Leku forcohet ndaj dollarit dhe euros

Mbifurnizimi i tregut me valutë në prag të festave e ka forcuar më tej vlerën e lekut gjatë ditës së djeshme në kursin e këmbimit.
Sipas të dhënave në Bankën e Shqipërisë një lek është këmbyer me 135.57 euro, duke u forcuar me 0.15 pikë në krahasim me një ditë më parë. Monedha vendase u forcua edhe në këmbim me dollarin. Një dollar kushtoi 127.7 lekë me një rënie 0.27 pikë në krahasim me ditën e mëparshme.
Ekspertët e tregut të këmbimeve valutore rreshtojnë dy arsye kryesore për forcimin e lekut.
E para, lidhet me prurjet valutore nga jashtë në prag të festave. Dhjetori është një sezon remitancash për shkak të rikthimit të emigrantëve për të festuar pranë familjeve të tyre. Këto prurje kanë rritur ofertën për valutë e për rrjedhojë edhe vlerën e lekut.
Arsyeja e dytë lidhet me afrimin e datës së pagesës së tatimit mbi fitimin. Shumë biznese i kanë likuiditetet në valutë dhe kur ofrohet data e pagesës së detyrimeve tatimore ato i konvertojnë rezervat e tyre në lekë për të paguar taksat. Kjo sjellje çon në vlerësimin e lekut shpjegojnë ekspertët e këmbimeve valutore.
Monedha vendase forcoi prirjet mbiçmuese këtë vit edhe pse deficiti tregtar i vendit u thellua.
Sipas një analize të Bankës së Shqipërisë tremujori i tretë i vitit është karakterizuar nga mbiçmimi i monedhës vendase kundrejt të gjitha monedhave të partnerëve kryesorë tregtarë.
Megjithatë, ky mbiçmim është shfaqur me ritme më të moderuara se në pjesën e parë të vitit. Mbiçmimi vjetor i lekut në terma nominalë efektivë kulmoi në 4.1% në muajin korrik, nga 3.3% që shënonte mesatarisht në gjysmën e parë të vitit.
Më pas, ky mbiçmim u moderua në 3.1% në muajin gusht dhe në 1.8% në muajin shtator. Ecuria e kursit real ka qenë e ngjashme me atë të kursit nominal. Pasi regjistroi vlerën maksimale prej 5.2% në muajin korrik, mbiçmimi vjetor i indeksit të kursit real efektiv u zbut në 4.3% dhe 2.9% në muajt gusht e shtator.
Teksa shihet se në prag të festave të fundvitit leku ka nisur mbiçmimin ndaj dy valutave kryesore, euros dhe dollarit.

Artikulli paraprakBizneset u përmbytën nga shkarkimi i rezervuarve
Artikulli tjetër“Topi i Artë” është i Ronaldos