Si mund të preket Shqipëria nga dalja e Britanisë nga BE?

Në një valë të parë, Shqipëria mund të mbetet e painfektuar nga dalja e Britanisë nga Bashkimi Europian. Marrëdhëniet tregtare me këtë shtet janë pothuajse inekzistente (vetëm 0.7% e volumit tregtar), numri i emigrantëve është shumë më i ulët se në Greqi e Itali, investitorët anglezë nuk është se e kanë pasur ndonjëherë në radarët e tyre vendin tonë.
Sipas një raporti të fundit të OKB-së, numri i emigrantëve shqiptarë në Britani ishte 10 mijë persona, nga 1.12 milionë shqiptarë që janë të shpërndarë nëpër botë.
Investimet e Huaja Direkte (IHD) nga Britania e Madhe ishin vetëm 5 milionë euro në vitin 2013 (viti i fundit i raportuar nga Banka e Shqipërisë), ose 0.6% e totalt të investimeve në atë vit. Ndërsa stoku i IHD-ve, deri në fund të 2013-ës ishte vetëm 11 milionë euro, apo 0.4% e totalit.
Por, në një afat të mesëm, nëse dalja e Britanisë nga BE do të zhysë Europën dhe gjithë botën, që sot është tepër e ndërlidhur, në krizë, pasojat do të bëheshin shpejt të dukshme. Shqipëria është e lidhur ngushtë me pjesën tjetër të Bashkimit Europian dhe nuk mund të shpëtojë pa u infektuar. Një shembull i thjeshtë është ajo që ndodhi në vitin 2008, ku megjithëse nuk u prekëm direkt nga vala e parë e krizës bankare për shkak të integrimit të ulët financiar, vendi vuajti më pas një frenim të investimeve, vështirësi të eksporteve dhe ngadalësim të përgjithshëm të rritjes ekonomike, që edhe sot, (kur zgjerimi nuk pritet më shumë se 3%) vijon të jetë shumë larg ritmeve të rritjes prej 8% që arritën para 2008-ës. Efekti më i dukshëm mund të jetë një ngadalësim i procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Shqipëria realizon vetëm 0.6% të tregtisë me Britaninë

Tregtia e jashtme e Shqipërisë do të ndikohet drejtpërsëdrejti vetëm lehtësisht nga Brexit. Tregtia me Britaninë e Madhe zuri vetëm 0.6% të volumit tregtar të vendit me jashtë për periudhën katërmujore janar-prill 2016.
Edhe pse në Britani ka një komunitet të madh shqiptarësh, marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve janë tejet modeste. Gjatë katërmujorit të parë 2016, eksportet shqiptare në Britani ishin vetëm 112 milionë lekë, duke zënë vetëm 0.2% të totalit të eksporteve shqiptare. Tre produktet kryesore të eksportuara janë giza dhe çeliku (Kurum, kompania kryesore e prodhimit të çelikut ka falimentuar tashmë), alumini dhe përgatitjet e drithërave.
Shqipëria vepron aktualisht me vendet e Bashkimit Europian, në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, si pjesë e procesit të integrimit në BE, që parashikon krijimin e një zone të Tregtisë së Lirë ndërmjet Shqipërisë dhe BE në një periudhë kohore 10-vjeçare. Dalja e Britanisë nga BE do të bënte të pavlefshme Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me këtë shtet.
Importet nga Britania patën një peshë specifike prej 1.2% në totalin e importeve në fund të katërmujorit të parë, duke zënë 1.2% të peshës të totalit. Produktet kryesore të importuara janë:
Vendi ynë ka një përqendrim të lartë të tregtisë së jashtme me Italinë dhe Greqinë. Partneri me peshën më të madhe në eksportet me Shqipërinë është Italia, e cila zuri 50.9% në vitin 2015. Partneri i dytë tregtar në eksporte për vitin është Kosova, me 8.6% të eksporteve vitin e kaluar. Gjatë periudhës 2011-2015, eksportet në vlerë kanë shënuar rritje të konsiderueshme drejt Italisë, Kosovës, Spanjës dhe Maltës. Në krahasim me pesë vite më parë, harta e eksporteve shqiptare duket se është diversifikuar ndjeshëm.
Gjithashtu është sa u përket importeve, Shqipëria ka përqendrim të lartë me Italinë nga e cila vijnë 30.3% e mallrave. Partneri i dytë në importe është Kina me 8.6%. Turqia, është partneri i tretë tregtar për sa i përket peshës në importe me 8.0% të totalit në vitin 2015 nga 5.6% që ishte në vitin 2011 e ndjekur nga Greqia me 7.8% të importeve në vitin 2015 nga 10.6% që ishte në vitin 2011. Në strukturën e importeve në vitin 2015, partnerët me peshën më të madhe vijojnë, Gjermania me 6.7%, Serbia me 3.8%, Franca me 2.2%, Rusia me 2.2% etj.
Por, nëse partnerët tanë (kryesisht Italia) kanë marrëdhënie tregtare ose e kanë treg shitjeje Britaninë, kjo mund të prekte kontratat e eksportuesve shqiptarë (psh një kompani tekstile ose këpucë italiane që shet në tregun britanik dhe realizon një pjesë të proceseve në Shqipëri).

