Sanksionet e Obamës godasin Korenë e Veriut përmes Kinës

Nëse Washingtoni ndërton bashkëpunim të mirë me Pekinin, mund të arrijë më të fund t’i mbajë të lidhur ujqërit bërthamorë të Penjanit. Administrata Obama më në fund mund të ketë gjetur një mënyrë për t’i vënë fre çmendurisë bërthamore të Koresë së Veriut. Pikërisht atëherë kur të gjithë ekspertët arsyetojnë se sanksionet nuk funksionojnë, Shtetet e Bashkuara arrijnë të gjejnë një mënyrë për të demonstruar të kundërtën.
Sanksionet nuk kanë funksionuar vetëm për shkak se nuk janë zbatuar siç duhet. Tani, Washingtoni duket se e ka marrë më seriozisht misionin. Në fund të muajit të shkuar, dy agjenci të Shteteve të Bashkuara vunë në dukje fenomenin e “shkeljes aksidentale të sanksioneve” nga Kina dhe Pekini duket se ka zënë mend.
Specifikisht, më 26 shtator, Zyra e Departamentit të Thesarit për Kontrollin e Aseteve të Huaj shtoi Ma Xiaohong, tre kolegë të saj dhe kompaninë “Dandong Hongxiang Industrial Development Co. Ltd.”, në listën e shtetasve me Emërtim Special. Duke bërë këtë, Departamenti i Thesarit ka mundësinë të imponojë sanksione mbi kompani apo shtetas të një vendi, të cilët bëjnë pjesë në këtë listë dhe që kanë lidhje me Korenë e Veriut.
Veprimi i kryer kundër Hongxiang ishte hera e parë që administrata Obama imponon sanksione sekondare kundër firmave kineze për marrëdhënie tregtie me programin e armëve bërthamore të Koresë së Veriut. Deklarata e Departamentit të Thesarit nuk ka dhënë shumë shpjegime për vendosjen e kompanisë kineze në listë, por eksperti i sanksioneve kundër Koresë së Veriut, Joshua Stanton tha për “Daily Beast” se e vetmja arsye është ndihma që kompania i ka dhënë firmës koreane “Korea Kwangson Banking Corp”, një firmë e prekur nga sanksionet, e cila merret me pastrimin e parave.
Në të njëjtën ditë, Departamenti i Drejtësisë deklaroi hapjen e aktpadive kundër të njëjtëve individë dhe Hongxiang për një sërë krimesh, përfshirë edhe “konspiracionin për të shkelur sanksionet ekonomike të Shteteve të Bashkuara dhe shkeljen e Rregullimeve të Sanksioneve kundër Përhapjes së Armëve të Shkatërrimit në Masë përmes kompanisë kryesore”. Aktpaditë theksojnë gjithashtu edhe aktivitetin e pastrimit të parave për Penjanin përmes sistemit financiar të Shteteve të Bashkuara.
Departamenti i Drejtësisë ka nisur gjithashtu edhe një padi civile për të ngrirë 25 llogari bankare kineze. Veprimet e Shteteve të Bashkuara vijnë pasi dy prokurorë amerikanë udhëtuan drejt Pekinit për nisur çështjen kriminale kundër kompanisë Hongxiang, duke e nisur nga drejtuesja ekzekutive Ma dhe tre bashkëpunëtorët e saj. Që atëherë, Kina ka bashkëpunuar me autoritetet amerikane duke nisur për shembull hetimin e saj për akuzën e “krimeve të rënda ekonomike” kundër kësaj kompanie. Autoritetet kineze e kanë arrestuar Ma-në dhe kanë ndaluar të dyshuar të tjerë të largohen nga vendi.
Megjithatë, Pekini ka shfaqur njëkohësisht edhe mungesë të theksuar entuziazmit për të përndjekur penalisht fajtorët e identifikuar nga Washingtoni. Kështu, Ministria e Jashtme kineze ka kritikuar menjëherë aktpaditë amerikane dhe sanksionet e imponuara. Gjatë një deklarate rutinë të transmetuar në kanalet televizive më datë 27, zëdhënësi Geng Shuang tha: “Nëse çdo shtet përpiqet të shtrijë juridiksionin e tij më shumë se ç’parashikohet nga ligji ndërkombëtar duke ushtruar ligjin e tij të brendshëm kundër individëve dhe sipërmarrjeve kineze, atëherë do të përballet me kundërshtimin tonë”.
