369 milionë euro më pak investime të huaja nga viti 2010

Mbizotërimi i një klime jostabël politike në vend ka bërë që Kosova t’i humbë 369 milionë euro investime të huaja nga viti 2010 deri më sot. Madje, shteti i Kosovës ka edhe një prej përqindjeve më të ulëta në rajon sa i përket krijimit të vendeve të reja të punës në katër vjetët e fundit.
Kosova ka shënuar rënie drastike të investimeve të huaja prej 35 për qind nga viti 2010 deri më tani. Nëse e përkthejmë në euro, Kosova ka humbur jo më pak se 369 milionë euro të investimeve kapitale.
Madje Kosova qëndron më së keqi në rajon edhe sa i përket krijimit të vendeve të reja të punës. Nga 400 mijë vende të reja të punës, Kosova në pesë vjetët e fundit ka krijuar rreth 50 mijë vende. E, këto shifra jo të mira për vendin kanë ndodhur pikërisht për shkak të jostabilitetit politik në vend. Kështu thuhet në raportin vjetor të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, të prezantuar në Dubrovnik ditë më parë. Sekretari gjeneral i kësaj organizate, Goran Svilanoviç, i ka thënë gazetës “Zëri” se stabiliteti është i nevojshëm për t’i dhënë hapësirë qeverisë, e cila zgjidhet për të treguar se çfarë mund të bëjnë.

369 milionë euro rënie të investimeve për 7 vjet

Sipas raportit të Këshillit Rajonal për Bashkëpunim (RCC), që u prezantua në Dubrovnik të Kroacisë, nga viti 2010 në Kosovë ka një rënie drastike të investimeve të huaja, edhe atë prej 35 për qind, apo një humbje investimesh prej rreth 369 milionë euro. Korrupsioni dhe krimi i organizuar mbeten sfidat kryesore të shteteve të Ballkanit e që po ndikojnë keq qoftë në krijimin e vendeve të reja të punës apo edhe në investimet e huaja.
Kosova pikërisht në këto dy sfida po qëndron më së keqi në rajon. Goran Svilanoviç, sekretar gjeneral i Këshillit Rajonal për Bashkëpunim (RCC), në një prononcim për gazetën “Zëri” ka thënë se Kosova ka krijuar diçka më shumë se 50 mijë vende të reja të punës në pesë vjetët e fundit. Sipas raportit të RCC-së, që u prezantua në Dubrovnik, përmendet edhe një progres që ka shënuar Kosova nga viti 2015, kur kishte krijuar 9.929 ndërmarrje. Më 2016-n janë krijuar 10.445 ndërmarrje. “Sinqerisht, përgjigjja ime e drejtpërdrejtë dhe e sinqertë sa i përket arsyes për rënien e investimeve të huaja në Kosovë është mungesa e stabilitetit politik. Nuk po them se qeveria është e mirë apo e keqe. Të gjithë mund t’i kemi perceptimet tona rreth qeverisë suaj apo sonës, mirëpo stabiliteti është i nevojshëm për t’i dhënë hapësirë qeverisë, e cila zgjidhet për të treguar se çfarë mund të bëjnë. Për këtë atyre u duhet një atmosferë stabël politike që të mund t’i nxjerrin ligjet e nevojshme dhe t’i performojnë aktivitet e duhura”, ka thënë Svilanoviç për gazetën “Zëri”.

Artikulli paraprakPolicia tek presionet dhe blerja e votës
Artikulli tjetërTë gjitha tenderat në duart e Ramës