SHBA, pritet urdhër i ri ekzekutiv për imigracionin

Presidenti amerikan, Donald Trump pritet të nënshkruajë një urdhër të ri ekzekutiv, që do të pezullonte pranimin e refugjatëve dhe do të ndalonte hyrjen në vend të njerëzve nga gjashtë vende me shumicë myslimane.
Urdhri është një version i rishikuar i atij të nënshkruar nga presidenti në fund të janarit, që argumentonte se ndalimi i përkohshëm ishte i nevojshëm për të rishikuar procesin e kontrolleve të personave që hyjnë në vend, si dhe mbrojtjen e sigurisë kombëtare. Urdhri ndalonte hyrjen në Shtetet e Bashkuara të personave nga Iraku, Irani, Siria, Libia, Jemeni, Somalia dhe Sudani.
Zyrtarët thanë se urdhri i ri do të heqë Irakun nga lista, por vendet e tjera do të mbeten në të.
Ndalimi i përkohshëm i refugjatëve do të përfshihet edhe në urdhrin e ri, por dokumenti i ri nuk do të veçojë sirianët për një ndalim të papërcaktuar.
Urdhri ekzekutiv po shqyrtohet prej disa javësh dhe ka patur hamendje se ai mund të nënshkruhet shumë shpejt. Në axhendën e djeshme zyrtare të presidentit Trump, nuk përfshihej nënshkrimi i një urdhri ekzekutiv.
Një gjykatë federal e Apelit ndaloi zbatimin e urdhrit fillestar, një vendim që administrata Trump ka vazhduar ta kundërshtojë, ndërsa harton versionin e rishikuar. Sfidat ligjore të ngritura nga disa shtete mund ta çojnë çështjen deri në Gjykatën e Lartë.

Artikulli paraprakInteri ringrihet direkt, 5 gola Kaliarit
Artikulli tjetërDe Maiziere kërkon kontrolle më të rrepta të zonës kufitare