A do të ekstradohet Tahiri në Itali?

Prokuroria e Katanias ka nisur procedimin penal ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Bëhet e ditur se, procedimi penal nga Prokuroria e Katanias ka nisur më datën 27 tetor. Në datë 27 tetor 2017 Prokuroria e Katanias ka regjistruar procedimin penal në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Fiks 10 ditë pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda kishte regjistruar procedimin nr. 431 në ngarkim të Tahirit në Tiranë më 17 tetor 2017 nisur nga artikujt në median italiane dhe shqiptare. Procedimi në Itali është bërë pas kërkesës së Prokurorisë. Ish-ministri Tahiri paraqiti një dokument të falsifikuar nga Prokuroria e Katanias, se ndaj tij nuk kishte procedim penal. Një javë më pas Prokuroria italiane regjistroi procedimin ndaj tij.

Pse Italia nisi hetimet më 27 tetor

Pala italiane ka regjistruar procedimin penal ndaj Tahirit vetëm 7 ditë pasi Komisioni i Mandateve në Parlament refuzoi të zbatojë urdhërin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të cilët kërkonin arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm. Më 20 tetor, Prokuroria e Krimeve të Rënda argumentoi në mbledhjen e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit kërkesën e heqjes së mandatit dhe arrestimin e deputetit të PS, Saimir Tahiri.
Prokurorët e çështjes deklaruan në mbledhjen e këtij Këshilli se, ka dyshime të arsyeshme se ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, ka kryer veprën penale “Trafikimi i narkotikëve, kryer në bashkëpunim, në formë të posaçme të grupit të strukturuar kriminal”, si dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”. Prokurorët paraqitën si prova përgjimet e Prokurorisë së Katanias të bandës së Habilajve, ku emri i Saimir Tahirit dhe disa personave të tjerë.
Megjithë provat e paraqitura nga Prokuroria, në thyerje të të gjitha proceduarve ligjore, PS në Parlament vendosi të mos e dorëzojë Tahirin. Pikërisht, duke parë se qeveria dhe mazhoranca nuk kishin një vullnet politik për të hetuar trafikun e drogës së Habiljave me mbështetjen e ish-ministrit të Brendshëm ka hyrë në veprim Prokuroria italiane, e cila ka regjistruar procedim penal ndaj Tahirit.

Çdo të thotë një procedim penal në Itali?

Nisja e hetimeve nga pala italiane për rastin Tahiri nënkupton një investigim ligjor të plotë për lidhjet e Tahirit me bandën e Habiljave për trafikun e drogës dhe armëve, duke anashkaluar Shqipërinë. Kjo do të thotë që Tahiri do të duhet që të përgjigjet edhe në Itali për trafikun e drogës dhe të armëve meqenëse në Shqipëri Rama i ka dhënë imunitet nga Drejtëisa. Ajo që po diskutohet është nëse Tahiri do të ekstradohet drejt Italisë në rast se do të rezultojë fajtor? Burimet saktësojnë se prej disa javësh avokatët e Tahirit, edhe në Itali, po përpiqen të negociojnë përmes mënyrave ligjore që ish-ministri i Brendshëm të mos ekstradohet drejt Italisë, por vendi ku do të duhet të kryejë dënimin të jetë Shqipëria. Ndërsa janari pritet të jetë koha kur Tahiri nuk do të mundet dot t’i shpëtojë verdiktit të Drejtësisë, pikëpyetja është nëse qelia e tij do të jetë në Itali apo në Shqipëri?

Çfarë thoshte Tahiri më 24 tetor

Saimir Tahiri më 24 tetor doli në një konferencë për shtyp dhe nxorri një dokument të cilin e sillte si provë se nuk po hetohej nga Prokuroria e Katanias. Tahiri u shpreh se i kishte nisur kërkesë italianëve për t’u informuar nëse ishte në hetim për akuzat si i përfshirë në trafik droge apo jo, dhe shtoi që përgjigjen e kishte marrë për 48 orë.
Por, sot Top Channel tregoi se si kishte kontaktuar 3 avokatë profesionistë italinë dhe i kishte pyetur për vërtetësinë e këtij dokumenti. Sipas të treve, dokumenti nuk mund të jetë origjinal pasi i mungojnë disa shenja identifikuese, si psh. stema e republikës apo barkodi.
1 muaj e gjysëm më parë kur tundte dokumentin para kamerave, Tahiri luante rolin e viktimës kur thoshte se si ka mundësi që Prokuroria e Katanias nuk ka asnjë detaj që të nisë procedimin penal ndaj tij, ndërsa Prokuroria jonë për 48 orë kërkoi arrestimin e tij. “Prokuroria e Katanias nuk ka gjetur asnjë detaj që të nisë një procedim penal ndaj meje, por si ka mundësi që prokuroria jonë, me letra, brenda 48 orëve kërkoi arrestimin tim?”
Ish-ministri i Brendshëm mohonte se ishte ai “Saimiri” që përmendej në përgjimet e Moisi Habilajt. “Aty flitet për një Saimir që ka kamiona. Unë nuk mund të isha edhe bosi edhe shoferi i bandës” është shprehur Saimir Tahiri më 24 tetor.

Arben SHAHINI

Artikulli paraprakFalsifikimi i dokumentit nga Tahiri, krim i rëndë në Itali
Artikulli tjetërDarëzezë, ujërat e Vjosës ende në tokat bujqësore