“Kina në fakt po përpiqet të deklarojë të drejtën e saj të njëanshme për të shpërdoruar sistemin tonë financiar, për të kërcënuar sigurinë, për të shkelur ligjet tona dhe të rezolutave të Kombeve të Bashkuara”, tha Joshua Stanton, ekspert i sanksioneve në “One Free Korea”. Siç thekson edhe Stanton, materialet dhe komponentët përbërës të shtuar për programin e armëve bërthamore të Penjanit kërkojnë dollarë. Të gjitha transaksionet që zhvillohen me monedhën dollarë nëpër botë kalojnë përmes sistemit financiar të Shteteve të Bashkuara. Kjo do të thotë se qeveria amerikane ka të drejtën dhe detyrimin për të siguruar që sistemi i saj financiar të mos keqpërdoret.
Mbi të gjitha, Pekini nuk duhet të ankohet shumë sepse edhe pas kësaj lëvizjeje të fundit, administrata Obama është duke i dhënë Kinës mundësinë të rregullojë në kohë një sjellje, për të thënë pak, skandaloze. Për shembull, deklarata për shtyp e Departamentit të Drejtësisë ku deklarohej konfiskimi i llogarive bankare kineze saktësonte: “Nuk ka asnjë akuzë për sjellje të gabuar nga ana e bankave korrespondente apo të bankave të huaja për mbajtjen e këtyre llogarive”.
“Wall Street Journal” theksoi në një editorial më 29 shtator se, ky veprim do të duket sikur sinjalizon se bankat kineze janë të paprekshme. Ndërkohë bankat janë angazhuar prej kohësh në menaxhimin e fondeve që kanë lidhje me tregtinë e jashtëligjshme të Koresë së Veriut. Por kohët e fundit ata filluan t’i ndërprisnin lidhjet duke qenë se i parashikuan veprimet që do të ndërmerrnin Shtetet e Bashkuara.
Banka e Kinës, Banka Tregtare e Kinës dhe Banka Dandong i kanë ndërprerë lidhjet e biznesit me koreanoveriorët. Më tej, Banka Industria Tregtare e Kinës, institucioni më i madh financiar në Kinë, deklaroi se kishte ngrirë llogaritë e konsumatorëve të Koresë së Veriut në Dandong.
Ndërkohë, ka shumë kompani kineze që duhen përndjekur. Biznesi i Ma-së konsiderohet vetëm një pjesë e vogël e aktivitetit. Gazeta “South China Morning Post” e quan Ma-në një “shkelëse aksidentale e sanksioneve” për shkak se ajo është detyruar t’i ndihmojë koreanoveriorët kundër vullnetit të saj.
Sipas një burimi që ka dëshmuar për gazetën Hong Kong, Ma kishte anuluar transaksione të arkëtueshme me vlerën e 30 milionë dollarëve. “Kur Ma filloi t’i kërkojë atyre llogari për këto shuma të jashtëzakonshme parash, koreanoveriorët sugjeruan që Ma të importonte lëndë kimike si oksidi i aluminit për ta”. Pala e paidentifikuar foli për gazetën, e cila mban tradicionalisht anën e Pekinit. Oksidi i aluminit përdoret për të ushqyer dhe përpunuar mjete bërthamore.
Kompania e Ma-së nuk është e vetmja që i ka shitur regjimit të Kim Jong Un-it materiale dhe përbërës për programin bërthamor të Penjanit. David Albright i Institutit të Sigurisë tha se cilindrat e uraniumit, pompat e vakumit dhe valvolat e marra këtë pranverë kanë kaluar përmes kufirit kinez drejt Koresë së Veriut.
Tregtia e armëve mund të përfitojë edhe objekte të tjera më të rëndësishme. Bruce Bechtol i Angelo State University ka ngritur pikëpyetje mbi mundësinë e një rakete të lëshuar nga nëndetësja e Koresë së Veriut më 24 gusht, mund të ruhet tek baza kineze JL-1. “Nëse shikon fotogratitë e JL-1 dhe i krahason ato me nëndetësen ‘e re’ të Koresë së Veriut për lëshimin e raketave nënujore, të dyja duket se ngjasojnë mjaft”, tha ai për “Daily Beast”.
“Për më tepër, bazuar në të dhëna të kufizuara nga testet e Koresë së Veriut, specifikimet shfaqen tepër të ngjashme”, shtoi ai. Ai gjithashtu thekson se teknikët e Penjanit nuk e kanë teknologjinë e nevojshme për të zhvilluar një nëndetëse të tillë vetëm, pra kanë pasur patjetër një teknologji ndihmëse.
