Cana pranë lamtumirës, faleminderit kapiten

Debutonte me Kombëtaren në 2003 në një ndeshje ndaj Zvicrës, duke zëvendësuar Geri Cipin. Kishte patur mundësinë të luante me Shqipërinë, Zvicrën apo Francën, por bëri zgjedhjen e zemrës, diçka vërtet e rrallë edhe sot e jo më në ato kohë. Shumë shpejt do të kuptohej përse, zemra e tij rreh vetëm kuqezi, dhe fanella kuqezi do të shndërrohej për të shumë shpejt në një lëkurë të dytë. Grintë, karakter, cilësi prej lideri dhe shumë shumë karizëm, cilësi që mjaftonin që tifozët kuqezi ta bënin menjëherë benjaminin e tyre.
Bashkë me Canën, Brigelin e Dukën, niste në atë kohë një model i ri profesionalizmi që kulmoi këtë verë me përfaqësimin fantastik në “Euro 2016”, dhe profesionalizmi është padyshim një ndër vetitë që karakterizojnë Lorik Canën. Vështirë të gjesh një tjetër futbollist shqiptar që ka përfaqësuar vendin në kampionatet më elitare të Europës, në Francë me PSG e Marseille, aty ku ishte i aftë të komandonte e karikonte në dhomat e zhveshjes njerëz si Nasri apo Ribery, në Angli te Sunderland, në Turqi te Galatasaray e më pas Lazio në Itali, për t’u rikthyer sërish vitin e kaluar te Nantes.
Megjithatë, të jeni të sigurt se djaloshi nga Prishtina, më të mirën e tij e ka dhënë për Kombëtaren kuqezi, zemra e tij ka rrahur më së shumti për të, sa herë na ka mrekulluar sa herë na ka dhuruar besim e siguri me prezencën e tij në fushë, sa herë ka udhëhequr djemtë e Kombëtares drejt misioneve të panumërta, shpirt prej luftëtari dhe një zemër puro shqiptare e aftë të preket e mallëngjehet në maksimum përballë vuajtjeve e peripecive të kombit të tij. Plot 93 ndeshje me Kombëtaren Kuqezi, e pamundur të përshkruash gjithë emocionet që na ka dhuruar Cana, janë të panumërta. Sot, Loriku është një hap larg lamtumirës ndaj Kombëtares, vështirë të gjendet një tjetër si ai, për ngjyrat kuqezi do të mbetet gjithmonë një ikonë, shembulli i shpirtit shqiptar dhe i një njeriu e futbollisti të madh, Faleminderit Kapiten!

Artikulli paraprakKonflikti për pronën e detyron 23-vjeçarin të largohet nga Shqipëria
Artikulli tjetërShkëlqeu në “Euro 2016”, Fenerbahce kërkon Arlind Ajetin