Banka Botërore, gati të ndihmojë Kosovën

Përfaqësuesi i Bankës Botërore për Kosovën, Marco Mantovanelli, gjatë takimit me palët implementuese të projekteve përkatëse që financohen përmes huamarrjes nga Banka Botërore, ka deklaruar se BB-ja ka qenë dhe do të jetë e gatshme që ta ndihmojë Kosovën në fusha të ndryshme, të cilat ndikojnë në zhvillimin e Kosovës. Në këtë takim të udhëhequr nga ministri i Financave, Avdullah Hoti, në prezencën e përfaqësuesit të Bankës Botërore, Marko Mantovaneli, pjesëmarrës ishin edhe përfaqësuesit e institucioneve implementuese të këtyre projekteve. Ministri i Financave, Avdullah Hoti, duke falënderuar përfaqësuesin e Bankës Botërore, Marco Mantovaneli për përkrahjen e vazhdueshme që i kanë dhënë qeverisë së Kosovës në financimin e projekteve në sektorë të ndryshëm, por edhe përkrahje në forma të tjera tha se janë mbledhur për të diskutuar rrjedhën e implementimit të projekteve që kanë me Bankën Botërore, projekteve aktive që kanë me Bankën Botërore, rezultatet e deritanishme për secilin projekt. Sipas një komunikate të MF-së, Hoti ka thënë se takimet e rregullta si ky i djeshmi po ndihmojnë në identifikimin e sfidave dhe tejkalimin e tyre, si dhe adresimin e tyre në institucionet përkatëse për implementimin e projekteve. Projektet e qeverisë së Republikës së Kosovës me Bankën Botërore janë të rëndësisë së veçantë për qytetarët e vendit, pasi që prekin fushat me më së shumti interes për ta. Ndërsa, përfaqësuesi i Bankës Botërore për Kosovën, Marco Mantovanelli gjatë takimit me palët implementuese të projekteve përkatëse që financohen përmes huamarrjes nga Banka Botërore tha se BB ka qenë dhe do të jetë e gatshme që ta ndihmojë Kosovën në fusha të ndryshme, të cilat ndikojnë në zhvillimin e Kosovës. Projektet të cilat janë në implementim e sipër me BB-në. Projekti për eficiencë në energji dhe energji të ripërtërishme në Kosovë (KEEREP), projekti për përforcimin e sektorit financiar dhe infrastrukturën e tregut, projekti për modernizimin e sektorit publik (PSMP), projekti për regjistrimin e pronës së paluajtshme në kadastër (RECAP), bujqësia dhe zhvillimi rural në Kosovë (ARD) P112526, projekti për përmirësim të sistemit të arsimit, si dhe projekti i shëndetësisë.

Artikulli paraprakBSH: Besimi i konsumatorëve ka pësuar rënie
Artikulli tjetërTregu imobiliar, i paqëndrueshëm