Korea e Veriut mund të ketë marrë raketa të tilla direkt nga një prodhues kinez, përmes sekserëve kinezë ose përmes një shteti të tretë që e ka përftuar atë nga Kina. Megjithatë, mundësia më pak e logjikshme është që Kim Jong Un të ketë arritur të gjejë teknikë të aftë për të ndërtuar të njëjtën raketë me atë të kinezëve.
Siç tha edhe Charles Burton i Universitetit Brock javën e kaluar, Pekini, duke mbështetur përhapjen e armëve bërthamore ose të paktën duke e lejuar atë të vazhdojë, shfaqet i gatshëm për të nxitur një krizë në gadishullin korean dhe rinovon mbështetjen për Republikën Popullore Demokratike të Koresë, në një kohë kur kjo e fundit po i afrohet gjithmonë e më shumë misionit për të perfeksionuar armët bërthamore që përbëjnë kërcënim të madh për Shtetet e Bashkuara.

Kim Jong Un-i tre vite larg raketës bërthamore

Kim Jong Un-i është ndoshta tri vite larg zhvillimit të kapacitetit për të lëshuar një raketë bërthamore kundër 48 shteteve më të afërt. Ai zotëron dy lëshues që mund të arrijnë atje – Taepodong-2 dhe KN-08/KN-14 – gjithçka që i nevojitet është vetëm koka e raketës. Teknikët e tij kanë një pajisje bërthamore vetëm për raketat me rreze të shkurtër, pra tani për tani, raketat koreane nuk e kërcënojnë sigurinë e Shteteve të Bashkuara.
Është e qartë se Washingtoni duhet të marrë masa imediate për të frenuar të gjithë individët dhe kompanitë kineze që i vijnë në ndihmë Koresë së Veriut. Sanksionet e 26 shtatorit, aktpaditë dhe konfiskimet janë hapa të parë të mirë, por jo të mjaftueshëm. Andrew Scobel thotë se ato shërbejnë vetëm për të sinjalizuar Pekinin se duhet të bëjë më shumë. Në këtë kohë, Pekini duhet të bëjë më shumë se të përçojë mesazhe dhe kode. Shtetet e Bashkuara tashmë duhet të kapërcejnë edhe “inercinë politike” të Kinës.
Kjo ekziston edhe në radhët e politikës amerikane. Në Washington, ka ende hezitim për t’u përballur publikisht me bashkëfajësinë e radhëve më të larta të sistemit politik kinez, edhe kur ndodhet përballë sanksione të aprovuara të Pekinit. Për shembull, tregtia kinezo-koreane, e cila është reduktuar ndjeshëm që pas imponimit të sanksioneve të Kombeve të Bashkuara në fillim të muajit mars, tani janë rikthyer përsëri në nivelet e mëparshme. Më tej, mjetet koreane të sanksionuara vazhdojnë të ngarkojnë dhe shkarkojnë rregullisht në portet kineze. Pekini lejon gjithashtu mallrat e luksit, të cilat regjimi i përdor për të shpërblyer ndjekësit besnikë, të cilëve u janë imponuar sanksione.
Washingtoni i ka të gjitha mjetet në dispozicion për ta shtyrë Kinën të veprojë. Bob Corker, kreu i Komitetit të Marrëdhënieve të Jashtme të Senatit, thekson se administrata ende nuk e ka gërvishtur sipërfaqen kur bëhet fjalë për mjetet që ka në dispozicion.
Javën e kaluar, një zyrtar i Departametit të Shtetit, Daniel Fried tha se administrata është duke vënë nën shënjestër edhe kompani të tjera kineze, kjo është diçka e mirë, por nuk është e mjaftueshme. Administrata Obama duhet të jetë e gatshme të kuptojë qëllimet e kinezëve dhe të vendosë sigurinë kombëtare përpara marrëdhënieve me Kinën. Në fund të fundit, nëse disa qytete amerikane shfarosen pas një sulmi bërthamor, cili amerikan do të donte të gjendej në pozicion që të pranonte: “Mund ta kisha ndaluar këtë, por nuk doja të mërzisja kinezët”.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakDe Bur: Nuk e merituam humbjen!
Artikulli tjetërKlimë e tensionuar lufte në Bosnje