Bizneset ankohen për gjoba të kota nga tatimet

Bizneset e reja që janë regjistruar gjatë 2015-2016, po ankohen se janë gjobitur nga Drejtoritë Rajonale të Tatimeve me nga 10 mijë lekë gjobë për vonesa në deklaratën e regjistrimit të administratorit. Ligji për Sigurimet Shoqërore detyron bizneset e reja që të deklarojnë në tatime administratorin për efekt sigurimesh 48 orë nga marrja e NIPT-it.
Ndërkohë, bizneset ankohen se, ky kufizim në kohë që është shndërruar në burim gjobash nuk është normal. Ata pohojnë se dy ditë ose më shumë kërkon regjistrimi në QKR dhe dy tre ditë në tatime aktivizimi online, kohë e cila ka kaluar afatet e regjistrimit të deklarimit për shtim punonjësish për herë të parë. Bizneset e reja të regjistruara në këtë periudhë ishin rreth 38 mijë.
Por, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve apelon që jo çdo penalitet që marrin bizneset është për faj të tatimeve.
Erion Prifti, drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve ndaj Tatimpaguesit, pohoi se edhe në këtë rast si çdo herë tatimet kanë zbatuar ligjin, i cili e ka shumë mirë të rregulluar regjistrimin e biznesit dhe deklarimin e administratorit, rishtaz. Prifti tha se, teknikisht me marrjen e NIPT-it sistemi online i tatimeve e regjistron automatikisht pa pasur nevojë për dy apo tre ditë. Mirëpo bizneset që regjistrohen për herë të parë, tha ai, nuk i njohin ligjet dhe rregullat dhe për tepër regjistrimin online. Mirëpo tatimet edhe në këtë rast e kanë zgjidhur ngërçin tha Prifti. Në faqen zyrtare të tatimeve (www.tatime.gov.al) janë mbi 20 numra kontakti, me të cilat bizneset e reja konsultohen se si të regjistrohen.
Prifti tha se, në këtë rast tatimet janë vetëm agjenti i Sigurimeve Shoqërore dhe zbaton ligjin përkatës, duke ju bërë thirrje bizneseve të lexojnë ligjet dhe të konsultohen me zyrën e tatimpaguesit para se të nisin një biznes me qëllim që të shmangin gabimet e për rrjedhojë edhe penalitet.
Ndërkohë një ekonomist që mban llogaritë e 15 bizneseve të vogla pa TVSH dhe që ka një eksperiencë të gjatë me tatimet dhe regjistrimin në QKR, pohon se njoftimet për marrjen e gjobës i kanë ardhur me 1 vit vonesë. Të gjitha bizneset që ia ka regjistruar janë gjobitur me 10.000 lekë të reja për vonesa në deklarim të Sigurimeve Shoqërore në vitin 2015 në muaj të ndryshëm.
Ekonomisti sqaron më tej se, njoftimi i ka ardhur nga Drejtoria Rajonale e Njësisë së Tatimpaguesve të Mëdhenj, ndërkohë që ata janë tatimpagues të vegjël. Më tej ai shton se, ka dërguar 20 emaile në drejtim të tatimeve, ku kërkon sqarime mbi gjobën dhe afatet e deklarimit të punonjësve, por nuk ka marrë ende asnjë përgjigje.

Artikulli paraprakSi mund të preket Shqipëria nga dalja e Britanisë nga BE?
Artikulli tjetërAjeti “hedh poshtë” mediat