Sërish drogë nga Shqipëria në Itali, arrestohet i riu shqiptar

Në Bari të Italisë është sekuestruar sasia e radhës e drogës që vinte nga Shqipëria. Siç raportojnë sot mediat lokale, 25 kg drogë është sekuestruar në Portin e Barit, nga “Guardia di Finanza” dhe një shqiptar është arrestuar. Lënda narkotike ishte fshehur në një kamion që drejtohej nga 27-vjeçari shqiptar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur. Ai është vënë në pranga për trafik ndërkombëtar droge.
Ndërkohë, dy shqiptarë kanë rënë në pranga në Itali, pasi u kapën me 1 kg kokainë. Mediat italiane shkruajnë se shqiptarët, 34 dhe 40 vjeç jetonin në Bolzano. ‘Ansa’ raporton se një pjesë e lëndës narkotike u gjet në një automjet dhe pjesa tjetër në apartamentin ku jetonin dy të arrestuarit.
Shqiptarët, identiteti i të cilëve nuk dihet, ishin vënë në përgjim, ndërsa u prangosën pas lëvizjeve të dyshimta që bëheshin në apartamentin e tyre. Tashmë ata ndodhen në paraburgim në Bolzano, në pritje të caktimit të masës së sigurisë.
Një ditë më parë u sekuestruan 655 kg drogë nga policia italiane, ndërsa vinte nga Shqipëria. Mediat vendase shkruajnë se, marijuana “vazhdon të derdhet në sasi të madhe në brigjet e Brindisit, madje edhe kur kushtet e motit nuk janë ideale për qarkullimin e anijeve”.
“Marijuana me prejardhje nga Shqipëria vazhdon të vërshojë me sasi të mëdha drejt brigjeve të Brindizit, edhe kur kushtet atmosferike, siç është rasti për disa ditë më parë, nuk janë ideale për kalimin e një gomoneje (ose motoskafi). Sekuestrimi i fundit i rëndësishëm është bërë natën vonë të datës 15 mars, në rrethinat e Savelletri-t, marina e Fasano-s, nga karabinierët e Fasano-s nën komandën e kapitenit Pierpaolo Pinnelli”, shkruan “Brindisi.it”.

Artikulli paraprakTragjedi në familjen shqiptare, djali vdes në aksident ditën e lindjes
Artikulli tjetërTri denoncime, banda e Rroshit po shkatërron plazhin e Golemit