Bizneset u përmbytën nga shkarkimi i rezervuarve

Autoriteti Rrugor u ka kthyer përgjigje bizneseve lidhur me arsyet e përmbytjeve në autostradën Tiranë-Vorë, ku më datën 8 nëntor u dëmtuan mbi 30 biznese.
Si arsye kryesore që shkaktoi përmbytjen masive, ku sipas vlerësimeve paraprake të bizneseve, dëmi ka qenë mbi 10 milionë euro, vlerësohet shkarkimi i ujëmbledhësve të zonës për të shmangur përmbytjet, konkretisht shkarkimi i rezervuarit të Kasharit, liqenit të Gjokës dhe liqenit të Kusit.
Sipas vlerësimit të kompanisë konsulente të kontraktuar nga autoriteti “Pozicioni gjeografik i të tri këtyre ujëmbledhësve është në të majtë të superstradës dhe shkarkimet prej tyre bënë që e gjithë zona poshtë këtyre liqeneve të përmbytet dhe uji të drejtohet në sasi të mëdha në drejtim të autostradës duke bllokuar trafikun dhe duke u penguar nga trafikndarësja”.
Volumi i madh i ujit nuk u përballua nga sistemi i mbledhjes dhe i shkarkimit të superstradës, pasi kanalet dhe tombinot nuk janë llogaritur për këto sasi prurjesh, thuhet më tej në relacionin e hartuar nga firma konsulente.
Gjithashtu, arsye të tjera në relacion thuhet se kanë qenë intensiteti i lartë i reshjeve, si dhe realizimi i kanaleve kulluese jashtë kushteve teknike.
Në përgjigje të bizneseve, Autoriteti Rrugor Shqiptar, shkruan se për zgjidhjen përfundimtare të situatës do të hartohet një projekt i mirëfilltë, ku do të jepen zgjidhjet teknike.
Më herët, kryetari i Bashkisë Vorë, Fiqiri Ismaili, i kontaktuar nga “Monitor”, mohoi të ketë pasur hapje të rezervuarëve, ndërsa nga Bashkia Tiranë bizneseve u kanë thënë se ata nuk i kanë marrë ende në dorëzim rezervuarët.
Një vendim i Këshillit të Ministrave i datës 30 dhjetor 2015 ka urdhëruar transferimin nga Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave tek bashkitë, të infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, të personelit dhe të aseteve të luajtshme e të paluajtshme të bordeve rajonale të kullimit. Liqeni i Kasharit i përket tashmë Bashkisë Tiranë, ndërsa të tjerët Bashkisë Vorë.

Artikulli paraprakQeveria projekt për mbylljen e mediave, OSBE dhe BE heshtin
Artikulli tjetërLeku forcohet ndaj dollarit dhe euros