Avokati i Popullit: Minimumi jetik është 16 mijë lekë në muaj

Avokati i Popullit prezantoi dje një studim sipas të cilit minimumi jetik në vend aktualisht është 16 mijë lekë në muaj. Nga kjo shumë më shumë se gjysma shkojnë për shpenzime jo ushqimore dhe pjesa tjetër për ushqimore.
Avokati i Popullit, Igli Totozani shpjegoi se institucioni që drejton, për 5 vite me radhë ka bërë kërkesa dhe rekomandime të vazhdueshme drejtuar qeverive për të shpallur zyrtarisht minimumin jetik, por asgjë nuk është realizuar konkretisht. Në këto kushte, Avokati i Popullit përmes një procesi konkurrues kontraktoi Qendrën shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER) për realizimin e studimit: “Llogaritja e Minimumit Jetik – Nga minimumi jetik si mbijetesë drejt një standardi jetese të arsyeshme”.
Në legjislacionin shqiptar ende mungon një dispozitë e posaçme kushtuar minimumit jetik si për përkufizimin ligjor të tij, ashtu edhe për detyrimin ligjor për llogaritjen e tij. Përcaktimi i parë i rëndësishëm i minimumit jetik në Shqipëri u evidentua në Kodin e Punës së vitit 1995, por me amendimet që i janë bërë në vitet në vijim, koncepti i minimumit jetik është hequr. Në Shqipëri, niveli i pensioneve është i vendosur me ligj, ndërsa niveli i pagës minimale, madhësia në vlerë e ndihmës ekonomike, pagesës së papunësisë dhe pagesës së paaftësisë përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Asnjëri prej këtyre treguesve të varfërisë nuk bazohet drejtpërdrejt në treguesit e minimumit jetik, madje rezultojnë më të ulët krahasuar me këtë minimum jetik të përllogaritur.
Duke ju referuar studimit “Llogaritja e Minimumit Jetik – Nga minimumi jetik si mbijetesë drejt një standardi jetese të arsyeshme”, Avokati i Popullit z. igli Totozani theksoi se:
“Metoda e përdorur në këtë studim është ajo e varfërisë absolute. Minimumi jetik është përllogaritur mbi bazën e shportës ushqimore. Nga përllogaritjet e kryera minimumi jetik për frymë në vitin 2015 rezulton të jetë përafërsisht 16.000 lekë në muaj (7,089 lekë në muaj për shpenzimet ushqimore dhe 8,913 lekë në muaj për shpenzimet jo ushqimore).
Në ndryshim nga studimet e tjera mbi nivelin e minimumit jetik vlera e përcaktuar nga ky studim merr në konsideratë edhe aspekte sociale dhe tendencat e konsumit në vendin tonë. Vlera e minimumit jetik përbën edhe bazën mbi të cilën duhet të llogariten pagat, pensionet sociale, ndihma ekonomike, pagesa e paaftësisë dhe pagesa e papunësisë, kuptohet duke bërë dhe rregullimet e nevojshme në lidhje me numrin e pjesëtarëve të familjes, numrin e të punësuarve prej tyre, pjesëtarët mbi dhe nën moshën e punës, asetet që zotëron familja etj. Minimumi jetik i llogaritur prej 16,000 lekë në muaj për frymë në Shqipëri vërehet se luhatet përafërsisht në të njëjtat nivele me vendet e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht me Serbinë dhe Maqedoninë. Kjo ngjashmëri me vendet e rajonit rrit kredibilitetin e vlerës së përllogaritur nga ky studim.
Me qëllim për t’i siguruar individëve një jetesë me dinjitet do të ishte e nevojshme ngritja mbi konceptin e nivelit të minimumit jetik në atë të një standardi jetese të arsyeshëm. Standard jetese i arsyeshëm konsiderohet ai që plotëson nevojat fizike, psikologjike dhe sociale të një personi. Kjo nuk do të thotë që shteti duhet t’i garantojë çdo personi një nivel luksi, por as nuk nënkupton se një person duhet të jetojë vetëm në nivelin e mbijetesës. E drejta për një standard jetese të përshtatshëm njihet si një e drejtë njerëzore edhe në instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe nënkupton nevojën për të vendosur një të drejtë minimale për ushqim, veshje dhe strehim në nivelin e duhur. Prandaj është i rëndësishëm identifikimi i të gjithë ndërhyrjeve dhe politikave sociale për kalimin nga nevoja e përcaktimit të minimumit jetik në atë të një standardi jetese të arsyeshme në mënyrë të pajtueshme me dinjitetin njerëzor.
Nga analiza krahasimore mes nivelit të minimumit jetik me atë të pagës minimale, pensionit minimal dhe atij social, ndihmës ekonomike, pagesës së papunësisë dhe pagesës së paaftësisë në vend evidentohet lehtësisht se këto pagesa janë nën kufirin e minimumit jetik. Për këtë arsye rekomandohet që në vitet që vijnë në përputhje me mundësitë që do t’i krijohen buxhetit të shtetit, të gjithë treguesit e përmendur të kenë prirje përafrimi deri në përputhjen e plotë me vlerën e minimumit jetik me synim për t’i ofruar individëve përfitues të pagesave sociale një jetesë me dinjitet.
Pas publikimit të këtij studimi mbi përllogaritjen e nivelit të minimumit jetik në Shqipëri, Avokati i Popullit do të hartojë disa rekomandime mjaft të rëndësishme për qeverinë dhe strukturat përgjegjëse të administratës.

Artikulli paraprakKroacia, linjë ajrore dhe traget me Shqipërinë
Artikulli tjetërBeqaj thirret në Komisionin për 5 milionë eurot e tjera për Vilmën