Stërlina, rënie pikiatë

Paundi britanik ra edhe me 2% në $1.3395 në tregtimet e hershme europiane të së hënës, teksa investitorët vijuan të bënin llogaritë e vendimit të Britanisë së Madhe për të lënë Bashkimin Europian dhe iu drejtuan aseve të sigurta si ari dhe obligacionet qeveritare.
Tkurrja e paundit erdhi pas rënies së të premtes me 8.1%, që ishte më e madhja ditore. Stërlina mbetet në qendër të vëmendjes, por edhe monedha të tjera janë gjithashtu në vëzhgim, pasi tregtuesit po shqyrtojnë mundësinë që bankat qendrore globale të vonojnë planet e tyre për shtrëngimin e politikës monetare, në disa raste po presin lehtësime të mëtejshme-përballë pasigurive të reja.
Të hënën euro ishte 0.8% më e dobët në $1.1021. Jeni ishte 0.5% më i fortë në ¥‎101.59 për dollar.
Bursat aziatike kishin rezultate të ndryshme, me aksionet që ranë në Hong Kong dhe u rritën në Kinë. Aksionet japoneze kishin ecuri më të mirë, me indeksin Nikkei 225 që u rrit 2.3%.
Ari u rrit me 0.9% në $1,328 për onz, pasi kishte arritur nivelin më të lartë në dy vjet të premten.
Çmimet e naftës ishin më të dobëta, me treguesin Brent bruto, referencën ndërkombëtare, që ra me 0.1% në $ 48.35 për fuçi dhe West Texas Intermediate, referencën e SHBA-ve, që u tkur me 0.4% në $47.47. Të dy referencat u tkurrën më shumë se 4% të premten.

Kërkohet qetësimi i tregjeve

Kancelari britanik, George Osborne tha se planet e emergjencës janë vendosur që tani në vend, që të mbështesin ekonominë mes paqëndrueshmërisë së vazhdueshme në treg. Kancelari, përmes një deklarate publike u përpoq që të risigurojë tregjet financiare pas votimit të “shokut” për të dalë në Bashkimin Evropian, shkruan “The Guardian” sot.
Osborne, duke thyer një heshtje tre ditore, tha se ai kishte qenë në kontakt me Bankën e Anglisë dhe guvernatorin Mark Carney gjatë fundjavës, për të shtuar elemente të tjerë në planifikimin ekzistues të rastit të emergjencës.
“Ne jemi menduar mirë, përmes planeve të mëtejshme të emergjencës, nëse është e nevojshme”, u tha gazetarëve Osborne, në një konferencë shtypi në Londër.  “Ju nuk duhet të nënvlerësoni vendosmërinë tonë”.
Kancelari tha se, ai kishte qenë në kontakt me grupin tjetër të shtatë ministrave të Financave dhe bankierëve qendrorë, si dhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar, kur rezultati i referendumit u njoftua të premten.
“Unë dua të siguroj popullin britanik dhe komunitetin global, që Britania është e gatshme për t’u përballur me atë që do të ketë në të ardhmen”, – shtoi në fund ai. “Unë e pranoj plotësisht referendumin dhe unë do të bëj gjithçka mundem për ta bërë të funksionojë gjithçka normalisht për Britaninë”.

Artikulli paraprakBritanikët po luajnë me kohën
Artikulli tjetërBizneset ankohen për gjoba të kota nga tatimet