Të gjitha tenderat në duart e Ramës

Në mënyrë të papritur dhe pa dhënë shpjegime për arsyet, Këshilli i Ministrave urdhëroi “pezullimin e përkohshëm të procedurave të prokurimit për vitin 2017”. Vendimi i datës 5 korrik i publikuar në Fletoren Zyrtare “hyn në fuqi menjëherë” dhe lejon vetëm prokurimet me vlerë të vogël. Prokurimet me vlerë të vogël janë blerjet e mallrave apo shërbimeve nga një institucion publik me vlerë jo më të madhe se sa 800 mijë lekë brenda një viti kalendarik. Qeveria aktuale përbëhet nga ministra të Partisë Socialiste, të Lëvizjes Socialiste për Integrim, si dhe nga disa ministra të mbiquajtur “teknikë” të propozuar nga Partia Demokratike. Zgjedhjet e 25 qershorit i dhanë Partisë Socialiste shumicën e thjeshtë të Parlamentit, gjë që do të thotë se qeveria e ardhshme nuk do të përbëhet nga disa parti, por vetëm nga Partia Socialiste. Megjithatë, për shkak të një anomalie kushtetuese të krijuara nga zgjedhjet e vitit 2001, Ramës do t’i duhet të presë së paku deri më 9 shtatorin e ardhshëm ose dy muaj e gjysmë pas zgjedhjeve, që të mund të shkarkojë ministrat e LSI dhe ato teknikë dhe të emërojë ministra të vetët.
Vendimi lejon që tenderat të kryhen vetëm në rast urgjence dhe vetëm me lejen e kryeministrit. Këshilli i Ministrave nuk iu përgjigj pyetjeve të “BIRN” për arsyet se pse Këshilli i Ministrave vendosi të ndërmarrë një akt të tillë, ndërkohë që baza ligjore për një vendim të tillë është e dyshimtë. Shpenzimet buxhetore në Shqipëri autorizohen me ligj të miratuar në Kuvendin e Shqipërisë dhe normalisht Këshilli i Ministrave nuk mundet të dalë mbi një ligj të miratuar në Kuvend pa e ndryshuar më parë këtë ligj. Ndonëse qeveria nuk jep arsyet e një mase të tillë, mediat e ndryshme e kanë argumentuar vendimin si përpjekje për të ndaluar ministrat teknikë apo ata të LSI-së të kryejnë tendera deri në ndryshimin e qeverisë me supozimin se këto ministra do të kryejnë abuzime në pritje të largimit nga detyra.
Kushtetuta e vitit 1998 supozonte që zgjedhjet të zhvilloheshin disa javë para mbarimit të mandatit të Kuvendit dhe Kuvendi i ri të mblidhej vetëm pak ditë pas mbarimit të zgjedhjeve. Por zgjedhjet e vitit 2001, për shkak të manipulimeve dhe parregullsive të shumta, nuk përfunduan dot siç parashikonte Kushtetuta. Zgjedhjet e vitit 2001 u programuan për datën 24 qershor, ndërsa mandati i Kuvendit të mëparshëm përfundonte në datën 23 korrik 2001. Problemi qe që zgjedhjet vijuan deri më 16 gusht, ndërsa ankimimet e shumta e shtynë shpalljen e rezultatit deri në shtator. Për rrjedhojë, parlamentet e mëvona e patën mandatin të nisur më 9 shtator dhe të mbyllur në të njëjtën datë të katër viteve më vonë, ndërkohë që zgjedhjet vijuan të zhvillohen rreth dy muaj e gjysmë para mbarimit të mandatit të Kuvendit. Hendeku mes zgjedhjeve dhe mbarimit të mandatit krijoi gjithfarëlloj parregullsish. Në vitin 2005, qeveria e re e Partisë Demokratike, akuzoi qeverinë paraardhëse se kishte keqmenaxhuar kaskadën e lumit Drin në periudhën nga humbja e zgjedhjeve deri te dorëzimi i pushtetit duke e zhytur vendin në një krizë të thellë elektroenergjetike. Në vitin 2013, qeveria e re e socialistëve akuzoi qeverinë paraardhëse se kishte keqmenaxhuar financat e shtetit duke mos mbledhur taksat dhe duke kontraktuar shpenzime të pambuluara me të ardhura, duke krijuar një borxh të padeklaruar prej qindra milionë eurosh.
Situata aktuale është e paprecedentë, pasi dy nga tre partitë që aktualisht kanë një rol në qeverisjen e vendit pritet të jenë në opozitë, por të qenit opozitë do të fillojë formalisht më 9 shtatorin e ardhshëm dhe deri në atë kohë, ministrat e PD dhe LSI do të jenë efektivisht edhe në qeveri edhe në opozitë. Vendimi pritet të ketë pasoja negative në ekonominë e vendit, e cila sakaq ka vuajtur nga disa vite mosqeverisje, gjatë të cilave, ministrat e PS dhe LSI duket se sabotuan njëri-tjerin duke lënë shpenzimet publike të pakryera dhe punët publike të parealizuara. Për periudhën janar-maj, buxheti i shtetit pati një suficit prej 6.3 miliardë lekësh, ndërsa kishte planifikuar një deficit prej 4.3 miliardë lekësh, para që në një situatë normale do të kishin ndihmuar në rritjen ekonomike të vendit ndërsa në këtë situatë anormale po penalizojnë ekonominë dhe po lënë pa kryer punët publike të programuara. Suficiti buxhetor ka gjasa do të rritet më tej për shkak të këtij urdhri.

Artikulli paraprak369 milionë euro më pak investime të huaja nga viti 2010
Artikulli tjetërSHBA: Qytetarët përgjegjës që votojnë të korruptuarit