Ujërat e zeza pushtojnë detin e Sarandës, tmerrohen pushuesit

Pas Ksamilit, edhe Saranda pushtohet nga shpërthimi i ujërave të zeza, çka ka sjellë largimin e pushuesve të tmerruar nga ndotja masive e detit. Dëmtimi i një tubacioni në një nga zonat më të populluara të plazheve të Sarandës, pranë Hotel Butrinit ka bërë që brenda fare pak minutash deti të ndryshonte tërësisht ngjyrë duke u ndotur nga vërshimi i ujërave të zeza. Kjo situatë ka tmerruar pushuesit, të cilët në mënyrë urgjente janë larguar nga plazhi duke e braktisur atë. Përhapja e ujërave të zeza në ujin e detit ka ndodhur me shpejtësi, duke bërë që e gjithë pamja të marrë ngjyrën e ujit të turbullt e të ndotur. Gjatë paradites së djeshme, plazhi i Sarandës, në afërsi të Kanalit të Çukës është ndotur nga ujërat e zeza. Shkak është bërë dëmtimi i një tubacioni, megjithëse ende nuk ka të dhëna ekzakte se çfarë ka ndodhur. Për pasojë plazhi është braktisur nga pushuesit, ndërsa ndërhyrja e Bashkisë për riparimin e tubacionit ka shkaktuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve. Pushuesit në Sarandë kanë braktisur këtë të hënë plazhin si pasojë e ndotjes nga ujërat e zeza. Shkak është bërë dëmtimi i një tubacioni në afërsi të Kanalit të Çukës rreth mesditës së të hënës. Rezulton se shkak për shpërthimin e ujërave të zeza është bërë cilësia e dobët e tubacioneve, ndërsa në zonën e ndotur të plazhit aktualisht nuk janë paraqitur përfaqësues të institucioneve të shëndetësisë apo mjedisit për të monitoruar situatën nga afër. Kjo është hera e dytë brenda pak javësh që bregdeti i Sarandës ndotet nga ujërat e zeza. E njëjta situatë tmerroi dhe largoi nga plazhi pushuesit e Ksamilit. Edhe atje, shpërthimi i ujërave të zeza vërshoi me shpejtësi mbi shezlongët e pushuesve duke përfunduar në det. Asnjë përgjegjësi nuk u mbajt për situatën në fjalë e madje asnjë ndjesë publike ndaj pushuesve që kishin zgjedhur këtë plazh për të kaluar pushimet e tyre.

Artikulli paraprakVlerësimi për bregdetin shqiptar shënon rënie
Artikulli tjetërBE stopon investimet e mëdha kineze në Europë