Verrati “largon” Interin: Do të qëndroj tek PSG

Marco Verrati nuk e mendon largimin nga Paris Saint Germain. Mesfushori italian i kampionëve të Francës, që gjatë ditëve të fundit është përfshirë në një situatë të tensionuar, bën me dije se në mendjen e tij qëndron vetëm ekipi parisien. I përfshirë në një debat me trajnerin Unai Emery pas zëvendësimit në ndeshjen kundër Marseille, tifozët dhe mediat e kritikuan ashpër, gjë që ngjalli interesimin e Interit dhe Juventusit. Ish-lojtari i Sassuolos vlerësohet me rreth 60 milionë euro nga klubi francez, por kjo është një shifër e ekzagjeruar për klubet italiane që kërkojnë edhe bashkëpunimin e lojtarit.
Gjithsesi, vetë mesfushori italian kërkon të mbyllë polemikat duke sqaruar mosmarrëveshjet me trajnerin. “Është thënë që isha zemëruar me trajnerin tim sepse nuk dëshiroja të largohesha. Nuk është e vërtetë. Isha i zemëruar me veten time sepse doja të ndihmoja skuadrën”, thekson 23-vjeçari i lindur në Pescara. Një deklaratë që detyron Interin të bëjë një hap pas sepse për të larguar mesfushorin nga Franca do të jetë shumë e vështirë. Ai nënvizon gjithashtu se shtypi kërkon të krijojë polemika të kota. Ai i “tërheq veshin” edhe agjentit të tij, Donato di Campli, i cili njoftoi lamtumirën e mundshme nga Paris Saint Germain. “Edhe agjenti im e teproi kur tha se unë mund të largohesha. Nuk jam këtu për të bindur gazetarët, por për të dhënë maksimumin. E dua klubin dhe më pëlqejnë shokët e skuadrës, për këtë mund të pyesni këdo”, përfundon intervistën 23-vjeçari.

Artikulli paraprakManchester United, Valencia mungon 6 javë
Artikulli tjetërShkarkohet De Boer