Bankat dynden tek borxhi i qeverisë

Letrat e borxhit qeveritar, bonot e thesarit 12 dhe 6 mujore vijuan të shiten edhe sot me interes në rënie. Rezultatet e ankandit që u zhvilluan gjatë paradites në Ministrinë e Financave tregojnë se Bonot e Thesarit 12 mujore u shiten kundrejt një interesi 2.14% me nga 2.34 % që u shiten në ankandin e 23 marsit me një rënie prej 0.2 pike përqindje. Rënie më të moderuar patën interesat në bonot 6 mujore. Ato u shiten kundrejt interesit 1.60% nga 1.75% që ishte interesi me 23 mars kur u bë ankandi më i fundit i bonove gjashtëmujore. Rënia interesit në këtë maturim ishte 0.1 pike përqindje.
Sipas të dhënave të detajuara të ankandit bankat ishin më të interesuara për të investuar në bonot 12 mujore, ku ofruan 10.5 miliardë lekë nga 8.7 miliardë lekë që kërkoi qeveria. Ndërsa për bonot 6 mujore oferta me kërkesën kanë qenë në të njëjtën kuotë 3.4 miliardë lekë. Pasi ka pare preferencën e Bankave qeveria ka ndryshuar planin në momentin e fundit. Qeveria kishte planifikuar të  emetonte 4 miliardë lekë bono gjashtëmujore, por e ka ndryshuar planin në momentin e fundit duke e zbritur atë në 3.4 miliardë lekë, diferenca është shtuar në maturimin 1 vjeçar, ku planifikimi u rrit në momenti e fundit në 8.7 miliardë lekë nga 8.2 miliardë që ishte lajmëruar në ankand.
Bankat po shtojnë kërkesën për investime në borxhin qeveritar teksa shihet se po mbajnë të ngrira ritmet e kreditimit. Ecuria normave të interesit për letrat e borxhit qeveritar gjatë vitit të kaluar nuk ka qenë e njëtrajtshme. Yield-et ndoqën një prirje të fortë rënëse në pjesën e parë të vitit dhe prirje rritëse në pjesën e dytë të tij. Krahas politikës monetare lehtësuese, kjo ecuri ka reflektuar dhe dinamikat e kërkesës dhe ofertës për fonde në tregun primar. Panoramë e ngjashme u shfaq edhe tek yield-et e obligacioneve.
Në terma mesatarë, yield-i i bonos 12-mujore është ulur me 1.5 pikë përqindje nga viti i kaluar, ndërkohë që yield-et e instrumenteve afatgjata të borxhit janë ulur me 2.3 pikë përqindje. Kjo dinamikë është reflektuar në zhvendosjen për poshtë të kurbës së yield-eve dhe sheshimin e saj në krahasim me një vit më parë, analizon Banka e Shqipërisë. Pesha e sektorit bankar në mbajtjen e borxhit të qeverisë i është rikthyer rritjes në vitin 2016, pas rënies që kishte nisur vitet e fundit. Të dhënat nga Ministria e financave tregojnë se në vitin 2016 bankat tregtare në vend mbajtën 60.29 për qind të borxhit të brendshëm me një zgjerim prej 2.09 pikë përqindje në krahasim me vitin 2015.

Artikulli paraprakMediat në SHBA: Hetim Ramës dhe Tahirit për lidhjet me krimin
Artikulli tjetërRaporti i “BB” për energjinë, gjysma e familjeve shpenzojnë mbi 10% të të ardhurave