Britanikët po luajnë me kohën

Britania e Madhe duhet të zhvillojë me Bashkimin Evropian bisedime jozyrtare për marrëdhëniet e ardhshme përpara se të paraqesë kërkesën zyrtare për daljen nga BE-ja, tha shefi i fushatës Brexit, Matthew Elliott, për agjencinë e lajmeve “Reuters”. Më e mira do të ishte që “gjatë verës të bien gjakrat dhe të zhvillohen bisedime joformale me vendet e tjera”, u shpreh Elliott.
“Ne nuk besojmë se, ekziston nevoja për t’iu referuar shpejt nenit 50”, deklaroi Elliott. Neni 50 i Traktatit të Lisbonës parashikon tërheqjen e një vendi anëtar. Pas disfatës në referendumin për qëndrimin apo daljen e Mbretërisë së Bashkuar në Bashkimit Evropian, Kryeministri britanik David Cameron shpalli se do të japë dorëheqjen në muajin tetor. Negociatat për daljen e vendit nga BE-ja, ai dëshiron t’ia lërë pasardhësit të tij.

Brukseli për hapa të shpejtë
Qëndrime të tilla ndeshën në Bruksel në kritika të ashpra. Presidenti i Parlamentit të BE-së, Martin Schulz, i bëri thirrje qeverisë në Londër që ta bëjë kërkesën për dalje nga BE-ja në samitin e BE-së që zhvillohet të martën. “Ngurrimi vetëm për hir të taktikave partiake të konservatorëve britanikë, na dëmton të gjithëve. Një ngërç i gjatë do të sjellë edhe më shumë pasiguri dhe vë në rrezik vende pune”, tha politikani social-demokrat gjerman për gazetën “Bild am Sonntag”.
Ministrat e Jashtëm të gjashtë vendeve themeluese të BE-së, paralajmëruan gjithashtu ndaj një zgjatjeje dhe pritjeje në këtë drejtim. Procesi i daljes nga BE-ja duhet “të nisë sa më shpejtë të jetë e mundur”, kërkoi ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier, pas një takimi në Berlin me homologët e tij nga Franca, Italia, Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu.
Në ndryshim me të tjerët Kancelarja Angela Merkel u shpreh e rezervuar. Për të nuk është vendimtar ritmi i negociatave të daljes, tha ajo në Potsdam. “Sinqerisht, kjo nuk duhet të zgjasë përjetësisht, kjo është e drejtë, por unë po ashtu nuk do të ngulja këmbë për një periudhë të shkurtër”. Se kur do ta dërgojë Britania e Madhe kërkesën e saj për tërheqje nga BE-ja, duhet ta vendosë ky vend vetë, deklaroi kancelarja.
BE-ja caktoi ndërkohë diplomatin belg Didier Seeuws për të kryesuar një task forcë që do të zhvillojë negociatat e daljes me Britaninë e Madhe. Komisioni i BE-së ka krijuar sipas agjencisë franceze të lajmeve AFP edhe një “Task Force për nenin 50”, e cila do të hartojë propozime ligjore për tërheqjen e Britanisë nga BE-ja.
Kryetari i partisë SPD, Sigmar Gabriel, nuk e përjashton një kthim të Britanisë së Madhe në BE. “Pothuajse tre të katërtat e nën 25-vjeçarëve duan të qëndrojnë në BE. Ne nuk duhet ta bllokojmë urën lidhëse”, tha ministri federal i Ekonomisë për gazetat e grupit mediatik “Funke”.

Artikulli paraprakPër çfarë u revoltuan votuesit britanikë kur s’kanë alternativë?
Artikulli tjetërSi mund të preket Shqipëria nga dalja e Britanisë nga BE?