Investigimi te Burgjet/ Tendera miliona lekë për sigurinë, por kamerat nuk punojnë, në qeli futen armë e drogë. Cilat janë kompanitë që përfituan mbi 13 miliardë lekë, dyshimet për garë të paracaktuar

Emisioni investigativ Vetting në News24

Sokol Mjacaj, i dënuar përjetë për krime të rënda, qëllon me një pistoletë me mulli në ambientet e burgut dy të burgosur të tjerë. Një i vdekur dhe një i plagosur. Arben Lleshi, objektivi i Mjacajt, ka humbur jetën menjëherë, ndërsa Indrit Shaqja mbetet i plagosur, duke qenë edhe dëshmitari kryesor i asaj çfarë ndodhi.

Nga hetimi i parë rezulton se kamerat nuk pononin. As skaneri nga ku kalon gjithçka drejt qelive të privuarve nga liria nuk funksionon, duke ngritur mjaft pyetje për sigurinë sot në burgje.

Përse dështoi siguria në burgun e Peqinit?

Në tetor 2022, u shpall dhe një tender me objekt “Mirëmbajtja e sistemit të sigurisë në 18 Institucione të Ekzekutimeve të Vendimeve Penale”, në interes të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Tenderi ishte në vijim të vendimit që kish marrë qeveria në vitin 2018 për të siguruar monitorim me kamera sigurie 24 orë në ditë për të gjitha Institucionet e Ekzekutimit të Vendimit Penal. Vlera e tenderit ishte 611 milionë lekë, dhe me anë të tij synohej që burgjet të monitoroheshin me kamera sigurie. Mes këtyre institucioneve ishte dhe burgu në Peqin, ku ndodhi dhe ngjarja e rëndë.

Por vrasja e Arben Lleshit nga Mjacaj me një armë të futur në ambientet e burgut të sigurisë së lartë ngriti disa pyetje njëra pas tjetrës:

Cili ishte porositësi i kësaj vrasjeje dhe a u sabotua vëzhgimi në Peqin? A kishte dështuar garantimi i burgjeve me elementet e sigurisë që kishte paralajmëruar qeveria? A kishte korrupsion në tenderin për vendosjen e elementeve të sigurisë në këtë burg?

Kontrata e firmosur në 19 dhjetor të vitit 2023 parashikonte se shoqëritë do të mirëmbanin sistemin e sigurisë në burgje, përfshirë kamerat e sigurisë në kushte optimale pune 24 orë në 7 ditë.

Tenderi i shpallur në fund të vitit të kaluar dhe kohëzgjatja ishte për 24 muaj. Në vendosjen e elementeve të rinj të sigurisë parashikohej përmirësimi i mëtejshëm i sistemit, përfshirë zëvendësimin e kamerave që mund të ishin amortizuar apo kishin dalë jashtë funksionit.

Advanced Business Solutions është kompania e parë e denoncuar dhe akuzuar publikisht si kompani e oborrit kryeministror nga opozita. ADVANCED BUSINESS SOLUTIONS –ABS sh.p.k”, ka si aksioner kryesor Gerond Meçen. Kjo kompani gjatë katër viteve të fundit ka përfituar nga buxheti i shtetit plot 13 miliardë lekë.

E dyta kompani, Albascan, është një firmë e cila në vetëm pak vite u shndërrua në “grosiste” e fondeve publike. Kontrata u lidh edhe me kompanitë”, “REAL COM”, e cila në shumicën e rasteve del në tendera me flamur të kuq. Kjo për faktin se sa herë fiton kjo kompani operatorët e tjerë konkurrues skualifikohen.

Ndërsa kompania e katërt në bashkim kopanish është subjekti CSP, i cili në vitin 2018 kishte dalë me minus në bilance, ndonëse deri në vitin 2021 ajo ka arritur të dalë me fitime të larta, siç ka raportuar në QKB. Ndërsa për vitet 2022, 2023, kjo firmë nuk ka asnjë të dhënë rreth transaksioneve të saj. Tashmë që në burgjet shqiptare hyjnë armë apo lëndë narkotike dhe kamerat nuk punojnë, pikëpyetjet janë edhe për mënyrën se si është menaxhuar sektori i sigurisë në burgje dhe përse kamerat dhe skaneri në burgun e Peqinit prej kohësh kanë qenë black out.

“Mungesa e kekesës së llogarisë , largimet e panumërta kanë bërë që të bjerë siguria e institucioneve të burgut. Problemi në Peqinë niste nga mungesa në organikën e punonjësve, elementet e sigurisë dhe ajo që ishte më e rëndësishme ishte se i mungonin kamerat dhe skaneri. Këto elemente ishin bërë të mundur që siguria të cedonte”, shprehet Faik Basha, ish-drejtues i policisë.

Hetimet kanë konfirmuar se, në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar të gjitha serverat e kamerave të brendshme dhe të jashtme të burgut si edhe librat e shërbimeve të punonjësve për të kuptuar a janë raportuar në kohë defektet si edhe a kanë mbajtur përgjegjësi kompanitë sipas kontratës. Por, deri në transmetimin e këtij emisioni nuk ka asnjë të dhënë lidhur me përgjegjësinë e këtyre tenderave, përveç shkarkimit dhe prangosjes së drejtorit dhe stafit që ishte në shërbim.

Dan Hutra “teston” sigurinë në burgje

Ende pa u shuar jehona e vrasjes në burgun e Peqinit, viti 2024 nisi me një tentativë arratisje në burgun e Fierit. Koka e organizimit të arratisjes u tha se ishte Dan Hutra, vrasësi i 3 grave, i cili në këtë tentativë kishte edhe 3 të dënuar të tjerë- Martin Kapllanin, Geraldo Veizin dhe Feti Kovaçin. Mjetet prerëse me të cilat janë sharruar hekurat e burgut ishin futur sërish brenda qelive duke rikthyer pikëpyetjet rreth nivelit të sigurisë në burgje dhe cilësisë së pajisjeve që ishin blerë për të krijuar këtë siguri.

Por, më 13 mars të vitit 2024, drejtori i përgjithshëm shkarkohet. Pas tij u emërua Klevis Qose, ndërkohë që çështjet e ngritura, madje nën alarm të fortë politik dhe mediatik, duket se janë shuar. Madje, ministri Manja, u angazhua fort për amnistinë, por ende nuk ka dhënë një konkluzion për pasigurinë në këtë sektor, duke lënë pezull si çështjen e sigurisë ashtu edhe atë të cilësisë së pajisjeve të blera për këtë sektor.

Artikulli paraprakRoli i ridimensionuar i Argjentinës
Artikulli tjetërI cilësuar si armiku kryesor i dietave. Ja sa sheqer duhet të konsumoni çdo ditë, guida e shëndetshme për çdo moshë