Tenderat, institucionet dhanë 80 milionë dollarë në tavolinë

Institucionet në vend dhanë gjatë vitit 2016 rreth 80 milionë dollarë për tendera që u negociuan pa shpallje paraprake dhe jo përmes procedurës elektronike. Është kjo shifra e dhënë në raportin vjetor të Agjencisë së Prokurimit Publik. Kjo shifër është e barabartë me atë të një viti më parë. Në numër pocedurash, prokurimet me negocim kapin shifrën 2186. Sipas analizës së bërë nga agjencia thuhet se rreth 25% e procedurave me negociim pa shpallje paraprake të njoftimit të zhvilluara gjatë periudhës prill-dhjetor 2016 kanë të bëjnë me shtesa kontratash dhe nuk janë procedura të reja, por janë të lidhura me një procedurë konkurruese të zhvilluar më parë duke rritur artificialisht numrin. Por cilat janë të dhënat e tjera të raportit lidhur me prokurimet e përgjithshme? Në total janë prokuruar 108 miliardë lekë, por fondi limit i procedurave të fituara është 95 miliardë lekë. Një ndër elementët që bie në sy është edhe ai për blerjet e vogla deri në 200 mijë lekë. Nga të dhënat rezulton se në krahasim me vitin 2015 ku janë zhvilluar gjithsej 19 828 procedura prokurimi me vlerë të vogël, gjatë vitit 2016 ka pasur një rënie të numrit të tyre me 17 010 procedura gjithsej të përfunduara me njoftim fituesi. Ndërkohë, e njëjta tendencë vihet re edhe po të krahasojmë vlerat, fondi i prokuruar me këtë lloj procedure gjatë vitit 2016 ishte 7,535,592,143, kurse në vitin 2015, 10 miliardë lekë. Nga ana e tij, vetë Komisioni i Prokurimit Publik deklaron se, numri i tenderave të kontestuar shënoi një rritje të ndjeshme gjatë vitit të kaluar, duke sinjalizuar se, institucionet publike kanë rritur dozën e abuzimeve financiare. “Gjatë periudhës 1 janar 2016–31 dhjetor 2016, janë regjistruar dhe marrë në shqyrtim pranë Komisionit të Prokurimit Publik 1,393 ankesa në total, për prokurimet publike, koncesionet, lejet minerare dhe ankandet ose 19.4 për qind më shumë se një vit më parë”, deklaroi KPP në raportin vjetor të vitit 2016. Por rritja e numrit të ankesave nuk është treguesi i vetëm, i cili dëshmon se abuzimet me paratë e taksapaguesve janë rritur. Një tjetër indikator shqetësues është edhe pjesa e tenderave, koncesioneve apo ankandeve që konstatohen me shkelje. Sipas KPP, gjatë vitit që shkoi, nga 1393 ankesat e shqyrtuara rezultoi se vetëm 40 për qind ishin tendera të rregull, ndërsa 60 për qind e tyre kishin shkelje serioze të ligjit, duke çuar në deformimin e rezultatit, por edhe rritjen e kostove për qytetarët. Gjatë kryerjes së veprimtarisë së tij, Komisioni i Prokurimit Publik për vitin 2016, në shumë raste ka konstatuar paligjshmëri në veprimet apo mosveprimet e autoriteteve kontraktore dhe për rrjedhojë ka vendosur anulimin plotësisht ose pjesërisht të tenderave. Në një pjesë të rasteve për këto shkelje, Komisioni ka kërkuar edhe nisjen e hetimit administrativ nga ana e Agjencisë së Prokurimit Publik. Sipas raportit në 11 për qind të tenderave janë shkelur procedurat ligjore. Për këto raste, Komisioni ka kërkuar anulimin e tenderit apo ankandit. Për 41 për qind të rasteve, Komisioni i Prokurimit ka kërkuar nga autoriteti kontraktor të bëjë rivlerësimin e procedurës për shkak të shkeljeve në vlerësim, por edhe gjatë hartimit të tenderit.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërPolicia dhunë ndaj protestuesve kundër impiantit të plehrave në Fier