Armiqtë për të cilët turma ka nevojë të ekzistojnë

Nga Namir Lapardhaja

Zakonisht, një pjesë e shoqërisë sonë ka funksionuar si një turmë, tek e cila ka mbizotëruar instikti dhe jo arsyeja, tek e cila më shumë vlerë ka pasur gënjeshtra se sa e vërteta, tek e cila argumenti nuk është dëgjuar, sepse veshët janë zënë nga zhurma e ulërimave dhe sytë nga konspiracioni.

Fatkeqësisht, një kontribut të madh për të mbajtur këtë gjendje, ka dhënë politika, kryesisht politikanët e tranzicionit, të cilët përherë kanë krijuar nga një armik për të justifikuar dështimet e tyre politike.

Rama dje portretizonte një armik që vinte si pasojë e sistemit që korruptonte, Berisha ka profilizuar një Bashë të zi, tek i cili janë mishëruar të gjithë të këqiat dhe, për momentin, Ilir Meta i është vënë “me bukë në trastë” Altin Dumanit, duke e sendërtuar një figurë të denjë për armik të turmës.

Rama, Berisha dhe Meta, e kanë ditur mrekullisht se si funksionon turma e militantëve, e cila merr kuptim brenda një konteksti të caktuar, ku nuk dëgjon asgjë përveç borive të propagandës, që tregohet e kujdeshme për ta mbajtur atë nën kontroll.

Duke qenë se u ka mbaruar koha politike, secili prej këtyre politikanëve, në kohë të ndryshme, ka pasur nevojë për të ndërtuar një armik në dispoziion dhe për ta “ujitur” përditë nga burimi i llumit dhe i baltës.

Sigurisht që Rama sot është në kushte më “komode”, për shkak të gjendjes ku ndodhet opozita dhe PD si pasojë e shpalljes së Berishës “non grata”, por mishërim më perfekt të këtij projektimi të armikut për të cilin turma ka shumë nevojë gjendjet mjeshtërisht te ligjërimi i përditshëm i Metës dhe i Berishës.

Në dallim nga kjo treshe, Lulzim Basha është treguar më i kujdesshëm dhe më shumë se sa turmës, ai është kujdesur t’i flasë individit, më shumë se sa retorikës, ai është kujdesur për t’i folur arsyes, më shumë se sa zhurmës, ai i ka dhënë vlerë fjalëve dhe arsyes.

Nëse ky model, do jetë i suksesshëm, kjo ngelet për t’u parë, por kjo meritë, të paktën, duhet t’i njihet. Ai asnjëherë nuk u kujdes për të prekur “sedrën” e turmave dhe të asaj që militantët, qoftë edhe mbështetës të tij, presin, duke qenë thellësisht i kujdesshëm dhe i kuruar në ligjërimin e tij, për të thënë vetëm gjëra esenciale dhe për të mos hedhur kova me baltë ndaj kundërshtarëve, por duke folur me fakte dhe duke qenë përherë i arsyeshëm.

Politika në përgjithësi i ka fshehur dështimet e saj, duke ia vënë përherë armikut në dispozicion fajin, mirëpo koha është një gjykatës i rreptë dhe herët a vonë ajo i zbulon të vërtetat që nëse do shihen me syrin e arsyes, nuk është e vështirë për t’u dalluar.

Artikulli paraprakHistoriani Butka: Kush mban përgjegjësi për màsakrēn e Tivarit?
Artikulli tjetërPërfaqësuesja e Ukrainës në KiE falënderon Lulzim Bashën: Mirënjohje për këtë rezolutë të rëndësishme