Kushtetuesja le në burg përjetë Indrit Doklen

Gjykata Kushtetuese vendosi dje të rrëzojë kërkesën e Endrit Dokles, i konsideruar si drejtues i një prej fraksioneve të “Bandës së Durrësit”, pas vrasjes së Klodian Saliut. Endrit Dokle kërkonte shfuqizimin si antikushtetues të vendimit të Gjykatës së Lartë dhe kthimin e çështjes për rigjykim, duke pretenduar se në procesin ndaj tij ishin kryer shkelje të shumta proceduriale.
Ai argumentonte më tej, se Gjykata Supreme kishte refuzuar padrejtësisht shumë kërkesa të tij, që i konsideronte të ligjshme dhe që ndryshonin tërësisht thelbin e çështjes.
Kushtetuesja, pasi mori në shqyrtim kërkesën e të dënuarit me burgim të përjetshëm, vendosi të rrëzojë kërkesën, duke arsyetuar se vendimi i Gjykatës së Lartë, nuk është marrë në shkelje të rënda të procedurës sikurse pretendohej. Vendimi është duke u redaktuar dhe pritet që brenda pak ditësh Gjykata Kushtetuese ta publikojë atë.
Endrit Dokle është dënuar me burgim të përjetshëm për krime të rënda të kryera në kuadër të të ashtuquajturës Banda e Durrësit. Ai ka drejtuar një prej fraksioneve të bandës dhe me Lulzim Berishën, njeriun që sipas Prokurorisë e krijoi atë, pati një armiqësi të hapur për vite me radhë, madje tentoi edhe ekzekutimin e tij.
Dokle është i vetmi nga anëtarët e Bandës së Durrësit i dënuar përjetësisht. Ndërkohë, Lulzim Berisha i konsideruar si “truri” i bandës, është liruar pak kohë më parë pas presionit të Ramës dhe lëshimit të një dokumenti nga kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.

Artikulli paraprakVeliaj i jep edhe 2.7 miliardë lekë mikut të Edi Ramës
Artikulli tjetërTragjedi në familjen shqiptare, djali vdes në aksident ditën e lindjes