Basha: Qeveria tranzitore, e vetmja siguri për zgjedhje të lira

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ritheksoi sot se nuk mund të ketë zgjedhje të lira me Edi Ramën kryeministër. Gjatë një takimi me qytetarë në Krujë, Zoti Basha u shpreh:

“Zgjedhjet nuk janë çështje datash, por standardesh. Dhe beteja për zgjedhje të lira nuk është kauzë partiake, por është betejë e çdo shqiptari. Zgjidhja nuk është ‘ik ti e të vij unë’, por është beteja jetike për Shqipërinë e sotme dhe të nesërme, Shqipërinë e standardeve europiane.”

Sipas tij, zgjidhja e krizës politike është largimi i Edi Ramës si kryeministër dhe formimi i një qeverie tranzitore, si të vetmet siguri për zgjedhje me standarde europiane që do të sigurojnë votim të lirë të qytetarë shqiptarë.

Basha tha se nuk ka asnjë siguri për zgjedhje demokratike për sa kohë Rama është kryeministër dhe ata që janë faktuar me përgjime se kanë blerë e shitur vota në bashkëpunim me krimin e organizuar për Ramën, janë të lirë dhe në pushtet:
“Zgjidhja nis me dënimin e politikanëve të kapur në blerje votash dhe në bashkëpunim me krimin e organizuar për pushtetin dhe pasurinë e tyre.”

Sipas kreut të opozitës, qytetarët e mbështetën sakrificën e opozitës për dorëzimin e mandateve në zgjedhjet e paligjshme të 30 qershorit, ku pjesëmarrja ishte shumë e ulët dhe premtoi se opozita do t’i përgjigjet mesazhit të shqiptarëve për ndryshim. :
“Përtej refuzimit të Edi Ramës, 30 qershori ështe një kushtrim, një kërkesë, një thirrje popullore për ndryshim ekonomik, ndryshim politik, për ti dhënë fund krizës ekonomike, varfërisë, papunësisë, emigracionit që po e zbraz vendin. Kjo kërkesë i drejtohet Partisë Demokratike dhe opozitës së bashkuar.

Vetëm ne kemi forcën, vullnetin, vizionin, dhe, mbi të gjitha, kredon morale për të marrë përsipër ndryshimin e thellë që duan shqiptarët.”

Artikulli paraprakAktorja e madhe Anagnosti reagon për Teatrin: Tokë, o tokë që s’ke të dytë, kush të prek i dalshin sytë
Artikulli tjetërDenoncimi i fortë për Pjerin Ndreun: Kush e përdhunoi 17 vjeçaren dhe i vrau vëllanë?