Darëzezë, ujërat e Vjosës ende në tokat bujqësore

Në Darëzëzë dhe Povelçë shumë ha tokë janë ende nën ujë. Për këtë shkak pa ushqim janë tufa të tëra me bagëti. Uji po tërhiqet mesatarisht 3 centimetra në ditë çka do të thotë se do të duhen edhe të paktën dy javë deri në largimin e plotë të tij. Nga ana tjetër, kjo situatë përbën rrezik për shëndetin e banorëve për shkak të ndotjes nga kafshët që kanë mbetur nën ujë pas përmbytjeve të Vjosës.
Fermerët po kërkojnë me tepër furnizime me bazë ushqimore dhe medikamente për kafshët. Ndihmat në këto zona po shpërndahen nga ushtria nën kujdesin e Bashkisë, por ato duken të pamjaftueshme për të ushyqer rregullisht tufat me bagëti.
Ndërkohë fermerë të zonës së Frakullës iu drejtuan Bashkisë së Fierit për të kërkuar verifikimin e dëmeve nga përmbytjet. Në Frakull vërshimi i Vjosës 2 javë me parë ka dëmtuar qindra ha me sera. Banorët pretendojnë se asnjë grup verifikimi nuk ka mbërritur në zonë për të bërë vlerësimin e dëmeve. Një përfaqësi e tyre u prit nga zyrtarë të Bashkisë ku u është premtuar verifikimi i dëmeve.

Artikulli paraprakA do të ekstradohet Tahiri në Itali?
Artikulli tjetërDy javë pas përmbytjeve, Fushë Kruja vijon të përballet me pasojat