkon atyre faturat e energjisë përpara se të mund të përfitojnë nga subvencionet. Ja u morëm shpirtin, shprehesh!! Ekzakt!! …. Bravo, plotësisht dakord me ty. Por nëse vërtet ndjen dhembje për fermerët, shpall taksa dhe tatime zero për bujqësinë… Moratorium fiskal të plotë…sikundër propozuam ne. Jepi fermerit, të paktën pesë herë më shumë para, aq sa merr vëllai i tij në Kosovë që të ngrihet më këmbë e të mos shesë nën kosto. A e bën dot?… Tani tepsinë dhe timonin i ke vetë.

Artikulli paraprakÇfarë po bën Bashkia në Tiranë?
Artikulli tjetër“Finantial Times”: Në Shqipëri baronët e drogës lihen të lirë