Tarifat e sigurimit TPL fusin në kaos konsumatorët

Tarifat e policave të sigurimit TPL, i janë rikthyer sërish çmimeve të vendosura që në gusht të vitit të kaluar në rreth 19,000 lekë, duke shkaktuar jo pak konfuzion te konsumatorët. Në më shumë se një javë çmimet e këtyre policave pësuan disa luhatje, ku ditën e premte arritën nivelin më të ulët në rreth 10,000 lekë. Një shifër e cila është ndjeshëm më e ulët se çmimi i primit të rrezikut të përcaktuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare e që duhet të shërbejë si bazë për shoqëritë e sigurimeve në përcaktimin e çmimit final për konsumatorët. E njohur me situatën në të cilën po kalon tregu, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare shprehet se miratimi sa më i shpejtë i projektligjit “Për sigurimin e detyrueshëm në transport” do të disiplinonte tregon dhe do të përcaktonte vendosjen e standardeve. Në një takim informal me përfaqësues të medias mbi funksionimin dhe rolin e AMF-së, me fokus tregun e sigurimeve, drejtues të këtij institucioni i shprehën se drafti i projektligjit ndodhet prej disa kohësh në Ministrinë e Financave. Ende nuk ka një afat se kur ai mund të përfundojë procesin e konsultimit dhe t’i dërgohet për miratim qeverisë e më pas Kuvendit. Sipas drejtuesve të AMF-së gjithçka është gati për të vënë në funksionim sistemin Bonus – Malus ( me fjalë të thjeshta nënkupton ‘shofer i mirë, shofer i keq) dhe herë pas herë bëhen testime për të parë ecurinë. AMF deklaroi gjithashtu se ka një bazë të dhënash në lidhje me dëmet e ndodhura.

Artikulli paraprakEuro arrin nivelin më të ulët të vitit në tregun vendas
Artikulli tjetër64% e investitorëve të huaj: Në Shqipëri, mjedis i papërshtatshëm për biznes