Skema aktuale e taksave, një barrë e shtuar për kompanitë

Ndonëse biznesi ka më shumë se një vit që po pret të shqyrtojë programet ekonomike të partive kryesore, tryezat e debatit kanë munguar. Nikolin Jaka, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, thotë se forcat politike të mos mbeten vetëm në deklarata të përcipta, duke dhënë shifra të përgjithshme, por të hartojnë programe ekonomike me tregues të arritshëm. Ai rekomandon një sistem fiskal me një taksim në normat 10% për tatimin mbi dividendin dhe 8% për tatimin mbi fitimin, me përshkallëzim në ulje për disa sektorë të rëndësishëm, si bujqësia, agropërpunimi, turizmi, eksportet.

– Cilat janë pritshmëritë tuaja nga programet ekonomike të partive kryesore?
Për më shumë se një vit, ne kemi kërkuar vazhdimisht që forcat politike të gjejnë rrugën e dialogut mes tyre, me qëllim krijimin e një hapësire të nevojshme dhe të domosdoshme për t’u ulur përballë me sipërmarrjen. Ne kemi pritur që forcat politike të organizojnë tryeza teknike dialogu për të diskutuar mbi çështjet dhe problematikat që ka sot sipërmarrja. Për ne është e rëndësishme që forcat politike të mos mbeten vetëm në deklarata të përcipta, duke dhënë shifra të përgjithshme, por të hartojnë programe ekonomike me tregues të arritshëm. Kemi parasysh këtu deklaratat e dy muajve të fundit në lidhje me uljen e taksave, subvencionet, punësimin etj. Këto deklarata nëse nuk shoqërohen edhe me një argumentim të skemës apo të instrumenteve që do të përdoren, mbeten vetëm deklarime, të cilat në fund të një mandati qeverisës, rezultojnë të paarritura.

– Çfarë duhet të kenë parasysh partitë kur hartojnë programet e tyre?
Forcat politike duhet të marrin seriozisht në konsideratë rekomandime nga përfaqësuesit e sipërmarrjes. Programet ekonomike nuk mund të hartohen vetëm në dy muajt e fundit, por do të duhej minimalisht një vit, i cili duhet të vijonte si një proces i madh konsultimi, sondazhe, analize, draftimi dhe sërish konsultimi me sipërmarrjen. Ekonomia nuk është një lëndë, e cila zhvillohet në një sezon, por në një mandat qeverisës ajo zë peshën më të madhe të veprimtarisë dhe aktivitetit të çdo qeverie. Ne këmbëngulim që një prej shtyllave më të rëndësishme në një program qeverisës duhet të jetë konkurrueshmëria. Ne do të donim të kuptonim nga programet ekonomike të forcave politike se si ato e parashikojnë që të kemi një ekonomi konkurruese në rajon dhe më gjerë. Cilat do të ishin lehtësitë dhe mbështetja për prodhimin vendas?

– Lidhur me nivelin e taksave, si e vlerësoni nivelin aktual të tyre, si ka ndikuar rritja e tatimfitimit dhe dividendit në mandatin e kaluar në ecurinë e bizneseve që ju përfaqësoni dhe planeve të tyre për investime?
Sipërmarrja ka gjithmonë dëshirë të ketë një taksim të ulët dhe të drejtë. Ne jemi të ndërgjegjshëm që taksat dhe tatimet përbëjnë një nga elementet kryesore të buxhetit të shtetit, nga i cili ne pretendojmë të përfitojmë mbështetje dhe lehtësi në të bërit biznes. Skema aktuale 15% tatimfitim dhe 15% tatim mbi dividendin ka qenë një barrë e shtuar për kompaninë dhe për investitorin, pasi në fund të analizës, presioni fiskal arriti shifrën 30%. Në parim do të ishim për rifutjen në skemën fiskale të taksimit të sheshtë në një vlerë më të ulët. Kjo do të rriste bazën e tatimpaguesve dhe kapacitetet financiare për riinvestim.

