Shtëpia e Bardhë, në mbrojtje të pretendimit për përgjimin e Kullës Trump

Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë i dolën dje në mbrojtje një pretendimi të Presidentit Donald Trump se ish-presidenti Barack Obama ka urdhëruar përgjimin e telefonave në Kullën Trump në Nju Jork vitin e kaluar.
Drejtori i Byrosë Federale të Hetimeve, James Comey, i ka kërkuar Departamentit të Drejtësisë ta kundërshtojë këtë pretendim.
Por zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders tha se Presidenti nuk dëshiron ta pranojë pohimin e drejtorit të FBI-së.
Pretendimin e presidentit Trump e ka vënë në pikëpyetje edhe drejtori i CIA-s, James Clapper.
Shtëpia e Bardhë ka kërkuar që hetimet për përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet e 2016-s, të zgjerohen me hetimin, nëse FBI-ja ka përgjuar zotin Trump me urdhër të administratës Obama.
Zyrtarët amerikanë që komentuan për agjencinë e lajmeve “Associated Press” dhe për gazetat “Washington Post” dhe “New York Times” thanë se kërkesa e zotit Comey vjen pas akuzave të ngritura të shtunën nga Presidenti Trump në Twitter që përfshinte një krahasim me ish-presidentin Richard Nixon, i cili dha dorëheqjen mes një skandali në vitin 1974. Zoti Trump nuk ka ofruar asnjë provë për të mbështetur pohimin e tij.
Ajo që nuk është e qartë është se përse zoti Comey nuk e kundërshtoi vetë deklaratën e zotit Trump. Ai ishte drejtor i FBI-së nën Presidentin Obama dhe departamenti i tij ka patur rol kryesor për hetimin e ndikimit rus në zgjedhjet e vitit të kaluar.
Sipas ligjit amerikan, një president nuk mund të urdhërojë përgjimin e telefonit të dikujt. Një gjë e tillë do të kërkonte miratimin e një gjykatësi federal dhe duhet të bazohet në dyshime të arsyeshme.

Artikulli paraprakTë tregojë se vlen 100 milionë euro
Artikulli tjetërKomando e re për misionet ushtarake në Bruksel