Suedia shtang Francën, Bosnja ndalet nga Greqia

Një gol në frymën e fundit i siguron një fitore shumë të rëndësishme Suedisë në sfidën më të fortë të mbrëmjes eliminatore ndaj Francës. Ola Toivonen në minutën e 90 i shkaktoi Francës humbjen e parë në këto eliminatore, duke i dhuruar Suedisë jetike 2-1. Një gol i Olivier Giroud dhe një tjetër i Jimmy Durmaz në pjesën e parë të sfidës vendosën fatin e kësaj përballjeje deri në minutën e fundit, por ishte Toivonen ai që ngriti peshë stadiumin e Stokholmit. Kjo fitore e ngjit Suedinë në vendin e parë të Grupit A me 13 pikë, po aq sa Franca duke hedhur një hap të madh drejt Botërorit 2018.
Holanda ngjitet në vendin e tretë me 10 pikë, pasi shkatërroi 5-0 Luksemburgun. Robben dhe Sneijder në pjesën e parë hapën serinë e golave për “Tulipanët” që rifitojnë besim nën drejtimin e Dick Advocaat. Ndeshja e tretë e këtij grupi mes Bjellorusisë dhe Bullgarisë u mbyll 2-1 në favor të vendasve që zhysin në krizë ballkanasit.
Zhgënjen në Grupin H, Bosnje-Hercegovina që barazon sërish ndaj Greqisë me rezultatin 0-0. Në Zenica ekipi vendas kishte mundësinë e artë për t’u ngjitur në vendin e dytë, por skuadra helene u mbrojt me kujdes duke u konfirmuar forcë e dytë e grupit ku ligjin e bën Belgjika, e cila triumfoi 2-0 në Estoni. Sfida e fundit ishte ajo e luajtur në fushë neutrale mes Gjibraltarit dhe Qipros, ku ishullorët triumfuan 2-1.

Artikulli paraprakPele “thumbon”: Dybala, jo aq i mirë sa thonë
Artikulli tjetërSkema aktuale e taksave, një barrë e shtuar për kompanitë