– Cili është niveli i taksave që ju propozoni dhe që do të ishte optimal për të mos ndikuar negativisht në buxhet nga njëra anë dhe për të mos rënduar bizneset nga ana tjetër?
Së pari: duhet të përcaktojmë qartë një model ekonomik të qëndrueshëm afatgjatë, i cili kalon përtej një mandati qeverisës. Fatkeqësisht vazhdojmë me ndryshime të politikave ekonomike dhe fiskale, të cilat detyrojnë sipërmarrjen të bëjë korrigjim të planeve të tyre të biznesit dhe investimeve çdo dy vjet. Së dyti: duhet të mbajmë parasysh që një nga elementet mjaft të rëndësishme në një ekonomi është konkurrueshmëria. Ekonomitë fqinje kanë filluar ta kenë në qendër të vëmendjes, duke e mbështetur me politika fiskale të thjeshta në implementim, por edhe me norma taksimi sa më tërheqëse për investimet lokale apo të huaja. Së treti: ne do të preferonim një sistem fiskal me një taksim në normat 10% për tatimin mbi dividendin dhe 8% për tatimin mbi fitimin me përshkallëzim në ulje për disa sektorë të rëndësishëm, si p.sh.,: – Bujqësia: TVSH = 0% dhe tatim mbi fitimin = 0% për 4 vitet e para– Agropërpunimi: TVSH = 0% dhe Tatimi mbi fitimin 0% për 4 vitet e para kur investimi është më i madh se 1 milion euro – Turizmi: TVSH mbetet 6% dhe tatimi mbi fitimin = 8% (përfshirë këtu edhe operatorë dhe agjencitë turistike– Prodhuesit eksportues: TVSH = 0% dhe Tatimi mbi fitimin 8% duke bërë TVSH 0% për energjinë elektrike, duke e shoqëruar me lehtësi procedurale dhe tarifore, ulje të taksës mbi pronën, lehtësimin e procedurave dhe rishikimin e taksave apo tarifave të ndryshme (për shembull, taksa mbi ambalazhin apo tarifa e skanimit etj.).

– Cilat janë disa nga rekomandimet e tjera konkrete, që ju mund të keni?
Ne do të kërkojmë nga forcat politike firmosjen e një marrëveshjeje angazhimi dhe bashkëpunimi me sipërmarrjen me disa shtylla kryesore:
1. Angazhim për konsultimin e vazhdueshëm për çështjet e lidhura me ekonominë, duke konsideruar përfaqësitë e sipërmarrjes si pjesë e tryezave teknike, që në hartimin e politikave dhe përgjatë procesit të miratimit të tyre;
2. Mbështetje për rritjen e konkurrueshmërisë duke siguruar të gjithë lehtësitë dhe promovimin e nevojshëm të prodhimit vendas për të rritur eksportet dhe për një ekonomi konkurruese në rajon;
3. Garantim të qëndrueshmërisë së politikave fiskale me qëllim krijimin e një klime sa më të favorshme dhe stabël për investimet;
4. Vijimin e reformës në administratën shtetërore, me qëllim ndërgjegjësimin dhe rritjen e performancës në lidhje me shërbimet ndaj sipërmarrjes;
5. Përfshirjen e sipërmarrjes në procesin e negocimit me BE-në, si një aktor shumë të rëndësishëm që garanton cilësinë dhe standardin e implementimit të këtij procesi në ekonomi;
6. Konsolidimin e partneritetit me sipërmarrjen, duke i dhënë mundësinë e një përfaqësimi dinjitoz në politikat publike të qeverisë. Jemi në diskutim me të gjithë shoqatat që përfaqësojnë sipërmarrjen për të kontraktuar një marrëveshje me formacionet politike që Ministria e Tregtisë dhe Sipërmarrjes Private të strukturohet si ministri e veçantë dhe ministri të propozohet për emërim dhe shkarkim nga Forumi i Dhomave të Tregtisë dhe shoqatave të sipërmarrjes.

Artikulli paraprakSuedia shtang Francën, Bosnja ndalet nga Greqia
Artikulli tjetërSot për hakmarrje