Sqarimet e Kadaresë për Letrën Enverit dhe “Jashtëqitjen e kombit”

Shkrimtari Ismail Kadare është përgjigjur edhe për një dokument të dalë së fundmi në shtyp nga Ilir Demaliaj. Kadare thotë se prej vitesh ka kërkuar të hapen arkivat pa pasur frikë se aty mund të gjendej edhe ndonjë gjë rënduese për të.
“Po unë kam kërkuar vite më parë që të hapen arkivat e fshehta dhe më kujtohet një kritik, studiues i njohur francez, i cili njihet si eksperti numër një i komunizmit në botë, autori i librit që mund të gjendet edhe në shqip “Libri i zi i komunizmit”, ka një enciklopedi të diktaturave komuniste; më intervistoi dhe më pyeti: Z.Kadare a e keni menduar mirë që kërkoni këtë hapjen e arkivave, se ndodh që njeriu lë kudo ndonjë gjurmë, dhe mbase edhe ju keni lënë ndonjë dokument që s’do donit të hapej. Ndërsa unë në përgjigje i thashë se këtë gjë e kam menduar shumë mirë, dhe nuk jam aq thjesht nga mendja sa të harroj gjëra të tilla të mëdha. Ai më tha është qëndrim i adhurueshëm për mua, dhe e botoi këtë” – tha Kadare duke qenë i bindur se kjo letër për Enver Hoxhën mund të jetë e vetmja që ka bërë dhe se kjo tregonte se si regjimi përndiqte familjen e tij.
“Kur e botova këtu në Shqipëri 5-6 vite përpara shumë njerëz kanë rendur nëpër arkiva se kanë menduar të shikojë ky se ç’kemi për t’i nxjerrë ne. Dhe kjo është e vetmja letër që gjatë 40 viteve unë i kam bërë Enver Hoxhës. S’ka tjetër, dhe po e përsëris sot te juve këtë: Nuk ka letër tjetër që unë t’i jem drejtuar liderit absolut, tiranit absolut shqiptar gjatë 40 viteve, është vetëm kjo. Kjo letër është shkruar me dorën time, sepse kur kërkova t’i bëj një letër Enver Hoxhës, sekretari i tij më tha: Shoku Kadare ka disa kushte që ai ka dhe juve duhet t’i pranoni. Letrën duhet ta shkruani me dorën tuaj, të mos mbani kopje, të mos lini kopje askund, dhe të mos lini gjurmë askund të kësaj letre. Dhe unë e shkrova letrën me dorën time, e besova këtë, se kujtova se diktaturat nuk kanë ndonjë forcë mbinjerëzore për të verifikuar gjërat, por kujtoja se verifikonin ndoshta çdo gjë. Dhe letrën e pashë tani kur u botua në shtypin shqiptar” – thotë shkrimtari i madh duke shtuar: “E mbaja mend si letër. Diku edhe Elena, ime shoqe, në kujtimet e saj e ka thënë që unë i kam bërë një letër për shkak të motrës sime, sepse jam thirrur zyrtarisht në Komitetin Qendror, për të më njoftuar se motra ime ka vite që hetohet nga sigurimi i shtetit. Dhe unë si shkrimtar i njohur, i “privilegjuar” sipas disave, duhet ta dija këtë gjë, dhe mundësisht të isha i ndërgjegjshëm për këtë gjë”.
Në intervistën dhënë për gazetaren Eni Vasili në emisionin “Studio e hapur” në Neës24, shkrimtari Ismail Kadare ka folir për herë të parë mbi një ide të përhapur se pas hapjes së ambasadave në korrik të vitin 90 ai është shprehur se “u laguan jashtëqitja e kombit”. Kadare thotë se kjo është shpifje që në fillim e injoroi, por kur vuri re se ajo zuri vend e pati të vështirë të bindte njerëzit për të kundërtën.

