Tregu imobiliar, i paqëndrueshëm

Tregu imobiliar në vend ka shënuar një trend rënës me 10% gjatë tremujorit të parë të 2017-ës, krahasuar kjo me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas menaxheres së Zyrës Qendrore të Agjencive Imobiliare në Shqipëri, Eni Muka, kjo rënie vjen si pasojë e krizës dhe paqëndrueshmërisë ekonomike të vendit. Ndërkohë sipas Mukës e kundërta ka ndodhur me kërkesën për apartamente me qira, e cila ka pësuar rritje me 30% krahasuar me tremujorin e parë të 2016-ës pavarësisht rritjes se çmimit të qirasë. “Ka një rënie të kërkesës së apartamenteve, kjo për shkak edhe të krizës ekonomike që po kalon vendi ynë. Kjo rënie nuk është shumë e madhe, vetëm 10%. Kemi një trend në rritje për kërkesat për qira, sidomos nga ana e shtetasve të huaj”, tha Muka. Po çfarë impakti kanë këto agjenci imobiliare në rritjen ekonomike të vendit? Sipas specialistit të ekonomisë Zef Preçi, impakti është pozitiv, por problematik mbetet siguria juridike që u ofrojnë konsumatorëve këto agjenci në Shqipëri, të cilat sipas tij ndikojnë në deformim të konkurrencës në treg. “Vilen disa taksa që ndoshta më parë nuk vileshin dhe njëkohësisht, po të kenë vullnet politik të mjaftueshëm për të përmbushur detyrimet ligjore, agjencitë ligjzbatuese kanë mundësinë të sigurojnë informacion të nevojshëm që mbron interesat e ekonomisë publike dhe garanton sundimin e ligjit”, u shpreh specialisti Preçi. Sipas Mukës, buxheti më i kapshëm për xhepin e qytetarëve në Shqipëri në këtë periudhë kohore është 60 mijë euro, ndërkohë që zona ku janë shitur më shumë apartamente në tremujorin e parë 2017 është ajo e Astirit.

Artikulli paraprakBanka Botërore, gati të ndihmojë Kosovën
Artikulli tjetërShqiptarët vijojnë të kryesojnë listën e azilkërkuesve në Europë