Sot për hakmarrje

Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Mërgim Mavraj, ka thënë se Shqipëria ende vuan atë humbjen dëshpëruese prej Izraelit, i cili e pranon se gabimi ishte i mbrojtjes, diçka që duhet përmirësuar. “Humbja ndaj Izraelit në shtëpi ka qenë e dhembshme, për mënyrën edhe se si kemi humbur. Gjithë kanë pritur një rezultat më të mirë dhe lojë më të mirë”, tha Mavraj. “Derisa ishim 0:0, ishim të barabartë, por më pas gjithçka ndryshoi. Ashtu si në gjitha ndeshjet, edhe me Izraelin, ne ishim fajtorët, ne ia falëm golat”, shtoi ai.
“Mbrojtja është ajo e njëjtë, nuk ka ndryshuar si para Evropianit. Por duhet të përmirësohemi që të mbrohemi si ekip, të lëvizim gjithë së bashku”, është shprehur më tej Mavraj. “Duhet të gabojmë më pak, golat kanë ardhur nga gabimet individuale, jo pse kundërshtarët kanë krijuar raste të mira për gola. Për këtë duhet të jemi më shumë të vëmendshëm”, përfundoi Mavraj.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes me Izraelin, ajo që ka bërë më shumë përshtypje në ato që tha Gianni de Biasi, ishte për çështjen e rinovimit me Shqipërinë. Ai u pyet nëse e mendon rinovimin e kontratës me kombëtaren shqiptare pas përfundimit të këtyre eliminatoreve dhe përgjigjja ishte e shkurtër: “Jo”.
Megjithatë nuk është e qartë nëse me këtë përgjigje De Biasi ka dashur të thotë që është i përqendruar te ndeshja e radhës me Izraelit dhe jo te kontrata apo nëse pas përfundimit të saj ai nuk do të jetë më trajner i Shqipërisë. Për sa i përket ndeshjes me Izraelin, e cila do të luhet ditën e sotme në orën 20:45 minuta, trajneri kuqezi u shpreh se do të futemi në fushën e lojës për ta fituar atë.
De Biasi u pyet se pse kombëtarja jonë mund të fitojë në Izrael. “Varet nga dëshira, nga kujdesi, nga mundësitë, nga mentaliteti, nga interpretimi i lojës, janë disa mënyra që të bëjnë të fitosh një ndeshje. Çdo ndeshje është e hapur dhe mundësitë ekzistojnë për ta fituar atë”, tha De Biasi.

Artikulli paraprakSkema aktuale e taksave, një barrë e shtuar për kompanitë
Artikulli tjetërTaksat, Shqipëria në disavantazh me rajonin