Falsifikimi i dokumentit nga Tahiri, krim i rëndë në Itali

 

Dy muaj më parë, ish-ministri Tahiri ka bërë publike një dokument për të cilin deklaroi se i kishte mbërritur nga Prokuroria e Katanias. Dokumenti, tha Tahiri, vërteton se ndaj tij nuk ka nisur asnjë procedim penal. Por, dyshimet tashmë janë se ai dokument i paraqitur nga deputeti është i falsifikuar.
Krahasimi i dy dokumentave atij që Saimir Tahiri paraqiti nga selia e Kuvendit të Shqipërisë për të provuar se nuk po hetohet në Itali, me dokumentin që ka arritur të sigurojë “Top Channel” hedh hije të forta dyshimi. Avokatë italianë kanë vëzhguar ndryshime esenciale, sepse sipas tyre dokumenti i paraqitur nga Tahiri nuk ka një barkod të skanueshëm, nuk ka logon e Prokurorisë së Katanias, nuk ka stemën e Republikës italiane që është në çdo dokument zyrtar të këtij shteti. Ai vërtet ka një firmë, por nuk ka emrin e personit të sekretarisë, që e ka lëshuar këtë dokument. Për të gjitha këto arsye dyshohet, se dokumenti i servirur nga Saimir Tahiri është i manipuluar.
Një ditë më parë, Gjykata e Krimeve të Rënda dha masën e “ndalimit të daljes jashtë shtetit” ndaj deputetit Tahiri dhe urdhëroi sekuestrimin e pasaportës së tij si dhe “çdo mjet tjetër identifikues të tij të vlefshëm për daljet jashtë shtetit”. Prokuroria paraqiti në Gjykatë përgjimet e trafikantëve të “grupit Habilaj”, të pa publikuara më parë, që implikojnë Tahirin në trafikun e drogës.

