Tragjedi në familjen shqiptare, djali vdes në aksident ditën e lindjes

Një 16-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në një aksident tragjik pasditen e djeshme në Itali. Aurelio Hasaj, i cili dje festonte ditëlindjen, është aksidentuar në Komunën e Milazzos, në Messina, teksa udhëtonte me një skuter së bashku me një vajzë.
Siç raportojnë mediat lokale, aksidenti ka ndodhur rreth orës 17:00, kur motori me të cilin lëviznin dy bashkëmoshatarët u përplas me një shtyllë. Si pasojë e përplasjes 16-vjeçari mbeti i plagosur rëndë, pasi u rrëzua me forcë në asfalt, ndërsa vajza me inicialet P.G, ka pësuar lëndime të lehta dhe raportohet se është jashtë rrezikut për jetën.
16-vjeçari shqiptar u transportua me urgjencë në spital dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në kokë, por humbi jetën gjatë operacionit. Sakaq, policia po heton shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.
Akoma edhe më tragjike për familjarët, miqtë, edhe shokët, është humbja e njeriut të tyre të dashur në ditën e lindjes. Aurelio ishte i njohur në qytet, edhe për shkak se ishte pjesë e “Shoqatës së të rinjve”.

Artikulli paraprakKushtetuesja le në burg përjetë Indrit Doklen
Artikulli tjetërSërish drogë nga Shqipëria në Itali, arrestohet i riu shqiptar