Banorët e Fushë-Milotit kërkojnë rrugë: Tri dekada na kanë lënë në baltë! (VIDEO)

Emisioni “Fol” i gazetarit Erjon Skëndaj u ndal sot në Fushë-Milot, ku banorët kanë protestuar disa ditë më parë pasi kërkojnë një rrugë që s’kanë mundur ta kenë në 32 vite demokraci.

Ata investojnë personalisht për ta mirëmbajtur sadopak rrugën ekzistuese duke e mbushur me çakull, por sapo bien shirat e parë, rruga rikthehet në gjendjen e mëparshme, duke u bërë rrezik i vazhdueshëm për qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve.

Një nga banorët e zonës, Ndreku, shprehet: “Para 90-ës rruga ka qenë edhe më keq, sepse ka qenë pa zhavorr, ka qenë vetëm baltë. Ne jemi të harruar, vetëm për vota vijnë. Tre dekada jemi në baltë. Bëhet fjalë për 3 km rrugë gjithsej, për t’u lidhur me autostradën. Në dimër me çizme, s’ka me këpucë”.

Një tjetër banor Bib Kotheli thotë: “Tre herë ia kanë ngrenë fondet kësaj rruge. Ku të shkojnë kalamjt?! Majlinda Cara po i ha paret, po i fut në xhep. Është shtruar me forcat tona edhe me zhavorr. Nuk ka shtet. Shtet që të vendosë litarin në gurmaz ka! Taksat i paguaj”.

Një tjetër banor thotë: “Kjo rrugë është pa zot! Kjo është një rrugë 100-vjeçare, që në kohën e Zogut. Para 100 vitesh kishim teleferik, sot s’kemi as rrugë. Me pak fonde mund të bëhet”.

E moshuara Drane Brozi tha që “E kanë lënë pas dore këtë rrugë gjithmonë. Vetëm kur kemi insistuar vetë t’i lëshojmë zhavorr, se askush s’e ka sjellë një dorë zhavorr. S’mund të vijë ambulanca. Edhe njëherë që ka ardhur ambulanca për mua, i kanë vendosur zetorin për ta nxjerrë në rrugë. Të gjitha i bëjmë me mjetet tona”.

Një tjetër banor shprehet: “Duhet të tregojnë ku i çojnë taksat?! Paguaj 360 mijë lekë taksa ndriçimi. Nuk futet ambulanca këtu. Faturoj makinën që të shkoj te spitali. Unë e kam këmbën të thyer, shkoj se kam kriza. Ku i çojnë taksat? Ku e ke ndriçimin këtu? Mua m’i ka marrë paratë për taksë! Unë i kam shkuar kryetares së bashkisë 50 herë në zyrë dhe nuk e gjej, fle gjumë”.

Artikulli paraprakBizneset e vdekjes/ Minierat dhe ndërtimi vranë 30 punëtorë vitin e kaluar
Artikulli tjetër40-vjetori i Revoltës së Qaf Barit, Eralda Bano: Persekutorët vazhdojnë të jenë prezent në politikën shqiptare