E vërteta për emigrantët si “jashtëqitje e kombit”

“Ka dy mendime në këtë botë, që këtyre marrëzive s’i duhet vënë veshi ndonjëherë, se koha do t’i provojë nëse janë të vërteta. Ka dhe një mënyrë tjetër, që është që të marrim përgjigje, s’ka pse të rrijë njerëzimi me brenga, shpifja është rëndim për një komb të tërë. Unë nuk e di sa të drejtë do kem të zgjedh njërën prej këtyre mënyrave, pasi të dyja janë të mira dhe të këqija për t’u sqaruar. U bë një shpifje që ju duhet ta keni dëgjuar, që Ismail Kadare ka thënë që “jashtëqitje e kombit për refugjatët shqiptarë”. Shpifja është e rëndë, se shkrimtari më i njohur i vendit, i quan mijëra të rinj që tronditën diktaturën, jashtëqitje e kombit. Dhe kjo shpifje u tha në një miting në Tiranë. Tani unë arsyetova në mënyrë naive dhe të gabuar, që kjo hidhet poshtë nga koha. Nuk është ashtu. Shpifja zuri vend, e para se sigurimi kishte rrjetin e tij kudo, dhe e dyta se ju duk zbavitëse njerëzve. Unë e kisha të lehtë ta hidhja poshtë, ngulja këmbë në një emision televizion, që u tha kjo shpifje, u pranua që u tha kështu për refugjatët shqiptarë. Në mitingun në Tiranë ku u tha kjo, kishte 100 mijë veta. Në tribunë nja 20 vetë, dhe shpifja u bë nga njëri prej tyre që u tha se ishte Ismail Kadare. Po unë nuk kam qenë fare në atë miting dhe kështu mendoja se me videon do hidhej poshtë shpifja dhe qeshja e njerëzve. Njerëzit nuk kanë qeshur fare, kjo më është futur në biografi në vendet e huaja. Se thoshin që Ismail Kadare, shkrimtar i mirë, por ka bërë disa të pabëra. Thuhej është akuzuar në vendin e vet për këtë gjë, dhe nuk thuhej a është apo jo e vërtetë. Prandaj shpifjet janë për njerëzit e shquar shumë të kushtueshme. Se kthehen në marrëzi. Se kur e di që s’ke qenë fare në një miting, pse do kesh ti dyshimin më të vogël se do hidhet poshtë. Shpifja vazhdon dhe ka ende njerëz që besojnë se e kam thënë. Ca akoma më thonë: “Z.Kadare po si të shpëtoi goja që e the këtë?”.

Shpifja e dytë dhe sulmi ndaj Lubonjës

“Shpifja e dytë është e re, foshnje akoma, që ka dalë nga ky njeriu me emrin Fatos Lubonja. Pa pikë turpi ka shkruar se Ismail Kadare kohët e fundit në një libër të tij ka quajtur gjuhën serbe si një jevgë krahas një zonje të madhe që është gjuha shqipe. Është qesharake. Është për të qarë e qeshur. Ka një kontekst që ngjan si e besueshme se citon dhe librin që gjasme ku e kam thënë unë këtë. Por unë fjalën jevgë e kam përdorur në një fjali shumë komplekse. Unë shkruaj “në vitet 30’ kundër shqiptarëve shpërtheu një propagandë e madhe serbe, e çmendur, dhe nuk ishte vetëm nga zuzarët që kanë ata zakonisht, por kryesohej nga kryeministri i Serbisë, Gjorgjovic, dhe është e vërtetë ai botoi një libër, ku thotë një portret të shqiptarëve që është më i përçmuari në botë, më i ndyri, më i palejueshmi. Që shqiptarët janë morracakë, idiotë, të pandershëm, të palarë, histerikë, që s’kanë as gjuhë, as kulturë asgjë. Dhe unë citoj Gjorgjevicin, dhe them këtij librit të Gjorgjevicit ju përgjigj kryeministri shqiptar dhe shqiptarët panë me sy këtë tmerr që thuhej për vendin e tyre. E pamë të botuar në Tiranë me sytë tanë.
Dhe unë shkruaj në librin tim “në këtë kohë emocionalistët shqiptarë të ndikuar nga ky libër ranë nën ndikimin serb dhe filluan të shajnë gjuhën serbe me të njëjtat klishe përçmuese që ata na shanin ne. Ata filluan të thonë që gjuha serbe është si një jevgë krahas një zonje të madhe, si gjuha shqipe. Dhe si për të ngushëlluar gjuhën shqipe, vunë epitete të shumta si trëndafil etj. Fqinji i keq të indikton, të ngjit sëmundjen e keqe. Prandaj shqiptarët s’duhen të binin në këtë kurth. Tani ky zotëria i merr, (Lubonja) dhe thotë që Kadare shkruan për gjuhën serbe që është jevgë. Është e pabesueshme se si mund të shpifësh kështu. Si nuk doli dikush të hapë librin dhe ta shikojë këtë lemeri. Se nuk mund të ndryshosh tekstin. Prandaj them që nuk duhen lejuar këto gjëra. Se kjo e pastron shoqërinë, sqarimi i shpifjes. Nuk e le të degradohet. Ne kemi degraduar në shumë gjëra ngaqë kemi lejuar atë që nuk lejohet” – thotë Kadare. .