Si mashtroi Tahiri me dëshminë e pafajësisë

Dokumenti që nxori ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri para mediave më 24 tetor për të treguar se nuk po hetohet nga Prokuroria e Katanias është fals. Krahasimi i dy dokumentave atij që Tahiri paraqiti nga selia e Kuvendit të Shqipërisë për të provuar se nuk po hetohet në Itali, me dokumentin që ka arritur të sigurojë “Top Channel” hedh hije të forta dyshimi. Avokatë italianë kanë vëzhguar ndryshime esenciale, sepse sipas tyre dokumenti i paraqitur nga Tahiri nuk ka një barkod të skanueshëm, nuk ka logon e Prokurorisë së Katanias, nuk ka stemën e Republikës italiane që është në çdo dokument zyrtar të këtij shteti. Ai vërtet ka një firmë, por nuk ka emrin e personit të sekretarisë që e ka lëshuar këtë dokument. Për të gjitha këto arsye dyshohet se dokumenti i servirur nga Saimir Tahiri është i manipuluar.
Emri i Saimir Tahirit për herë të parë doli nga dosja e Habilajve e Prokurorisë së Katanias. Për të vërtetuar që përdorimi i emrit të tij ishte rastësor dhe i papërfshirë në hetime, ish-ministri i Brendshëm doli në një konferencë për shtyp, ku deklaroi se brenda 48 orëve kishte mundur të merrte nga Prokuroria e Katanias këtë vërtetim që dëshmonte se ai nuk është person nën hetim nga italianët.
“Brenda 48 orëve me një kërkesë fare të thjeshtë, unë sigurova këtë dokument nga Prokuroria e Katanias. Ky dokument mban datën 23 dhe thotë se, përsa i përket shtetasit Saimir Bashkim Tahiri, i lindur më 30 tetor 1979, nuk rezulton sot dhe më herët deri në këtë datë, që të ketë pasur ndonjëherë procedim penal nga Prokuroria e Katanias”, deklaronte Tahiri më 24 tetor.
“Top Channel” për shkak të çështjes tejet të ndjeshme dhe personit që përmendej në dosje, i kërkoi Prokurorisë së Katanias sqarime të mëtejshme për rastin në fjalë.
Përgjigjja nga zyra e Prokurorit të Katanias ishte se, prokurori nuk e sheh të arsyeshme të përgjigjet. Në këtë moment, kërkuam të dinim sesi mund të merrej një vërtetim i tillë.
Për këtë ne pyetëm një studio avokatie në Katania. Avokatja Carmen Gulizia na shpjegoi se, një vërtetim të tillë mund ta kërkojë çdo shtetas, italian ose jo, fizikisht ose me ndërmjetësinë e një avokati italian.
Atëhere ne autorizuam avokaten Carmen Gulizia, që të kërkonte një vërtetim të tillë për ne. Pasi kërkesa u dorëzua, pritëm 48 orë. Përgjigjja nuk erdhi. Përgjigjen avokatja jonë e mori pranë kancelarisë së Prokurorisë vetëm pas 7 ditësh.
U interesuam nëse vonesa kishte të bënte me ne. Por avokatja italiane na shpjegoi se, një dokument i tillë nuk mund të merret për 48 orë. Edhe nëse do të ishim paraqitur vetë fiziksht pranë Prokurorisë së Katanias, afati nuk ndryshon.
Në bashkëpunim edhe me kolegët e MeridioNews iu drejtuam atëherë dy studiove të tjera në Katania, përfshirë kreun e Dhomës Penale të Katanias, të cilët na siguruan dokumenta të tjerë, kësaj here të shtetasve italianë, të cilëve u kemi mbuluar emrat për efekt privatësie. Ajo që vumë re fillimisht është që afati i marrjes së dokumentave është për të gjithë mbi një javë pas depozitimit të kërkesës.
Në njërin prej dokumentave nuk ka firmë, por është një skan-kod shtesë në të djathtë lart. Avokatët na sqaruan se, nëse dokumenti merret në mënyrë elektronike me e-mail, i vihet ky skankod shtesë. Nëse merret fizikisht, me postë apo pranë sekretarisë, ka firmë.
Përveç kësaj, dokumentat janë identikë me dokumentin tonë. Por, të krahasosh dokumentin tonë me dokumentin e paraqitur nga ish-ministri Tahiri, me sy të lirë këto 2 dokumenta janë shumë të ndryshëm, edhe në përmbajtje, por sidomos në formë. Pse?
“Dokument të tillë nuk kam parë kurrë. Jo vetëm që nuk kam parë, por nuk janë të tillë dhe mund ta shohim. Është e dukshme! mungojnë një sërë gjërash. Së pari, nuk është logo e Republikës së Italisë, që duhet të jetë në çdo akt zyrtar italian. Nuk është barkodi, që është një kod që shërben për të identifikuar aktin dhe cili e ka lëshuar këtë akt. Ka një numër protokolli dhe mbi të gjitha, këtu thuhet: Nuk rezultojnë regjistrime. Duket sikur dikush e ka parë këtë dhe e ka shkruar në mënyrë pak të shpejtë, sepse ligji italian nuk thotë nëse ka apo jo regjistrime, por thotë: Nuk rezultojnë regjistrime të mundshme për t’u njoftuar. Por e përsëris, ka një dallueshmëri objektive. Mjafton që të shikoni, ky është origjinali ky është dokumenti që më keni treguar. Janë të papërputhshëm! Jo të ndryshëm, të papërputhshëm. Ky është një dokument fals. Domethënë, nuk mund ta them që është fals, është një krim i rëndë “falsifikimi i akteve publike”. Është një nga krimet më të rënda të parashikuara në Kodin tonë Penal”, thotë avokati, Gofrredo D’Antona.
“Absolutisht më duket një dokument jo origjinal, duke marrë parasysh që dokumenti i Prokurorisë, pra ai zyrtari ka një bar kod, ka kokën me logon, ka një kod të skanueshëm. Ky është modeli që lëshohet nga Prokuroria e Katanias. Nuk më rezulton që të ekzistojnë të tjera. Kjo vulë nuk mund të them ç’është, por nuk mund të përjashtoj që të jetë e vërtetë. Por ama nuk tregon se cili është burimi që e ka vendosur. Ka një firmë me stilolaps, por jo emrin e punonjësit të Kancelerisë që e ka lëshuar. Mirëpo, nuk është e thënë që edhe nëse ekziston një procedim penal në ngarkim, ai të shkruhet dhe të jetë pjesë e dokumentit të lëshuar, sepse në shumicën e rasteve në çertifikatë shkruhet: nuk rezultojnë regjistrime të mundshme për t’u njoftuar. Çka do të thotë që, një subjekt mund të jetë i hetuar për krime të rënda, por pa iu komunikuar kjo, sepse duke qenë një sekret hetimor është e natyrshme që nuk do të tregohet në një dokument që i lëshohet subjektit, që është objekt i atij hetimi”, thotë Enrico Trantino, Kryetar i Dhomës Penale te Katanias.
Pra në bazë të këtij investigimi dhe intervistave, duket që kemi të bëjmë me 2 vërtetime të ndryshme; ai i siguruar nga ne, nëpërmjet avokates Carmen Gulizia dhe ai i zotit Tahiri me mangësitë e formës dhe të përmbajtjes që ka.
“Top Channel” siguron që vërtetimi i marrë nga ne ka dalë nga Prokuroria e Katanias, zyrtar dhe sipas afateve që parashikon procedura. A mund të thotë zoti Tahiri të njëjtën gjë për dokumentin e tij? Dhe më kryesorja, siç thotë edhe kryetari i Dhomës Penale të Katanias, edhe po të ishte një dokument origjinal, nuk vërteton në mënyrë të prerë, nëse ndaj Saimir Tahirit ka apo jo ndjekje penale nga Prokuroria e Katanias.

Artikulli paraprakHabit avokati Haxhia i Tahirit: E morëm privatisht dokumentin për Tahirin në Prokurorinë italiane
Artikulli tjetërA do të ekstradohet Tahiri në Itali?