Kadare: E vetmja letër për Enver Hoxhën

Kush e ka zotëruar këtë letrën?
Ky është turpi i vendit tonë sot, që kjo gjë vazhdon akoma. Kanë kaluar javë të tëra, njeriu që e ka nxjerrë nuk e di çfarë është, njëri thotë ish-agjent i sigurimit, tjetri thotë është rrugaç, tjetri aventurier, të tjerë s’e njohim. Por nga ka dalë ky njeri, dhe si e ka nxjerrë.

Ju keni krijuar një ide tuajën për këtë?
Jo nuk kam. Ky njeri e ka nxjerrë këtë letër me mënyra të dënueshme, nga njerëz që kanë shkelur ligjet e shtetit njëherë. Shërbimi i fshehtë i një vendi diktatorial të përsosur në kuptimin më të keq të fjalës. Siç ua thashë në fillim unë nuk kisha të drejtë të mbaja kopje për veten time. Kjo ka dalë nga thelbi i sekreteve të diktaturës dhe unë nuk e di se ç’bën ky shtet që nuk e sqaron këtë. S’është në gjendje ta sqarojë ndoshta.

Si mendoni cili është qëllimi i këtij botimi, i kësaj letre? Pse në këtë moment?
Kjo letër nga një pikëpamje është pa ndonjë kuptim të madh, se nuk tregon asgjë për mua. Përkundrazi, do të thosha, ndoshta nuk po e teproj, më bën nder. Kjo letër tregon se njëri nga familja ime hetohej ditë e natë nga sigurimi i shtetit. Unë e shkruaj atje që është një gjë që ma tha shteti, që motra jote është në vëzhgim të vazhdueshëm. Mos ma merrni për mburrje, por në atë kohë unë isha shkrimtari më i njohur shqiptar brenda dhe jashtë vendit, dhe një familjar i imi përgjohej ditë e natë. Dhe i kam thënë se kjo ndikon në gjithë jetën time, në kontrollet time, në punën time të përditshme. Dhe duke kërkuar, nuk ngre ndonjë britmë në qiell që pse më bëhet kjo poshtërsi apo jo, por doja t’i thoja se ju duhet ta dini që me mua po ndodh ky hetim. Edhe unë vetë duhet ta di pse bëhet kjo gjë. A më pengon kjo mua në jetën time apo jo.

A u ndjetë i rrezikuar nga ky hetim për jetën tuaj, për veprën tuaj?
Nuk di ç’të them, se në atë kohë ishin rreziqet kaq të mëdha dhe njeriu nuk duhet të abuzojë me këtë gjë. Gjithë njerëzit kanë qenë të rrezikuar. Nuk është ndonjë zbulim i madh që bëra unë, se përse ma thanë mua. Ishte një paralajmërim që më bënë. Ndoshta vetë ata tani s’e mbajnë mënd, a janë në këtë botë a s’janë. Unë nuk e di, s’e kam të qartë. Është një mister që e mbulon punën e kësaj letre. Po mua ajo s’më prek fare në biografinë time, s’më bën asgjë. Çfarë kam unë në përgjegjësi që motra ime u përgjoka nga sigurimi i shtetit. Mua edhe motra me përgjohej, dhe imagjino edhe vetë sa shumë përgjohesha. Nga ky hetim, ai grup ku bënte pjesë motra ime, dhe që u arrestua pothuajse i gjithi, njëra nga gratë vdiq në burg, dhe asnjë s’po bën sot hetim, edhe pse duhet të ishte bërë. Kanë qenë 4 a 5 gra, njëra ka vdekur në burg, të tjerat janë liruar Zoti e di kur, s’di se çfarë ka ndodhur me to, a janë torturuar. Motra ime është ajo që është kursyer, për shkak se është motra ime. Ka qenë një gjë shumë e hidhur, shumë e trishtuar, por që nuk është marrë njeri seriozisht me të.

Artikulli paraprakRacizmi i Ramës ndaj banorëve të Pogradecit dhe Mokrës
Artikulli tjetërFaqja e pare